Hyrje në historinë e gënjeshtrave për UÇK-në

0

BLERIM LATIFI

Sqarime filozofike

Ka debate të mira dhe debate të këqija.

Një debat i mirë është ai në të cilin palët e përfshira udhëhiqen nga motivi për t’i qartësuar çështjet dhe dilemat për të  cilat flitet. Një debat i mirë është mbledhje e copave të së vërtetës, të shpërndara nëpër folës të ndryshëm, me qëllim që në fund të krijohet një tablo sa më e plotë e fakteve, përshkrimin e të cilave e quajmë – të vërtetë.

Debati i keq është ai që bën të kundërtën e kësaj. Debati i keq bëhet për t’i ngatërruar edhe më shumë çështjet për të cilat publiku dëshiron të jetë i sqaruar. Debati i keq është shumëzim i gënjeshtrave, sipas asaj devizës së famshme të Niçes, e cila thotë se – për të mbrojtur një gënjeshtër, je i detyruar t’i shpikësh dhjetë të tjera.

Duket qartë se debati aktual për listat e fryra të veteranëve të UÇK-së është duke marrë kahjen e një debati të keq. Nëse mungon vullneti i mirë për ta ndryshuar këtë kahje, rezultati final pashmangshëm do të jetë i keq: publiku nuk do ta kuptojë të vërtetën; problemi nuk do të zgjidhet dhe mashtruesve do t’u mbetet privilegji i të festuarit.

Historia e UÇK-së

Mund të gaboj, por më duket se Tim Judah, njëri prej njohësve të mirë të konflikteve të armatosura që pasuan rënien e Jugosllavisë komuniste, ka dhënë përkufizimin për UÇK-në si “guerilja më e suksesshme në historinë moderne”. Suksesi i saj befasues ka nxitur një numër të madh autorësh që të merren me të. Ka një literaturë të madhe, në të cilën përfshihen artikuj, studime, hulumtime dhe ese për UÇK-në, por deri me sot ende nuk kemi një histori të saj, të shkruar mbi bazën e standardeve shkencore të historiografisë bashkëkohore. Kemi një Noel Malcom për historinë e Kosovës, por na mungon një i tillë për historinë e UÇK-së.

Gënjeshtrat për UÇK-në

Lindjen, rritjen, masivizimin dhe në fund edhe shpërbërjen e UÇK-së, pandërprerë e ka shoqëruar sajimi i gënjeshtrave për të. Aq të shumta kanë qenë këto gënjeshtra, saqë sot fare mirë mund të shkruhet një libër voluminoz për historinë e këtyre gënjeshtrave. Ndoshta një ditë do të kemi mundësinë ta kemi në duar një libër të tillë. Në këtë tekst, unë do të ndalem te gënjeshtrat më famoze.

Gënjeshtra e parë

Kur filluan aksionet e para të UÇK-së, aty rreth mesit të viteve ’90, të shekullit të kaluar, Kosova ishte e mbyllur krejtësisht në kursin e rezistencës paqësore. Zërat që flisnin për një kurs tjetër ishin të paktë dhe askush nuk i dëgjonte. Kryengritja e armatosur kundër Serbisë konsiderohej aventurë e çmendur. Jetonim duke shmangur shikimin e policit serb, në pritje të remitencave nga njerëzit tanë të ikur në Perëndim dhe ëndërronim ditën kur mbi qiellin e Kosovës do të shfaqej shpëtimtari për të na nxjerrë nga kthetrat e gjakosura të aparatit policor të Millosheviqit. Në këtë situatë, u sajua gënjeshtra e parë për UÇK-në: UÇK-në e ka krijuar shërbimi sekret serb, me qëllim që ta nxisë braktisjen e rezistencës paqësore. Ata që e shpërndanin këtë gënjeshtër, njëkohësisht shërbeheshin me thirrjen e famshme të asaj kohe: duroni, mos bini në provokim. Nëse polici serb ta jep një shpullë në faqen e djathtë, krejt çfarë duhet të bësh është t’ia kthesh edhe të majtën. Nuk themi ndonjë të vërtetë të padëgjuar kur pohojmë se gënjeshtrën për UÇK-në, si sajesë të shërbimit sekret serb, e kanë krijuar njerëzit e atëhershëm të LDK-së.

