Hashim Thaçi kryenegociator!

0

Ylber Çitaku

Opozita tash e sa muaj ka marrë yryshin për ta kundërshtuar personin kyç të dialogut Kosovë – Serbi, Hashim Thaçin.Këtu mund të shtrohen shumë pyetje logjike, por unë po i parashtroj tri:

1. A është koha të merret ky yrysh?
Përgjigjja ime është jo.
Opozita po provon ta ngrehë kauzën e frikës nga lëshimet e mundshme të z. Thaçi në raport me Serbinë. A e kapur mendja e shëndoshë këtë kauzë!? Si ka mundësi të bëjë lëshime njeriu që punoi më shumë se gjithë opozita bashkë për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Nëse e marrim sikur është dikush tjetër udhëheqës i bisedimeve, hipotetikisht një njeri me ndjenja krejt kundër Kosovës, lëshime të përmasave çfarë po ngre opozita nuk e lejon as faktori ndërkombëtar.

2. A ka të drejtë opozita që kundërshton Thaçin si udhëheqës të këtyre bisedimeve?
Përgjigjja ime është jo (po).
Jemi në vitin e fundit të dialogut Kosovë – Serbi, bisedime këto që do të rezultojnë me një marrëveshje, ku Kosova do të anëtarësohet në OKB dhe ky do të jetë suksesi më i madh i Kosovës dhe i popullit të saj pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë, sukses ky që do të arrihet prapë nën udhëheqjen e z. Thaçi, e që rrjedhimisht opozita (ose një pjesë e saj) do të mbetet në pozicionin e opozitës së paku edhe për disa vjet.
Arsyeshëm opozita ngre paranojën se rezultati i këtij suksesi atyre u siguron opozitarizëm me dekada.

3. A është me të vërtetë Thaçi burrështetas i përmasave të Xhorxh Uashingtonit siç thoshte zëvendëspresidenti Joe Biden që me gjenerozitet thërret opozitën t’i bashkohen delegacionit?
Përgjigjja ime është jo (po).

Thaçi gjeneroz? Duke e parë dhe duke e njohur injorancën dhe budallallëkun e opozitës (ose të një pjese të saj), Thaçi është i vetëdijshëm se ky gjenerozitet dhe këto merita rrjedhimisht bien mbi të, por që thotë fjala e urtë popullore “dardha ka bisht”. Z. Thaçi në vitet në vijim do të tallet me ta duke u thënë: “Ishit kundër luftës (sikur që ishin), ishit kundër Rambujesë (sikur që ishin), ishit kundër presidentit Ahtisari (sikur që ishin), ishit skeptikë për pavarësinë, madje për vite të tëra e përbuzët (siç edhe e përbuzën dhe ende e përbuzin), ishit kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB (sikur që do të dalë që janë) jo që nuk e duan Kosovën anëtare të OKB-së, por janë të prirë të kundërshtojnë gjithçka progresive e ku ata nuk janë prijatarë”.

Kujto fjalën popullore “Për inati të resë, më vdektë djali!”
Për fund, pyetjet e parashtruara më lart nuk kanë marrë për bazë nenin 4, pika 3, si dhe nenin 84, pikat 1, 7 dhe 10 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nene e pika këto që e detyrojnë presidentin e vendit, në këtë rast z. Thaçi, të jetë nënshkrues i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë nën garancinë e bashkësisë ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e opozitës në sinkronizim edhe me disa elementë nga përbërja e mozaikut qeveritarë deklarohen se një personalitet X, personalitet ky fantazmë në imagjinatën e tyre, duhet të jetë kryenegociator e dikush tjetër (në këtë rast z. Thaçi) të nënshkruajë marrëveshjen ndërkombëtare sipas pikës 7 të nenit 84 të Kushtetutës.

Për të gjithë këtë, politikanët që shtyjnë këtë ide përpara, e pakta çka mund të thuhet për ta është se me ose pa dashje çojnë ujë në mulli të djallit ose janë injorantë në katrorë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here