Pendarovski nuk dëshmon konceptin e “shoqërisë qytetare”

0

Alpin Ollogu

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, në prezantimin zgjedhor të kandidatit konsensual të koalicionit qeverisës, Stevo Pendarovskit, për garën e të parit të shtetit, ndër të tjerash e promovon atë si kandidat i konceptit të mirëfilltë të saj për shoqërinë qytetare, mbinacionale, për faktin e thjeshtë se Pendarovski qenka i përkrahur nga shumë parti me etnitete të ndryshme, veçanërisht nga etniteti shqiptar.

Sa sa është i vërtetë ky “koncept qytetar”, duhet shikuar me metodën analogjike, e cila na fakton se edhe në të kaluarën, në procese zgjedhore për president shteti, gati të gjithë kandidatët e nacionalitetit maqedonas janë përkrahur nga etnitete të ndryshme, përfshirë shqiptarët, në mënyrë të heshtur apo të hapur. Qoftë kjo mbështjetje në rrethin e parë zgjedhor, të dytin, apo në të dyja bashkë, pavarësisht se nuk ka pasur dakordim në aspektin formal, si kësaj rradhe mes disa partive politike. Vetë Pendarovski në kandidimin e parë për president shteti, e votuan një pjesë e elektoratit shqiptar. E gjitha kjo nuk ju dha të drejtën asnjë kandidati të pavarur apo partie që ka nxjerrë kandidat maqedonas, të thotë se ky është apo ishte votim i konceptit qytetar të shoqërisë gjithëpërfshirëse. Ngase të gjitha mbështetjet kanë qenë deri diku pazare dhe përllogaritje politike, dhe jo ideologji mbinacionale, njejtë siç tani është edhe kandidimi i Pendarovskit.

Pse nuk është koncept qytetar, për arsye të faktit të njohur se në këtë shtet, të diskriminuar kanë qenë shqiptarët dhe etnite jomaqedonase, por veçanërisht shqiptarët e një përqindjeje të konsiderueshme të popullsisë. Shqiptarët dhe jomaqedonët në përgjithësi kanë pasur dhe kanë pozita dytësore, dhe aty kur kanë pasur apo kanë ndonjë pozitë të rëndësishme udhëheqëse, ka qenë pasojë e pazarit të koalicionit qeverisës, dhe jo e vullnetit – dëshirave të partive me shumicë maqedonase.

Për këtë arsye i takon partive me shumicë maqedonase, siç është në këtë rast LSDM-ja, të promovojë konceptin qytetar me kandidat jomaqedon, posaçërisht me kandidat shqiptar, dhe jo ta shesë konceptin qytetar në disfavorin tone ose etnive tjera, apo siç thotë populli “ta shesë sapunin për djathë” me kandidat maqedon. I takon LSDM-së sepse edhe ka një numer të madh të votuesve shqiptar të përfituar po me propagandën e ketij koncepti të lartëshënuar.

Prandaj kandidimi i Pendarvoskit nuk mund të dëshmojë konceptin e shoqërisë qytetare, të propaganduar jo pak herë nga LSDM-ja. Madje edhe terminologjia “presidenti konsensual” nuk është adekuate, pasi Pendarovski është kandidat konsensual i koalicionit qeverisës dhe disa partive gati inekzistente, dhe jo një kandidat konsensual i përgjithshëm. Kështu që çdoherë duhet theksuar emërtimi – kandidat konsensual qeverisës, i partive qeverisëse apo x forcave politike.

Megjithatë, pavarësisht se kandidimi i Stevo Pendarovski nuk është koncept qytetar, në këto rrethana, ai është kandidati më i mirë i mundshëm për shqiptarët, dhe kjo për disa arsye: E para, për arsye të dështimit të faktorit shqiptar që të kandidojë unanimisht kandidatin e vetë shqiptar, kjo me fajin e opozitës shqiptare; E dyta, për arsye se opozita shqiptare me mbështetje të kandidatit të pavarur Blerim Rekës, ka qëllim jo zgjedhjen e presidentit si qëllim final, as propagandën e ngritur – votë për shqiptarët, por fuqizimin dhe demonstrimin e saj politik, të cilën ajo lirisht mund ta vazhdonte pas këtyre zgjedhjeve presidenciale, dhe jo të përdorë situatën në interes të rritjes partiake, edhe duke e ditur se Reka nuk kalon në rrethin e dytë zgjedhor. Arsyeja e tretë, ka të bëjë me atë se Pendarvoski është pazar politik i partive qeverisëse shqiptare me LSDM-në, që shqiptarët si kompenzim i votës së dhënë, të marrin sigurisht ndonjë post të rëndësishëm në aparin shtetëror, siç përflitet për Guvernatorin e Bankës së Maqedonisë, apo tashmë Maqedonisë se Veriut, por edhe që ai të jetë fitues mbi kandidatin e VMRO-se, për të stopuar një Ivanov të ri. Njëkohesisht të jetë një kandidat bashkëpunues në projekte të duhura për qytetarët e vendit, veçanërisht shqiptarët.

Tani për tani kjo del që është zgjedhja më e mirë. Në zgjedhje të tjera shqiptaret le të tejkalojnë interesat ditore partiake dhe të shkojnë të bashkuar me kandidat të unifikuar shqiptar, për të treguar prej verteti forcën shqiptare, votë për shqiptarin, si dhe kushtëzimin e të tjerëve në favor të interesave sa më të larta shqiptare, apo të ideologjisë së shoqërisë për të gjithë, që promovon partia e Zaevit, e qe të jetë koncept i praktikuar drejt, jo vetëm demagogji.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here