Më kujtohet si sot nëntori i vitit 1997. Isha student në Prishtinë dhe vikendeve gjithnjë shkoja në Prekaz. Ato ditë, në Llaushë, kishte ndodhur një shkëmbim zjarri mes policisë serbe dhe një grupi të armatosur. Besniku, djali i axhës tim, tërë kohën mundohej të më bindte se ky grup i armatosur ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Por, unë, i mbushur me dogmat e pacifizmit të Prishtinës, nuk bindesha dot. Me vite nëpër fshat i kisha parë Adem Jasharin dhe një grup të vogël njerëzish, derisa endeshin të armatosur, por as kjo nuk më dukej bindëse. Derisa endeshin të vetmuar natën nëpër Prekaz, Ademi dhe të tjerët, më ngjanin më shumë me kaçakët e dikurshëm të Azem Bejtës sesa me pjesëtarët e një ushtrie, të cilën e nënkuptonte emërtimi – “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Kjo që do ta them tash është një e vërtetë për të cilën është heshtur gjithmonë: Adem Jashari dhe grupi i tij i armatosur me vite e kanë vuajtur propagandën që e cilësonte UÇK-në si sajim të shërbimit sekret serb. Njoh shumë njerëz, që sot thirren në lavdinë e Adem Jasharit, e të cilët, në atë kohë, e quanin njeri të dyshimtë. Vetëflijimi i Adem Jasharit dhe gjithë familjes së tij lidhet shumë me atë situatë. U desh të ndodhte 5 marsi i vitit 1998, që, më në fund, të binte gënjeshtra kriminale për UÇK-në si sajesë serbe.

Gënjeshtra e dytë dhe e tretë

Kur shpërtheu lufta dhe nisi masivizimi i UÇK-së, me anë të luftës së saj speciale, Serbia sajoi dy gënjeshtra tjera për UÇK-në. Njëra e cilësonte UÇK-në si “organizatë terroriste”, dhe tjetra e cilësonte si “organizatë marksiste-leniniste”. Kuptohej, me gënjeshtrën e parë, Serbia donte të legjitimonte operacionet e saj të dhunshme në zonat ku ishte shfaqur UÇK-ja, ndërkaq me gënjeshtrën e dytë të fitonte betejën mediale në botën perëndimore, e cila, në ato vite, po kremtonte fitoren e saj historike mbi marksizmin dhe leninizmin sovjetik.

Gënjeshtra e parë serbe u rrëzua shpejt, për një arsye të thjeshtë: E shtrirë krejtësisht në zonat etnikisht të papërziera, UÇK-ja praktikisht e kishte të pamundur të bënte ndonjë gabim, duke sulmuar popullatën civile serbe, me çka do të jepte argumente në favor të cilësimit të saj si organizatë terroriste.

Sa i përket akuzës për ideologjinë marksiste-leniniste, efekti i saj ishte minimal. Krerët kryesorë të UÇK-së, si Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, e të tjerë, ndonëse ishin rritur politikisht brenda Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila kishte akceptuar një dozë të theksuar ideologjike të enverizmit, nuk e merrnin për zemër këtë dimension. Ata kishin hyrë në Lëvizje në vitet kur komunizmi po diskreditohej gjithandej botës, dhe falë kësaj situate – ata i kishin shpëtuar rënies në dogmatizmin e hershëm ideologjik të LPK-së. Këngët epike për Enver Hoxhën e kishin humbur fuqinë frymëzuese të shumë viteve më parë dhe idealizimi i dikurshëm kosovar i Shqipërisë së Enver Hoxhës nuk mund t’u rezistonte pamjeve të mjerimit të saj real. Përshëndetja me grusht, që u pa aty-këtu në rreshtimet e njësive të UÇK-së, shpejt u zhduk, ngase u cilësua si një simbolikë e tejkaluar. Kur njerëzit e Perëndimit vunë kontaktet e para me strukturat e UÇK-së, ata e panë se këtu nuk bëhej fjalë për një organizatë marksiste-leniniste, por për një guerilë puro nacionaliste.

Gënjeshtra e katërt

Derisa gënjeshtrën e parë e sajoi LDK-ja e asaj kohe, të dytën dhe të tretën Serbia, gënjeshtra e katërt për UÇK-në erdhi nga bota perëndimore.

Në kohën e luftërave etnike që zhvilloheshin në territorin e ish Jugosllavisë, debati për këto luftëra në Perëndim zhvillohej kryesisht mes dy pikëpamjeve: njërës që mbronte idenë se Serbia e Millosheviqit, me ambicien e saj për krijimin e një Serbie të Madhe, ishte shkaktari kryesor i këtyre luftërave, dhe pikëpamjes tjetër, e cila insistonte në idenë se në këto luftëra të gjitha palët ishin agresorë të barabartë, e rrjedhimisht të gjithë po ashtu ishin fajtorë dhe kriminelë.

