Përveç Demarkacionit, edhe dy kushte për Kosovën deri te liberalizimi

0

Është thënë me qindra herë se kosovarëve do t’u hiqen vizat sapo të kalojë demarkacioni me Malin e Zi, mirëpo kjo duket se nuk do të ndodhë.

Të paktën kështu thotë një drejtor i Komisionit Evropian, i cili ka thënë se Kosova i ka edhe dy kushte për të plotësuar, shkruan gazetametro.net.

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se Kosova përveç demarkacionit e ka edhe kushtin e luftimit të korrupsionit për të marrë liberalizimin e vizave.

“93 nga 95 kushtet janë plotësuar. Janë dy që duhet plotësuar. Një është me demarkimin e Malit të Zi dhe e dyta është me luftën kundër korrupsionit. Ka shumë progres në fushën e luftimit të korrupsionit. Nëse këto dy kushte plotësohen, atëherë ne  mund të vazhdojmë përpara. Sot nuk mund të them nëse mund të japim një përgjigje të shpejtë”, ka thënë Danielsson.

Ndërkaq, Danielsson foli edhe direkt për çështjen e demarkacionit, për të cilën tha se është në duart e dy shteteve për të gjetur zgjidhje.

E për të gjetur zgjidhje rreth çështjes së demarkacionit, sot në Kosovë arriti kryeministri malazez Dusko Markovic, i cili do të qëndrojë për dy ditë në takime me liderë kosovarë.

Ndryshe, liberalizimi i vizave për Kosovën ishte premtuar edhe nga zyrtarë të lartë të BE’së më herët në këmbim të miratimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here