Ikja pa zhurmë e endacakut të pafajshëm

0

Nga Ilir ÇUMANI

Në edicionet e lajmeve të mbrëmjes, përmes kronikave të zeza, disa televizione transmetuan një lajm të shkurtër, që bënte fjalë për vdekjen e një endacaku 54-vjeçar në qytetin e vogël bregdetar të Sarandës. Sipas lajmit që u transmetua, u tha se vdekja i kishte ardhë si shkak i të ftohtit të acartë dhe kushteve tejet të vështira në të cilat ai jetonte. Mediat, duke mos qenë të sakta me burimin e lajmit, e komunikuan ndryshe emrin e viktimës, që në fakt, emri i tij i vërtetë është Leonard Arapi.

Kaq u tha për fatkeqin, për të cilin, drama e jetës e të ndjerit i kalon përtej caqet e një dhimbjeje njerëzore, ngase historia e jetës së tij  lidhetpazgjidhshmërisht me dhjetëra e qindra ngjarje tragjike bonjakësh.

Si për ironi, këto foto të vetme të jetës së tij (të cilat shoqërojnë radhët që po shkruaj), kanë fiksuar në celuloid momentet më kulmore që fati i trishtë ia serviri jetimit të gjorë, dhe që në asnjë çast të vetëm nuk do t’i falte kurrë buzëqeshje. Përmes këtyre fotove, dokumentohet qartazi klithma e dramacitetit e njeriut të vetmuar dhe të shumëvuajtur, që nuk njohu dashuri, nuk ndjeu ngrohtësi, nuk provoi mirësi, nga lindja e deri në vdekje. Nardi erdhi në jetë në një pragdimri të ftohtë si ky, të vitit 1962, i braktisur në një dhomë të maternitetit të Tiranës.

I braktisur nga një nënë që nuk dihet se cila ishte, por që nuk do ta kishte fatin të gëzonte foshnjën e saj. Nuk dihen arsyet e kësaj braktisjeje, por një gjë ishte i sigurt: për foshnjën e pafat, do të niste kalvari i gjatë i sakrificave dhe privacioneve sfilitëse e torturuese, duke u endur dyerve dhe korridoreve të zhurmshme të institucioneve të jetimoreve të kohës, pa ditur psenë e shumë pikëpyetjeve të asaj braktisjeje që do ta mundonte gjatë gjithë jetës së tij.

Leonardi, mes shumë bashkëmoshatarëve të të njëjtit fat, po rritej dita-ditës nga disa gra dhe punonjëse të dashura e të dhembshura që npunën e tyre të përditshme ia kishin përkushtuar kujdesit dhe mirërritjes së këtyre fëmijëve të pafajshëm. Shkollën fillore dhe 8-vjeçare e kreu në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. Ishte një fëmijë shumë i zgjuar, i dashur dhe i shoqërueshëm me shokët dhe me shoqet, të cilët aty në jetimore i konsideronte të gjithë motra e vëllezër.

Më pas, do të mësonte profesionin e gurëgdhendësit në një shkollë profesionale në Korçë, profesion që e përvetësoi dhe e bëri mjeshtër të zot në këtë zanat. Mirëpo, ndërrimi i sistemit e gjeti të riun jetim Leonard Arapin të papërgatitur, në mes të katër rrugëve, pa shtëpi, pa punë, pa të ardhura, pa asnjë mbështetje. Jeta e vuri përballë një sprove edhe më të vështirë.

Tash e tutje i duhej të përballej i vetëm me të gjitha vështirësitë dhe problemet për të mbijetuar. Në kaosin e tranzicionit shqiptar, viktimat e para ishin pikërisht ata, jetimët, të cilët nuk do të gjenin ashtu si dikur në zyrat e shtetit dashamirësinë e institucioneve që duhet të përgjigjeshin për nevojat dhe zgjidhjen e halleve dhe problemeve që kishin.

Mes tyre, nuk bënte përjashtim edhe Leonardi, i cili e ndiente në lëkurën e tij ftohtësinë e hipokrizisë, shpërfilljen, injorimin, përbuzjen e zyrtarëve të shtetit kur trokiste derë më derë dhe kërkonte punë apo një strehë ku të fuste kokën. Kudo që shkonte, i përplasej dera në fytyrë.