Nga kjo pikëpamja ka dalë “Doktrina e ekuivalencës së fajit për krimet në ish Jugosllavi”. Qarqet politike dhe intelektuale në Perëndim, që e promovonin këtë pikëpamje, në rastin e Kosovës e sajuan gënjeshtrën për tregtinë e organeve të bërë nga ish drejtuesit e UÇK-së. U sajua legjenda e Shtëpisë së Verdhë në Burrel dhe pamjet e kamionëve të UÇK-së duke bartur të burgosur, mu nën hundën e ushtarëve të KFOR-it.

Dick Marty, mendimtar i dalluar i pikëpamjes për ekuivalencën e krimit në Ballkan, e mori gënjeshtrën dhe e shndërroi në Dokument të Këshillit të Evropës. Ajo që ndodhi më pas dihet nga të gjithë: qendrat vendimmarrëse të Perëndimit që bombarduan Serbinë dhe e çliruan Kosovën, të mbështetura për muri nga “zbulimet shokuese” të Marty-t, u detyruan ta themelojnë Gjykatën Speciale, në mënyrë që me anë të një procesi legal gjyqësor të zbardhet e vërteta e pandehmave të Marty-t. Ka vite që kjo Gjykatë është krijuar dhe ende nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur prej saj. Duket se Gjykata Speciale është duke përjetuar dilemat e devizës niçeane: të shpikë gënjeshtra të tjera, për të mbrojtur gënjeshtrën fillestare, apo të bëjë atë që duhet realisht ta bëjë çdo gjykatë, që vepron mbi bazën e standardeve demokratike të drejtësisë – të tregojë se Shtëpia e Verdhë dhe të gjitha tregime tjera rreth saj nuk janë më shumë se një legjendë urbane, e ngjashme me legjendat gotike të romaneve të shkrimtarit irlandez Bram Stoker, cili mori historinë reale të një sundimtari ballkanik mesjetar dhe prej saj sajoi figurën fiktive të Kontit Drakulla.

Gënjeshtra e pestë

Derisa gënjeshtrën e parë për UÇK-në sajoi LDK-ja, e të dytën dhe të tretën Serbia, të katërtën qarqet proserbe në Perëndim, gënjeshtrën e pestë për UÇK-në e sajuan disa nga vetë komandantët e saj.

Kjo është gënjeshtra për numrin prej 60 mijë veteranëve të UÇK-së. Kjo gënjeshtër është produkt i drejtpërdrejtë i krizës morale dhe ekonomike nëpër të cilën po kalon Kosova e pasluftës. Në kushtet e krizës morale, vlerat simbolike të shoqërisë e humbin gjithë rëndësinë e tyre, ndërsa kriza e tejzgjatur ekonomike i detyron njerëzit të mos jenë shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e mjeteve për qëllimet e tyre të pasurimit, ose përmirësimit të gjendjes ekonomike. Në Ballkan, puna asnjëherë nuk ka qenë burimi i vetëm i pasurimit, sikurse është ta zëmë në vendet e botës protestante.

Pra, siç e thashë më lart, fryrja e listës së veteranëve të UÇK-së, duhet parë në kontekstin e kësaj krize morale dhe ekonomike të shoqërisë. Dhe më duhet ta përsëris: fajtorë për këtë janë disa nga vetë komandantët e UÇK-së. Kuptohet, jo të gjithë, sepse nga logjika e dimë se çdo përgjithësim gjithmonë del të jetë i gabuar.

Tani shtrohet pyetja: pse këta komandantë e bënë një gjë të tillë?

Për mendimin tim, janë tri arsye: Përfitimi personal material, ajo që në gegënishten kosovare quhet “kajtja”, detyrimet ndaj farefisit, dhe, në fund, motivet partiake.

Thënë shkurt e shqip: Listat janë fryrë, sepse komandantë të ndryshëm të UÇK-së u kanë shitur dëshmi të rreme të pjesëmarrjes në luftë individëve të ndryshëm, të cilët me marrjen e certifikatës se rreme kanë dashur të arrijnë një përfitim të dyfishtë – të marrin një pension mujor nga shteti i Kosovës dhe të bëhen pjesë zyrtare e lavdisë së UÇK-së. Një udhë e dy punë, thotë një proverb i vjetër popullor! Vetëm kriza e thellë morale mund ta shpjegojë këtë veprim të komandantëve kundër nderit të UÇK-së: në kushtet e krizës morale, “kajtja” është më e fuqishme se nderi.

