Ndodhi e pamendueshmja për Gjermaninë e pasluftës

0

Nga Jenny Hill

Angela Merkel dukej e lodhur dhe e tensionuar, teksa mbërrinte në selinë qendrore të partisë së saj, mbrëmjen e djeshme pas përfundimit të votimeve. Duke dalë nga makina, ajo u përpoq të sajojë një buzëqeshje, fillimisht për kamerat dhe më pas për besnikët e partisë, që ishin mbledhur në selinë qendrore të CDU. Kancelarja e dinte që gjasat ishin që do t’i fitonte këto zgjedhje. Por nuk është fitorja që kishin shpresuar ajo, apo partia e saj. Është rezultati më i keq zgjedhor i konservatorëve, nën udhëheqjen e saj. Një verdikt ndoshta, ndaj vendimit të saj për të hapur dyert e Gjermanisë për një milion refugjatë. Duke iu drejtuar partisë, Merkeli e pranoi se katër vitet e fundit kanë qenë të vështirë. Megjithëkëtë, partia sërish e ka arritur objektivin e saj – është e para. Brohoritjet ishin pak si të zbrazëta. Sepse historia e vërtetë e suksesit në këto zgjedhje i takon AfD-së. Në anën tjetër të qytetit, në një sallë të mbushur me tollumbace blu dhe të bardha, anëtarë të partisë anti-imigrantëve dhe anti-euros brohorisnin, teksa bëhej e qartë se jo vetëm që do të hynin në parlamentin gjerman për herë të parë, por edhe se do të jenë partia e tretë më e madhe në Bundestag, pas konservatorëve të Merkelit dhe rivalëve të saj më të afërt, socialdemokratëve të SPD. Alexander Gauland është një prej udhëheqësve të AfD – dhe tani një prej deputetëve të saj. Triumfalisht, ai iu drejtua një turme që festonte, duke thënë se partia e tij do i qepej pas Merkelit. “Të rimarrim vendin dhe popullin”: për një Gjermani të pas Luftës së Dytë Botërore, është një retorikë e pazakontë. Por pastaj fushata tejet ksenofobe e AfD, si dhe pyetjet e pakëndshme që shoqëruan të gjithë fushatën e Merkelit, janë gjithashtu pothuaj të paprecedenta. Jashtë partisë që festonte, policia mbante nën vëzhgim protestuesit e AfD, që demonstronin kundër atij që për shumëkënd, është një zhvillim politik tronditës. Ishte një ditë kaotike për politikën gjermane. Dhe për Berlinin gjithashtu, i cili organizonte maratonën e përvitshme, ndërkohë që votuesit shkonin të votonin. Ka ndarje, pakënaqësi në zemër të këtij vendi. Mes turmave që shihnin maratonomakët të kalonin finishin, një burrë më tha se ishte i tmerruar prej ngjitjes së nacionalistëve të krahut të djathtë. “Ata janë si nazistët nën Hitlerin”, tha ai.
“Unë kam lindur në 1939. Jam fëmijë i luftës. Jam rritur në rrënoja dhe tani na rikthehet prapë kjo gjë. Ata janë kriminelë. Gjithmonë kam votuar CDU-në dhe Angela Merkelin”. Tani, Merkelit i duhet të gjejë partnerë koalicioni. Mos prisni që të ftojë AfD-në. Ajo duhet të bindë gjithashtu vendin e saj – ndoshta edhe disa brenda partisë – se është gruaja e duhur për këtë punë. Ka qenë një fushatë elektorale e gjatë dhe plot goditje. Merkeli mund të ketë fituar zgjedhjet, por kjo nuk ndjehet shumë si fitore. Këto zgjedhje do të hyjnë në librat e historisë për dy arsye. Angela Merkeli mund të ketë fituar një mandat të katërt, por është rezultati i saj më i keq historik. Dhe nacionalistët e krahut të djathtë janë tashmë pjesë e establishmentit gjerman. Ajo që është politikisht normë në shumë vende të tjera evropiane, konsiderohej e pamendueshme në Gjermaninë e pasluftës. Jo më. (BBC – Bota.al)

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here