Hidhe armën poshtë!!!

0

Anila HOXHA

Por ne Kuran na thuhet se “Kush vret një njeri është sikur vret krejt njerëzimin dhe kush shpëton një njeri është sikur shpëton gjithë njerëzit “. Kemi vite që po numërojmë të vrarët, kemi vite që shohim drejtorë policie që na numerojnë me statisika, se kështu ky vit pati më pak se kaq përqind i këtij viti! Dhe tronditemi për të harruar shpejt. Për të mos analizuar. Për të mos parë brenda e për të kuptuar realisht çfare po ndodh me shoqërine tonë, qelizën e saj familjen, të rinjtë, ngjarjet përtej Tiranës, atje në fshatrat që nuk janë 100 fshatrat turistike të përzgjedhur, apo në qytetet me jetë të ngecur, ku vritesh edhe për një pasqyrë makine. Ne vazhdojmë vrasim për gardhin dhe shkollat kanë dalë jashtë loje, tradita ka dalë jashtë funksioni. Jeta nuk vlen as 50 lekë.

Naim Gjika para ca vitesh u vra për një vije uji. Nga komshiu. Me armë pa leje. Natyrisht nuk keni si ta mbani mend, se ishte statikisht një i vrarë. Po vrasjen para shume vitesh në Pezë, pse kaloi tymi i kashtës në token e vëllait? Me kallashnikov pa leje. Sërish një i vrare dhe një jetë njeriu s’ka rendësi? U dashkan shumë të reflektojmë! Dakord, kujtoni masakrën e Dajçit. Po lozte me bashkëfshatarët e tij Miklovan Peruni dhe befas iu tha: e dini qe do ju vras? U çua, shkoi nxori nga hambari kallashin dhe qëlloi në mes të lokalit.

Në Strumë të Fierit, Bujar Vrapi shoi familjet e vëllezërve me arme zjarri, një ditë përpara se ata të fejonin mbesën. Nuk e kishin pyetur. Me armë pa leje. Në Xhafzotaj, Leo Nika u zgjua pa humor dhe masakroi prindërit me armë pa leje. Sërish në 2003, po në Durrës u shua një familje nga komshiu, sepse ata harxhonin ujin dhe i ngelej misri pa vaditur. Nuk reflektuam. Po masakrën e Drishtit e mbani mend, nisi viti me krisma vetëm e vetëm pse djaloshi që kishte njohur një vajzë në “Facebook” nuk pranonte familja ta fejonte. Edhe ai nxori kallashin nga hambari i lopës dhe vrau.

A e dini se një në 5 shqiptare mban armë pa leje? Natyrisht që jo, kush do ua thotë, nuk ka ende një studim që t’iu thotë se vrasjet që policia i quan me motive banale, kryhen nga armë të groposura diku.

13 ministra të Brendshëm u betuan se do mblidhnin armët. 13 humbën me sukses! Sepse për të mos thënë çdo shtëpi ka groposur diku një pistolete, pushkë, kallashnikov dhe bëhet fjalë për zonat rurale dhe duhet menduar diçka. Jo me mburrje. Jo me shifra. Por për njerëz. Për ne që po vritemi. Nga vrasës të lindur apo të bërë prej shoqërisë, këtë le të dalin ta thonë elitat, ata që duhet të mendohen mbi kursin dhe modelet dhe shkollën dhe familjen dhe gjithë të tjerat. Nëse nuk jetojmë sot për sot, duhet bërë diçka!

Edhe ti që e lexon këtë status, kupto se ajo arma që ke vënë në gjumë diku, do ta mbushë shejtani një ditë, kështu thoshin pleqtë dikur. Apo as kjo s’të intereson? Kuptoje këtë gjë, një ditë do bëhesh vrasës. Hidhe atë arme! Flakeee! Përse te duhet, nuk ke besim se shteti të mbron? Po të sjell një histori që ta kuptosh se nuk është arma që vret, por je ti nëse vazhdon ta mbash të fshehur!

Pak kohë pas 1997-ës, duhet të raportoja për një krim të ndodhur në periferi të Tiranës. Vrasësi gjatë konfliktit me elektricistin, e la sherrin në mes, hoqi një pikturë të varur në dhomën e gjumit. Kur kishte hedhur themelet e shtëpisë, kishte menduar që të krijonte një skutë ku të fshihte pushkën dhe e kishte lënë enkas një fole. Aty pas pikturës priste pushka, për një ditë. Dhe vrau. Më rastisi ta intervistoj vrasësin atëherë se përse në muret e shtëpisë së re, mbante një pushkë? S’më dha përgjigje. Pas asaj të shtëne që u pendua gjithë jetën, pati të vrare nga të dyja palët. Ngjarja ndodhi në Allias dhe kush jeton aty e di mirë se për çfare po them.

Për monstrën e Selenicës do flas një ditë tjetër, atëherë kur dikush nga zyrat e shtetit t’u thotë banorëve të Resulajt se ku ishte policia, shërbimi informativ, agjentët e gjithë zinxhiri që duhet të funksionojë, atëherë kur Ritvan Zyka qëllonte here pas here me armë në ajër. Përpara se të merrte tetë jetë. Ku ishte shteti, dëshmitarët thanë se ai qëllonte shpesh në ajër me armë, apo Resulaj (fshati) nuk ndodhet në Shqipëri.(Autorja është gazetare e kronikës në Top Channel)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here