Perla e Karamoh largon makthin e Interit

0

Interi u rikthye te fitorja, pas më tepër se dy muajsh, teksa mposhti Bolognën në shtëpi, me rezultatin 2-1. Fitore mjaft e vuajtur e zikaltërve, që ‘mbajtën frymën’ deri në sekondat e fundit për t’u gëzuar, pasi Bologna i vuri realisht në vështirësi, ndonëse luajti për rreth 20 minuta me një futbollist më pak, ndërsa në shtesë u ndëshkua edhe Masina, duke e lënë skuadrën me 9 lojtarë.

Me Candrevën në stol, ishte pikërisht Yann Karamoh risia e formacionit të Spallettit dhe pikërisht nga këmbët e tij lindi edhe goli i avantazhit, i shënuar nga Eder vetëm pas 90 sekondash lojë. U duk sikur çdo gjë do të bëhej e lehtë për Interin, por Bologna ruajti qetësinë dhe filloi të shohë drejt sulmit, kur edhe barazoi me Palacion, pas një gabimi të Mirandës në mbrojtje.

Pjesa e dytë u bë shumë më e tensionuar, me tifozët që vërshëllenin vazhdimisht dy kroatët, Perisiç dhe Brozoviç, duke detyruar Spallettin të largojë këtë të fundit, për të hedhur në fushë Rafinhën. Pikërisht nga kombinimi i brazilianit me Karamoh, 19-vjeçari francez lëshoi një perlë nga jashtë zone dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke ngritur në peshë tifozërinë zikaltër. Djasloshi francez meritoi edhe një ‘Stand Ovation’ të gjatë, kur u largua për t’i lënë vendin Gagliardinit.

Sampdoria vijon serinë e rezultateve pozitive, teksa sot mposhti në shtëpi Veronën, me rezultatin e pastër 2-0. Gjithçka u vendos në pjesën e dytë, kur fillimisht Barreto zhbllokoi rezultatin dhe më pas Quagliarela me 11-metërsh, vulosi rezultatin.

Fitore mori edhe Torino, që mposhti po 2-0 Udinesen, falë golave të N’koulou dhe Belottit, ndërsa Genoa triumfoi 0-1 në transfertën me Chievon, falë një goli të shënuar nga Laxalt në shtesë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here