Të gjitha rrugët qojnë tek njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia

0

 

David L. Phillips, në “Washington Times”

Brukseli këmbëngul që Serbia të normalizojë marrëdhëniet më Kosovën përpara se të mund t’i bashkohet Bashkimit Evropian (BE). Deri tani 114 vende kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Serbia lufton kundër përpjekjeve të Kosovës për të fituar njohje më të madhe globale. Ajo gjithashtu mbështet strukturat paralele private në Kosovën e Veriut, të cilat minojnë sovranitetin e Kosovës dhe nxisin trazira midis serbëve të Kosovës. Konflikti Kosovë-Serbi mund të zgjidhet me ndërmjetësim ndërkombëtar më efektiv. Diplomacia funksionon më mirë kur Evropa dhe Shtetet e Bashkuara punojnë së bashku.

Deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq nxisin optimizëm. Ai i bëri thirrje popullit serb që të “ndaloj së varrosuri kokën në rërë” sa i përket çështjes së Kosovës dhe të fillonte “një dialog të brendshëm”. Ai u tha serbëve “të jenë realistë”.

Një pazar i madh mund të jetë në veprim. Përderisa normalizimi fillon duke adresuar shumë çështje dypalëshe, të gjitha qojnë tek njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Njohja do të çonte në anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kosova dhe Serbia do të negociojnë kriteret e anëtarësimit të BE, në fund të fundit duke hyrë në BE në të njëjtën kohë.

Një kornizë për negociatat ekziston tashmë. Dialogu Kosovë-Serbi u lançua nga BE në vitin 2011. Kosova dhe Serbia përfunduan marrëveshjet për çështje teknike si liria e lëvizjes, menaxhimi i integruar i kufirit dhe targat. Megjithatë, zbatimi ka qenë i pabarabartë. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 afirmoi një “të ardhme evropiane” për Kosovën dhe Serbinë. Në rastin më të mirë, ka përparim të çrregullt në rrugën politike.

Marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen. BE duhet të pezullojë ndërmjetësimin e saj nëse secila palë i vonon angazhimet e saj. Një mekanizëm zyrtar i monitorimit të BE-së do t’i raportonte shteteve anëtare përmes Komitetit të Sigurisë Politike të Këshillit të BE-së.

BE duhet të kushtëzojë fondet e siguruara për Kosovën dhe Serbinë nëpërmjet Instrumentit të saj të Ndihmës së Para-Anëtarësimit. “Pa përparim nuk ka kapituj” do të ishte parimi udhëheqës, që lidh progresin në dialogun Kosovë-Serbi me aspiratat e Serbisë për në BE.

/David Phillips është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut të Universitetit të Kolumbisë. Ai ka 25 vjet përvojë pune në ndërtimin e paqes për Departamentin Amerikan të Shtetit./

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here