Kakofonia e lakmisë për pushtet

0

LULJETA ALIU

Seanca konstituive e Kuvendit, në vazhdën e saj të pestë, ishte, mbi të gjitha, një tallje me qytetarët e Kosovës. Tallje e njëjtë, e përsëritur, në stilin  „prit magar dej sa t’del bar!“. Që nga seanca e parë qytetarët mbeten të stepur nga ndërprerjet. Seanca u mbyll në vend se të vazhdohej. Ishte një lapsus teknik nga kryesuesi i Kuvendit, i cili nga PAN-i u keqpërdor për ta stërzgjatur të gjithë këtë cirk politik për mbi dy muaj. Datën e seances së djeshme e propozuan vetë PAN-i, vetëm e vetëm për të kërkuar edhe dy javë të tjera kohë, meqë, siç e tha Enver Hoxhaj, kandidatin e kanë, por jo edhe shumicën e nevojshme për ta zgjedhur atë.

Koalicioni PAN qartazi dhe me plot vetëdije lë të kuptohet se nuk dëshiron të lëshojë pushtetin, edhe pse e ka kuptuar se nuk e bën dot qeverinë. Vetë deklarimi se e kanë kandidatin, por jo numrat tregon se më në fund e kanë kuptuar. Dhe në vend se ta konsumojnë të drejtën e tyre për ta propozuar për votim kandidatin ata kërkojnë më shumë kohë. Nuk ka si të dëshmohet më bindshëm se gjithë kjo bujë krijohet shkaku i lakmisë së tyre për të qëndruar akoma në pushtet.

Mirëpo as koalicioni LAA, në anën tjetër, përkundër posturës dhe deklarimeve të tyre se dëshirojnë të zgjidhin krizën politike, nuk po dëshmojnë se e kanë me gjithë mend. Pritjet se do të ketë një marrëveshje mes LAA dhe VV për të krijuar një bllok të përbashkët, i cili do të zgjidhte krizën aktuale politike, po shuhen nga vetë mosiniciativa apo hezitimi i tyre për bashkëpunim.

Këto manovra politike po bëhen ekskluzivisht për interesa partiake dhe personale, duke lënë anash interesat shtetërore dhe të qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur për hamendjet dhe kalkulimet e interesave partiake. Kur PAN-i në foltore moralizon se vendit i duhet të ketë kulturë konsensusi e koordinimi, atëherë termi konsensus, i cili i përket një vokabulari të një kulture të mirëfilltë demokratike, në këtë rast thjeshtë përdoret për të përligjur veprime të një kaste autokratike, e cila synimet e saj politike i fsheh prapa një fjalori diplomatik.

Konsensus kërkohet në raste kur ka mendime të ndryshme për një temë të caktuar e cila është diskutabile. Ndërsa për votat e nevojshme për tu zgjedhur në një pozitë të caktuar politike nuk nevojitet dhe nuk mund të kërkohet konsensus. Ato janë të caktuara paraprakisht dhe nuk janë në tavolinë negociatash. Deklaratat se me çdo kusht duan t’i realizojnë rezultatet e zgjedhjeve, të cilat i’a japin të drejtën të propozojnë kryeparlamentarin dhe pastaj kryeministrin dhe që nuk janë për zvarritje, e në anën tjetër kërkojnë prapë shtyrje „më shumë se 10 ditë e më pak se 14 ditë“, nuk kanë si të kuptohen ndryshe, pos si hipokrizi dhe lyerje goje me mjaltë.

Paraqitja e z. Enver Hoxhaj në emër të PAN-it dhe fjalimi i tij ishte një thurje argumentesh të stilit diplomatik par excellence. Por seanca nuk ka qenë e thirrur për këso fjalime dhe propozime për konsenus dhe prandaj ishte një tallje me qytetarët. Shumë e bukur thënia e z. Hoxhaj, se politika bëhet mes asaj çfarë është e drejtë dhe çfarë është e mundshme. Të drejtën e kishin ta propozojnë kandidatin sikurse e kishin edhe mundësinë e propozimit. Por nuk e konsumuan këtë të drejtë. Sepse nuk e kërkojnë vetëm të drejtën, por të pamundshmen (krijimin e qeverisë me këta numra) duan ta bëjnë të mundshme me zor.

Pyetja është se pse nuk e bënë? Si duket koalicioni PAN e ka nuhatur hezitimin e koalicionit LAA për bashkëpunim me VV, dhe pikërisht këtë po e shfrytëzon. Në ndërkohë, eksponentë të LDK-së e kritikonin AKR-në për përafrimin e saj me PAN-in, e në anën tjetër LDK-ja nuk bëri asnjë marrëveshje me VV, e cila do të mundësonte marrjen e qeverisë po qe se PAN-i dështon ta formojë atë. Pra, edhe nga vetë LDK-ja nuk kemi ndonjë sinjal se e kanë seriozisht të gjithë këtë teatër që po e paraqesin në kuvend.

Vetëvendosja në anën tjetër nuk do të kishte qenë e nevojshme të rrezikojë bashkëpunimin me LAA me akuzat ndaj z. Isa Mustafa, edhe pse është e kuptueshme indinjata e tyre, meqë z. Mustafa nuk ka bërë asnjë lëvizje për t’u afruar me VV, megjithë deklaratat e eksponentëve të LDK-së se mund të kishin një bashkëpunim me VV.

Si përfundim, mund të thuhet se si PAN-i, poashtu edhe LAA, lënë përshtypjen se dëshirojnë ta zvarrisin këtë gjendje akoma. Mbase për kalkulimet e tyre për zgjedhjet lokale. Qëllimi i tyre mund të jetë që të dilet edhe njëherë në zgjedhje nacionale, por të cilat, përkundër shpresave të tyre, nuk do ishin zgjidhja e tyre me e mirë. E gjithë seanca konstituive thjesht ishte një kakofoni e neveritshme e lakmisë për pushtet. Dhe ne prapë duhet të jemi dëshmitarë të një seance të radhës e të presim deri sa të del bar.

(S’bunker)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here