Tjetra: ndonëse formalisht dhe institucionalisht ne jemi një shoqëri moderne, në realitetin tonë social ne jetojmë dhe sillemi duke ndjekur kodet paramoderne të fisit. Ne ende nuk kemi arritur ta vëmë shtetin mbi fisin. Sapo e marrim në duar shtetin, gjënë e parë që kemi në mendje është rregullimi i çështjeve të farefisit, duke filluar me zgjidhjen e problemit të papunësisë së anëtarëve të tij. Kjo logjikë i ka shtyrë komandantët e ndryshëm që në listat e veteranëve t’i fusin edhe pjesëtarët e farefisit, të cilët nuk kanë qenë kurrë ushtarë të UÇK-së.

Tjetra: partitë politike, të udhëhequra nga nevoja për të mbledhur sa më shumë vota, në kushtet e një klientelizmi të përgjithshëm që zotëron politikën partiake në Kosovë, në shumë raste kanë lejuar që certifikatat e rreme të veteranëve të përdorën si instrument i blerjes së votës. Tregojnë për një rast në zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën në Kosovë: njerëzit e një kandidati për kryetar komune, në Kosovën qendrore, shkonin shtëpi për shtëpi duke u dhënë qytetarëve certifikata të veteranit të UÇK-së. Motivacioni: nëse voton për ne, ne do të të bëjmë veteran të UÇK-së. Nesër mund të marrësh një pension dhe pasnesër nipërve e mbesave mund t’u tregosh se si ke marrë pjesë në beteja të lavdishme, siç bënte Enric Marco, i cili për 35 vjet kishte arritur ta gënjejë gjithë Spanjën dhe Evropën me historinë e tij të sajuar si i mbijetuar i kampeve naziste të shfarosjes dhe më pas si kundërshtar i madh i regjimit autoritarist të Gjeneralit Franko. Shkrimtari spanjoll Javier Cercas ka shkruar një novelë të shkëlqyeshme për këtë mashtrues dhe do të ishte shumë mirë që kjo novelë t’u dërgohet me postë të gjithë atyre komandantëve që morën guximin të bëjnë mashtrime në listat e veteranëve të UÇK-së. Novela mban titullin “Mashtruesi” dhe falë Bashkim Shehut, mund të lexohet edhe në shqip.

Zgjidhja

Ky problem nuk mund të kalohet në heshtje. Zgjidhja e tij është e domosdoshme. Për dy arsye. E para, shteti nuk mund të lejojë që taksat e qytetarëve të Kosovës të përfundojnë në xhepat e mashtruesve. E dyta, duhet ruajtur nderi i UÇK-së.

Nëse shteti dorëzohet para mashtruesve, mesazhi që do të jepet është i kuptueshëm prej të gjithëve: e ardhmja e drejtësisë në këtë vend është e zymtë dhe nesër askush nuk do të ketë të drejtë të ankohet që njerëzit duan të ikin prej tij. Njerëzit e kanë të vështirë ta kalojnë gjithë jetën e tyre në një vend ku drejtësia është selektive dhe e reduktueshme në të drejtën e të fortit.

Dhe, nëse shteti dorëzohet para mashtruesve, atëherë nderi i UÇK-së do të jetë vështirë të mbrohet, sepse askush më nuk do ta dallojë të vërtetën e saj nga gënjeshtrat për të. Në një rast të tillë, devalvimi i saj do të ishte i pashmangshëm. Pasojat tjera janë lehtë të parashikueshme – Kosova një shtet i dështuar, me të kaluar dhe të ardhme të zymtë. Konica ka një shprehje mjaft të qëlluar për fatin e Shqipërisë: Shqipërinë e krijuan idealistët, e ruajtën rastet, e shkatërruan politikanët. Në rastin e UÇK-së, kjo shprehje mund të thuhej kështu: UÇK-në e krijuan idealistët, e mbështeti Perëndimi, e njollosi “kajtja” e disa komandantëve të saj.

Kjo nuk bën të ndodhë. Zgjidhja duhet të fillojë, së pari me gjestin e publikimit të të gjitha listave të veteranëve. Le t’i shohim secilin prej tyre, me emër dhe mbiemër. Të gjithë. Transparenca nuk bën mrekulli, por hap rrugën që shpie drejt saj.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here