Ehhh, kjo botë e egër me shpirtra të tharë, nuk e ka për turp të shoh jetimin kokulur dhe të poshtëruar, kishte menduar sa e sa herë me vete, Leonardi. Duke humbur shpresat për ndihmë, mes përpjekjeve rraskapitëse e torturuese për mbijetesë, ai vendosi të mbyllet në vetvete dhe t’i nënshtrohej mjerisht fatit, duke zgjedhur të bëjë jetën e një endacaku vetmitar.

Gjendja e mjeruar sociale dhe kequshqyerja, dalëngadalë do ta invalidizonte duke e bërë pacient të përjetshëm dhe që do të vuante më pas disa sëmundje, njëra pas tjetrës. Prej vitesh jetonte në rrënojat e një ndërtese si invalid, ku çfarë binte jashtë, hynte brenda. I pafuqishëm për t’ia dalë mbanë, i paasistuar nga shteti për të përfituar së paku një ndihmë ekonomike, ai zgjodhi këtë mënyrë jetese, ngase Nardi për karakterin dhe edukimin që kishte, kurrë nuk do të pranonte t’u nënshtrohej rrugëve të pandershme; vjedhjeve, mashtrimit, trafikut, prostitucionit, drogës…

Leonardin e njohin të gjithë në qytetin e Sarandës. Të gjithë bashkëqytetarët ndienin dhembshuri e respekt për të, secili prej tyre, sipas mundë- sive, e ndihmonin me ushqim e veshmbathje. Vetëm ata që e kishin dhe e kanë për detyrë të interesoheshin dhe kujdeseshin për të, ishin zyrtarët e shtetit dhe të pushtetit lokal, atje në Sarandë, të cilët, për fat të keq, tregoheshin shpesh indiferentë, gjithmonë e më shumë të huaj për të.

Ashtu si për çdo jetim të këtij qyteti, Sokolin, Linditën, Shpëtimin, Mirandën, Kristaqin, Majlindën, Petritin, Arbenin etj,, këta zyrtarë lokalë, gjithmonë e kanë bërë një vesh shurdh e një sy qorr edhe për fatkeqin jetim, sepse për ta, Leonard Arapi nuk ka ekzistuar dhe nuk ekzistonte asnjëherë.

Edhe pse ligji “Për Statusin e jetimit” u jep përparësi të gjithë jetimëve që të ndihmohen dhe përkrahen nga shteti me strehim dhe punësim, ky ligj kurrë nuk ka gjetur zbatim nga agjencitë e ligjzbatuese të përfaqësuara nga njerëzit e shtetit dhe të pushtetit. Për sa kohë politika do të tregohet e ftohtë, e padhembshur, arrogante, hipokrite dhe demagoge me shtresat në nevojë, për aq kohë do të kemi viktima ta pafajshme si jetimi Leonard Arapi, të cilët zgjedhin në mënyrë të parevokueshme, por pa dëshirën e tyre, të ikin për fare nga kjo botë, pa zhurmë, duke na lënë pas në mënyrë kolektive njollën e zezë të një krimi të shëmtuar social dhe antihuman.

Ikja e Tij, në heshtje dhe pa bezdisur askënd, është protesta më e lexueshme kundër një regjimi pa sistem vlerash, e një administrate shtetërore luksokrate, e ndërtuar mbi një padrejtësi dhe hendek social, kundër kulltukofagëve shpirtzinj dhe pa sentiment njerëzor, që përdorin dhe keqpërdorin pushtetin duke jetuar në një luks të shfrenuar mbi fatkeqësinë e shumicës, të më të dobëtëve të shoqërisë.

Ikja e Leonardit ishte vdekja e paralajmëruar e një njeriu pa faj, por që faji i tij i vetëm ishte pse mbeti jetim, është protesta më e paqtë që na bën të ndihemi me turp dhe të shohim veten në pasqyrë të gjithë së bashku, por njëkohësisht, sa nuk është vonë, të mundemi të reflektojmë si shoqëri ndaj atyre që kanë në dorë fatet tona… Deri atëherë, u prehsh në paqe, o engjëll i mirë i Zotit, dëshmitar i vuajtjes dhe i dhimbjes Njerëzore…!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here