Që të mos shtohen edhe më vlimet dhe grevat sociale, Qeveria duhet të reflektojë seriozisht

Ndalni fyerjet, mos hapni front ndaj mësimdhënësve, sepse do të bieni vet në hendek! Përfundimi i grevës, mund të arrihet vetëm falë një dialogu serioz dhe të pashmangshëm social me SBASHK-un, duke përfilluar kërkesat themelore të tyre, për ngritjen e koeficientit të tyre dinjitoz. Kryeministër, reflekto seriozisht, mos lejo piskamat e tellalxhinjve që nuk e kanë punë arsimin!

0

Jusuf Bytyçi

Greva e paralajmëruar e SBASHK-ut që verën e kaluar, tashmë kaloi edhe javën e dytë të këtij gjysmëvjetori, ndërsa humbës jemi që të gjithë. Me grevën në arsimin, tash edhe në atë universitar, nuk humbin vetëm nxënësit, prindërit, mësimdhënësit, studentët e profesorët, por humb e gjithë shoqëria, humb shteti! Drejtuesit e SBASHK-ut, kanë thënë të mllefosur se askush nga institucionet e vendit nuk ka kontaktuar me ta, pavarësisht paralajmërimeve të tyre “se nëse nuk rritet koeficenti për mësimdhënësit në projektligjin për pagat, që nga 14 janari do të hynë në grevë të përgjithshme”.
Si pasojë e kësaj greve, pothuajse 500,000 nxënës e studentë në Kosovë, në vend të karrigeve-bankave, respektivisht ambienteve shkollore dhe universitare, po qëndrojnë në shtëpi. Duke mos e fshehur mllefin e tyre ndaj neglizhencës së Qeverisë, sindikalistët shprehen edhe kundër pagave tepër marramendëse të pushtetarëve në shtyllat kryesore të institucioneve të shtetit. Rritja njëqind për qind e pagës mujore për kryeministrin Ramush Haradinaj, nga viti i kaluar, nga 1.443 euro, në 2,950 euro në muaj, që gjithashtu renditet me disa punonjës publikë, ka revoltuar jo vetëm SBASHK-un!
Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në përpjekje për të zgjidhur këtë problem, pati njoftuar kreun e SBASHK-ut për vendimin e Qeverisë që arsimit parauniversitarë, t’u afrojë “rritje substanciale”, respektivisht 74 euro shtesë pagës aktuale të mësimdhënsve të shkollave të mesme, derisa për atë fillorë, 46 euro pagës aktuale prej 479 euro. Me këtë rast, Haradinaj, i ka kërkuar kreut të SBASHK-ut ndërprerjen e grevës, dhe fillimin e mësimit. Pas kreut të ekzekutivit të vendit, me SBASHK-un u takua edhe ministri i MASHT-it, z Shyqiri Bytyçi, i cili po ashtu u ka kërkuar mësimdhënsve që të fillojnë mësimin, me arsyetim se Qeveria ka bërë atë që ishte e mundur. Por, kjo ofertë, nuk u pranua nga Këshilli grevist i SBASHK-ut, të cilët këmbëngulin që koeficienti aktual në projekt-ligjin për paga që pritet të shkojë në Kuvendin e Kosovës për miratim ( për herë të parë), të rritet në masën 30 për qind.
“Hapi i parë që zyrtarët qeveritarë do të bënin është rritja e pagave për veten dhe stafin e tyre dhe ata na lënë në një mënyrë të mjerueshme”, ka thënë mësuesja Kadire Preniqi. Për grevën e grevustët në arsim, ka shumë debate, pro dhe kundër, ka edhe akuza, fyerje, kërcënime madje! I butë në deklarim, kreu i vendit, presidenti Hashim Thaçi, ka kërkuar nga palët që të ulen, të bëjnë dialog social dhe të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar. Pro hapjes së dialogut social janë deklaruar edhe shumë personalitete të jetës publike-institucionale. Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, që njëhershë është nënkryetar i LDK-së në opozitë, ka apeluar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë e Kosovës që të hapin dialogun për të gjetur zgjidhjen në mënyrë që greva të ndërpritet në favor të kërkesave të arsimtarëve. Humbja e mësimit është humbje e madhe për nxënësit, por kërkesat e tyre duhet të përmbushen, janë shprehur edhe personalitete tjera, kryesisht ata nga opozita. Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim. Ndjeshmëria ndaj varfërisë nuk e zëvendëson ndershmërinë për barazi. E, siç thotë populli ynë, kot mbushen mend ata që janë mbushur haram”, është shprehur kreu i LVV-së, Albin Kurti. Ish-Ministri i Financave, profesor Avdullah Hoti, tani shef i GP të LDK-së në opozitë, ka deklaruar se “dikur koalicioni i “punëve të mëdha” kërkonte votat e arsimtarëve, duke iu garantuar rritjen e pagave prej 30 për qind. Sipas Hotit, kërkesat e SBASHK-ut janë të arsyeshme, pasi ata po kërkojnë që të rritet koeficienti, dhe jo pagat. Arsimtarët po kërkojnë trajtim të barabartë në strukturën e pagave në sektorin publik, ka spikatur A. Hoti. I njëjti ndërkohë, shprehet se “zgjidhja e kësaj situate është e thjeshtë: 1. Qeveria të anulojë vendimin për dyfishimin e pagës për vete; dhe projektligji i pagave të tërhiqet dhe të rishkruhet në konsultim me arsimtarët, mjekët, shërbyesit civil, policinë, zjarrfikësit, doganierët, inspektorët tatimorë, komunat dhe sektorët e tjerë”. Ngjashëm ka vlerësuar edhe një ekonomist tjetër po nga GP i LDK-së. Lumir