Një marrëzi institucionale “Made in Kosova”

0

Blerim Latifi


Natyra dhe budallaku njerëzor kanë një gjë të përbashkët: lulëzojnë në forma të larmishme. Po lexoja dje broshurën udhëzuese të një “gare në kreativitet kulturor e mendim kritik”, garë e cila thuhet se do të përfshij të gjitha shkollat e Kosovës. Merreni me mend, në tekstin e këtij udhëzuesi, mes shumë “margaritarëve pedagogjikë”, thuhet se gara ka për qëllim të zhvilloj mendimin kritik të nxënësit e klasave të para e të dyta të shkollave fillore. Nuk po tallem! Është dokument zyrtar i Qeverisë së Kosovës. Mban përsipër vulat e shtetit. Por, kushdo që e ka shkru këtë fjali, ka lënë të shihet qartë se nuk ka lidhje as me edukimin, as me arsimimin, as me shkollën, as me psikologjinë kognitive të fëmijëve, e natyrisht as me mendimin kritik. Dhe kjo mund të argumentohet me një fakt fare të thjeshtë : secili që ka një minimum informacioni në këto fusha, e kupton se fëmija i klasës së parë, jo që nuk është në gjëndje të ketë mendim kritik, por as ta kuptoj këtë fjalë. 
Më lejoni pak sarkazmë : në këto momente kur po shkruaj për këtë marrëzi institucionale Made in Kosova, themeluesve të vdekur të filozofisë së edukimit janë duke ju lëkundur eshtrat në varret e tyre të harruara. Ata na mësojnë se mendimi kritik është shenjë e pjekurisë së njeriut, dalje e njeriut nga papjekuria, siç thotë Kanti, prandaj mendimi kritik në vendet normale është subjekt edukimi për moshat e adoleshencës dhe studentët, e jo për fëmijët e sapodalë nga çerdhet.
Por ç’e do, marrëzia nuk pyet për ligjet e zhvillimit psikofizik të qenies njerëzore. E pastaj çuditemi pse të rinjët tanë po bijnë viktimë e ideologjive të mbrapshta dhe kauzave të dyshimta!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here