Panucci fton tre lojtarë edhepse e dinte që ata janë të lënduar

0

Kristian Panucci grumbulloi tre lojtarë që rezultonin të dëmtuar disa ditë përpara se Kombëtarja Shqiptare të grumbullohej në prag të miqësores me Turqinë, që do të luhet nesër në Antalia.

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në skuadër se dihej prej ditësh që portieri Thoma Strakosha, si dhe mesfushorët Migjen Basha e Liridon Latifi ishin të dëmtuar dhe do ta kishin të pamundur të luanin në miqësoren me Turqinë.

Mirëpo, çuditërisht ata janë ftuar nga trajneri për të qenë pjesë e skuadrës, edhe pse ishte e gjithë koha e nevojshme për t’i zëvendësuar duke u dhënë shansin tre lojtarëve të tjerë, nga të cilët mund të fitonim diçka.

Një situatë që tregon se organizimi në Kombëtare është kthyer disa vite mbrapa, me gafa trashanike, që tanimë nuk bëhen as në klube të kampionateve të nivelit të ulët.

I pari që la grumbullimin ishte Basha, për të cilën mjekët e Barit kishin njoftuar prej ditësh FSHF-në se e kishte të pamundur të riaftësohej.

Nga ana tjetër, gazeta konfirmoi dje se e njëjta situatë ishte edhe me Strakoshën e Latifin. Këta të fundit lanë rezidencën e Kombëtares pikërisht të shtunën për të vazhduar riaftësimin në klubet e tyre.

“Kanë ardhur të dëmtuar, ishte diçka që dihej. Ajo që nuk dihet është pse trajneri nuk preferoi t’i zëvendësonte, pasi edhe koha premtonte”, tregon për gazetën një zyrtar i lartë i FSHF-së, i cili është gjithnjë pranë Kombëtares./Express/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here