Interpoli dhe futbolli

0

Fadil LEPAJA

Kiribati and Vanuatu, janë dy vende të vogla, diku në paqësorë, të cilat u pranuan këto ditë në INTERPOL, ndërkohë që Kosova nuk arriti të mbledhë numrin e mjaftueshëm të votave, për të qenë anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare të policisë. Kështu, këto dy vende, nuk kanë nevojë për ndonjë fitore në futboll, sikurse që u duhet vendeve ballkanike sa herë që u luhatet vetëbesimi.

Mund të jetë arsyeja e suksesit të tyre, se ata nuk kanë fqinjë dashakeq, të cilët krejt suksesin e tyre e matin me damin që ua bëjnë fqinjëve të tyre. Nuk ka gjasa që këto vende të kenë polici më të përgatitur, se Kosova, edhe pse policia e Kosovës, sidomos kreu nuk është aq për tu lavdëruar.

Sidoqoftë, futbolli po na ecë, sikurse edhe xhudo dhe sporte tjera. Edhe për të kënduar… por opozita nuk e ka disponimin për këngë. Po kërkon dorëheqje të kreut të shtetit, duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministri i jashtëm…! Nuk dinë as të këndojnë as të luajnë futboll. As xhudo!

Dëmi i fqiut, është sukses i yt, kështu mendojnë serbët, të cilët e festuan si e do rendi, dështimin e Kosovës, për çka si e pohojnë edhe vet, ata kanë merita të veçanta. Sidomos, merita kanë miqtë e tyre , të cilët nuk e votuan Kosovën. Kush e hedh një gurë në drejtim të Kosovës, ose kush e heq një gurë nga themelet e shtetit të Kosovës, me automatizëm bëhet mik për kokë, i Serbisë.

Si edhe dihet, për të gjitha dështimet tona fajtore është Serbia, ndërsa politika ka merita të mëdha për sukseset e Rita Orës, Majlinda Kelmendit, Dua Lipës, Erës, … për të gjitha tjerat, sidomos për sport, për futboll, ku kombëtarja …. Pra edhe kur bon, bon, edhe kur nuk bon, prap bon…!

Nejse, Serbia, për dallim, nuk ka fare kombëtare në futboll. As që bëjnë debate lidhur me këtë çështje siç ndodhë ndër shqiptarët. Ata kanë një përfaqësuese. Kur luan Serbia, serbët mblidhen nëpër kafene apo ndeja familjare, për të shikuar ndeshjet, dhe është sport nacional të pinë shlivovicë, të shajnë Shaqirin, dhe të përbetohen se nuk e japin Kosovën.

Me këdo që të ndeshen, sportistët serb, tifozët e tyre, hedhin slogane për Kosovën. Me shumë gjasë, pa në armiqësinë me Kosovën, do të kishin shumë më pak , ose fare, vëmendje ndërkombëtare. Kjo atmosferë shihet njëjtë si në Beograd, ashtu në Mitrovicën e veriut, apo në Banja Llukë, apo kudo ku jetojnë serbët.

Kur luan kombëtarja shqiptare, pranë ekraneve , shqiptarët festojnë pak a shumë njëjtë, pra bëhet qejf me meze, pastaj flitet për reprezentuesit zviceran, të cilët e dëmtuan rëndë shpirtin serb, me çka krenohemi të gjithë, pasi qysh e dimë, ata, për interes të kombit e larguan Serbinë nga kampionati botëror në Rusi. Kjo prej tradhtarëve, i ktheu në patriot.

Ndërsa, për serbët do të ketë qenë humbja më e rëndë, pas betejës së Kosovës, me 1389. As sot e kësaj dite, ata nuk e falin, Shaqirin, sidomos për valëvitjen e shqiponjës pas golit, dhe për pasojë, ai nuk udhëtoi në Beograd, me Liverpulin.

Në të vërtetë, për dallim prej serbëve të cilët nuk kanë kombëtare, por e kanë një përfaqësuese , shqiptarët, kudo që jemi, shpesh i shohim këto ndeshje me pilot në dorë, duke e kaluar kanalin aty ku luajnë Shqipëria, Zvicra, Maqedonia, apo Kosova, pra aty ku lojtarët shqiptar e bëjnë lojën.

Te ne, ka kohë që ka debate, se cila është përfaqësuese e cila kombëtare, ndërkohë që dilemat po rriten edhe më tej, duke pasur parasysh shkëlqimin futbollistëve të Kosovës, dobësimin e tifozerisë “kuq e zi”, e cila fuqinë e kishte tek kosovarët, dhe fuqizimin e “Dardanëve”.

Krejt kjo mund të jetë edhe si pasojë e rënies në formë të Shqipërisë, e mbase edhe të disa masave (jo sportive) të qeverisë Rama por kjo nuk është tema jonë e sotme. Mund të thuhej se po bëhemi me dy kombëtare, sikur Kosova të përjetohej në Shqipëri ashtu si përjetohej Shqipëria në Kosovë. Më shumë ka gjasë se po hyjmë në një fazë rivaliteti, sportiv, dhe kjo mund të jetë mirë edhe për politikën.

Sido që të jetë, nëse edhe në ndeshjen e Kosovës, me Maqedoninë Veriore do të jetë aq e suksesshme, opozita s’ka përse kërkon rrëzim të qeverisë, edhe për një kohë, sepse një sukses në sport apo kulturë, ngritë krenarinë kombëtare, vetrespektin, të lënduar, më shumë se çfarëdo suksesi politik. Situata, pra, aty ku ndërlidhet sporti, politika, identiteti, pak a shumë paraqitet kështu: Edhe Serbia po shkon në ligën B, ndërsa Kosova po ngjitet në ligën C, ndërkohë që Shqipëria po bie më poshtë. Shqipëria dhe Serbia janë në OKB, UNESCO, INTERPOL… ndërsa Kosova ka veç vetveten.

Për me përmbledhë , këtë bisedë të shkapërderdhur, në futboll e politikë, e cila në fakt përflet marrëdhëniet e ngarkuar, serbo – shqiptare, në përgjithësi dhe Serbi-Kosovë në veçanti, mund të themi se një politikë në Kosovë apo Serbi mund të dështojë në të gjitha planet dhe të kalojë pa pasoja, vetëm nëse në futboll, apo në ndonjë “aktivitet kundër” dalin të fituar. Kur humb njëri fiton tjetri, kjo është logjika e çoroditur e politikës fqinjësore e cila pretendon të integrohet në Evropë.

Kjo fitore, e Kosovës, pas asaj në Maltë, do të ruaj vetëbesimin e Kosovarëve, edhe përkundër dështimit në politikën e jashtme, e në shumë vende edhe në të brendshmen. Është dëshmuar se sportistët, këngëtaret, dhe artistët në përgjithësi janë ambasadorët më të mirë të politikës së jashtme kosovare.

Mbase do të ishin më të mirë edhe në politikën e brendshme, në institucione, sikur të kishin ambicie për këtë. Qytetarët padyshim janë më të talentuar se oligarkia e cila kontrollon gjithçka. Ajo që është e sigurt është se politika nuk e përfaqëson aspak shpirtin kreativ të kosovarëve, as talentin e tyre. Prandaj politika mund të fshihet pas sporti, kulture, ndërkohë që këto mund të mbështeten veç në ambicien, talentin dhe punën e tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here