Grupi “Koha” reagon ndaj kërcënimeve të Halil Matoshit

0

“Ka kohë që nuk befasohemi me reagimet dhe sulmet e politikës ndaj raportimeve tona.

Njëjtë edhe me këtë të së mërkurës, kur Halil Matoshi, ish-gazetar i kthyer në këshilltar e zëdhënës të kryeministrit, sulmoi me shpifje dhe fyerje gazetarin tonë, Besnik Krasniqi, dhe punën që kryen gazeta jonë, “Koha Ditore”.

Por fakti që nuk befasohemi nuk është rrethanë lehtësuese për ata që përdorin pozitën e tyre për të na sulmuar dhe akuzuar. Sidomos jo, meqë raportimet për të cilat po reagojnë janë tërësisht të sakta dhe korrekte.

Në rastin për të cilin po flasim, “Koha Ditore” ka pyetur nëse kryeministri Haradinaj do të nxjerrë në rend dite një iniciativë të mundshme të ndonjë ministri për të diskutuar (dhe vendosur) pezullimin e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, dhe përgjigja ishte e përgjithësuar – por pozitive: “Kryeministri Haradinaj në bazë të rregullave në fuqi, kompetencave kushtetuese dhe konform ligjit, si deri më tani, i ka proceduar të gjitha çështjet në rendin e ditës dhe do të vazhdojë t’i procedojë të gjitha çështjet që lidhen me rendin e ditës”.

Pra – PO!

Por, jo edhe për qeveritarët, sikur puna e ish-gazetarit e ish-kolumnistit (tonë), tani këshilltar e zëdhënës qeveritar, i cili përveç se sulmoi dhe shpifi kundër autorit të shkrimit, nuk hezitoi që të na e ngarkojë edhe barrën e “tradhtisë kombëtare”, meqë raportimi ynë qenka “bërë hit në mediat raciste të Serbisë!”. Ndërsa gazetarin tonë e futi në radhët e “luftëtarëve specialë” të “Sputnikut” rus!

Kjo, përveçse shpifje, është edhe kërcënim!

E kur kështu flet një ish-gazetar e kolumnist, çka mund të presim nga ata të tjerët në pushtet?

Asgjë të mirë!”

Grupi KOHA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here