Abdixhiku, ka rikujtuar Qeverinë e tashme si dhe SBASHK-un se “Në këmbim të votës së tyre, Haradinaj e Veseli do t’ua rrisnin pagat për 30 për qind. Sapo erdhën në pushtet, njëri Kryeministër e tjetri Kryeparlamentar, rritjen e vetme që bënë ishte për pagën e vet, madje për 100 për qind. Thanë se nuk kishin para për kravatë. Më pas punësuan zëvendësministra, këshilltarë e asistentë – u bënë plot 400 sosh. Falën borxhe 50 milionëshe, dhuruan po aq në autostradë, shtuan lista false, e kur ju erdh radha juve, thanë më nuk kemi më para”, ka spikatur deputeti opozitar L. Abdixhiku. Ai ka thënë se “revolta e mësimdhënësve të arsimit parauniversitar me koeficientet e përcaktuar në Projektligj është e arsyeshme, pasi nuk janë kategorizuar me punonjësit me kualifikime të ngjashme dhe kompleksitet të ngjashëm të detyrave të punës”. 
Propozimi i Qeverisë për SBASHK-un përfshinë edhe rritjen e koeficientit për mësimdhënësit, për kthimin e dinjitetit të mësimdhënësve, është serioz, ka thënë z. Besnik Tahiri, koordinator për Reforma në Qeverinë e Kosovës. Ai ka thënë se ky propozim nuk është minimal, as maksimal dhe ka dalë pas një analize nga Ministria e Financave dhe e dakorduar me Kryeministrin Haradinaj dhe Komisionin parlamentar.
Ndër reagimet e këtyre ditëve derisa greva në arsim nuk u ndal as në ditën e fundit të javës së dytë, nuk kanë munguar edhe dallkaukët, telallxhinj të shumtë me “piskama” të panevojshme, që “tuten” për “dorëzimin” e kryeminstrit Ramush Haradinaj! Ngritja e temave që mbijnë nga hiçi nuk është e rastësishme, janë zor të shpjegueshme nga mendja racionale, është shprehur Donika Kadaj Bujupaj, deputetja e lëvizshme nga njëra në tjetrën parti. Ajo shpreh dyshimin për kurdisjen e kësaj greve nga njerëz me ndikim në shtet, jashtë partisë në të cilën u rikthye muaj më parë. Greva e organizuar nga SBASHK-u, është krijuar nga njerëz me ndikim në Kosovë, për të shtuar presionin mbi Qeverinë, është shprehur zonja Bujupaj. Sipas saj, edhe përkundër të gjithë këtij presioni, Qeveria Haradinaj, nuk do të lëshojë pe dhe do të vazhdojë punën. 
Ndërprerjen e grevës së SBASHK-ut e ka kërkuar edhe gazetari-tash deputeti Muharrem Nitaj, nënkryetarja e AAK-së, Magbule Shkodra, njëherësh edhe zëvendësministre në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, pastaj Avni Arifi, T. Kadrijaj etj. Zonja Shkodra madje ka fajësuar SBASHK-un për manipulim të mësimdhënësve. Kryeminstër, shto rrogat, pastaj lyp përgjegjësi, kërko rezultate! 
Për normalizimin e gjendjes në arsim, është deklaruar edhe një zëvendësministër po nga radhët e AAK-së, z. Anton Berishaj, nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ai i ka dërguar një letër të hapur kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt, të cilin e ka vlerësuar për punën që ka bërë në arsim. “Në të mirën e arsimit, ju lus të japësh kontributin tënd, të normalizimit të gjendjes”, ka thënë Berishaj. Edhe të tjerë politikanë, deputetë, ministra, zëvendësministra apo këshilltarë politikë të kreut të ekzekutivit të vendit, në jo pak raste kanë fyer personalitetin e mësimdhënësve, duke hapur edhe më frontin mes SBASHK-ut e Qeverisë. Sidomos jo profesionistët, që nuk dinë të vlerësojnë arsimin dhe as sfidat që ka kaluar arsimi shqip dhe mësimdhënësit në vitet më të rënda, kur me ata ështe identifikuar shtetësia e Kosovës, nuk kanë asnjë arsye të bëhen pjesë e debatit, e trysnive dhe absolutisht e reagimeve që vetëm sa ndikojnë në mllefin edhe ashtu të theksuar të mësuesve. Mësimdhënësit, pavarësisht nga të metat individuale apo vlerësimet jo adekuate, mbeten kategoria më e përkushtuar për të arriturat e Kosovës dhe popullit të saj! Përderisa grevat vetëm sa po thellohen, zgjidhja duhet gjetur me koncensues, të rritet koeficioneti për arsimin parauniversitar, ose të tërhiqet për një kohë ligji i pagave dhe të ripunohet në konsultim me të gjitha kategoritë e punësuarve në sektorin publik.
Tashmë duket se vetëm kështu do të mund të arrihej përfundimi i grevës, falë një dialogu serioz dhe të pashmangshëm social me SBASHK-un, duke përfilluar kërkesat themelore të tyre, për ngritjen e koeficientit të tyre dinjitoz. Prandaj, kryeministër, reflekto seriozisht, mos lejo piskamat e tellalxhinjve që nuk e kanë punë arsimin! Nuk na duhen fyerjet dhe injoranca. Nuk ka kohë për të humbur asnjë orë madje. Qeveria dhe MASHT-i, duhet lënë inatet dhe të ulen e dialogojnë pashmangshëm. Sot uluni me SBASHK-un, e nesër edhe me segmente tjerë të shtetit. Krejt kjo në të mirë të të gjithëve, në radhë të parë të kthimit të nxënësve në shkolla të mësimdhënsve në mësimin e rregullt. Plastaj, shto kontrolin, edhe për performancë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here