Lumezi: Duan të më shkatërrojnë përmes një të korruptuari

0

Kërcënime për shkatërrim, i ka quajtur Kryeprokurori Aleksander Lumezi, pretendimet për falsifikim të dosjes së tij të provimit të jurisprudencës. Vetë Lumezi ka folur për këto akuza në hapjen e “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”.

“Organi i akuzës dhe Kryeprokurori i Shtetit, para disa ditëve, janë goditur nga një i dënuar për korrupsion, e që janë duke u mbështetur edhe nga disa grupe të interesit, të cilët shpesh herë flasin në emër të drejtësisë e në të vërtetë dëshirojnë ta shohin të dështuar sistemin Prokurorial të Kosovës, duke imagjinuar dhe shpifur situata të pavërteta”, ka thënë Lumezi në konferencën e organizuar në një nga hotelet në periferi të kryeqytetit.

Ai është zotuar se nuk do të lejojë që akuzat e bëra ndaj tij të denigrojnë sistemin Prokurorial në Kosovë.

“Ju sigurojë që unë kurrë nuk do të lejoj të denigrohet institucioni i Prokurorit të Shtetit, e as puna ime me akuza të sajuara, e as kurrë nuk do të zmbrapsem e frikësohem nga kërcënimet për shkatërrimin tim”, tha Lumezi në fjalën e tij.

Sërish Kryeprokurori i Shtetit ka përsëritur se gjitha pretendimet e fundit, që pasuan me një hulumtim nga dy media, janë iniciuar nga një i dënuar për korrupsion, duke iu referuar ish-kreut të Kushtetueses Enver Hasani.

“Unë besoj në fuqinë e drejtësisë dhe me këtë besim deri në fund do ta ushtroj detyrën time, ashtu si e lejon Kushtetuta dhe ligji i vendit tonë dhe gjithnjë do të kërkoj që problemet juridike të zgjidhen nëpërmjet rrugëve juridike, e jo nëpërmjet kuazi hulumtimeve me qëllime të ulëta nga personi i dënuar për korrupsion”, ka deklaruar Lumezi.

Enver Hasani, javën që shkoi, pasi u shpall aktgjykimi dënues ndaj tij për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, sa ishte rektor i UP’së, akuzoi publikisht Aleksandër Lumezin se e ka të falsifikuar provimin e Jurisprudencës. Pas këtyre akuzave, emisioni “Betimi për Drejtësi” dhe KTV-ja publikuan një hulumtim për dosjen e Lumezit në Arkivin e Kosovës.

Sipas hulumtimit, emri i Aleksandër Lumezit është shkruar në tri variante në dosjen e tij, në tri dokumente të ndryshme. Kjo dosje dy ditë pas raportimeve u mor nga Arkivi i Shtetit për t’u bartur për hetime në Prokurori.

Sipas këtyre dy mediave, nën efektin e dritës vërehet qartë se në dosjen e jurisprudencës nën emrin e Lumezit figuron një tjetër emër, ai i Zymer Krasniqit nga Deçani, numri i të cilit përputhet edhe me dosjen e provimit të dhënë nga Kryeprokurori në prillin e vitit 1991.

Zymer Krasniqi sot mban mbiemrin Tahiri dhe jeton në Gjermani. Gazeta Express të shtunën ka publikuar rrëfimin e vëllait të tij, Ismet Tahiri nga Prapaqani i Deçanit.

Ismeti, ka thënë se është çuditur kur ka parë në media se emri i familjarit të tij del të jetë i përfshirë në falsifikimin e dosjes së jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

I njëjti ka lënë të hapur mundësinë që t’i drejtohen EULEX-it për padi ndaj Kryeprokurorit.

Zymer Krasniqi kishte punuar si praktikant në Gjykatën e Deçanit për gati një vit. Sipas të vëllait, ai kishte kryer jurisprudencën dhe ishte larguar për në vendet e BE-së, duke marrë me vete vetëm diplomën. Dhe, duke i lënë të gjitha dokumentet e shkollimit dhe ngritjes profesionale në Gjykatën ku kishte bërë praktikë.

Koha kur Zymeri ishte larguar nga Kosova dhe kishte ndërruar mbiemrin me katër vëllezërit, është viti 1991, kur edhe ai kreu provimin e jurisprudencës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here