Goal: Shaqiri, më vendimtar në krahun e djathtë se lojtarë të tjerë në Liverpool

0

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, e ka publikuar një artikull me titullin: “Vetëm gjashtë gola dhe shtatë asiste – Liverpooli ende në kërkim të një mesfushori kreativ të klasit botëror”. Në këtë artikull, ata e theksuan rolin e Xherdan Shaqirit në krahun e djathtë të sulmit të Liverpoolit.

Shaqiri nuk ka qenë titullar në ndeshjet e fundit të Liverpoolit, pasi duket se ai e ka humbur besimin e trajnerit Jurgen Klopp. Me gjermanin kanë mbetur mjaft të pakënaqur tifozët e Liverpoolit, për shkak të mosinkuadrimit të Shaqirit në ndeshje, transmeton Gazeta Express.

“Treshja Henderson, Wijnaldum dhe Fabinho i kanë krijuar vetëm 39 raste për të shënuar gol në gjithsej 70 paraqitje. Mesfushori sulmues, Xherdan Shaqiri, i cili përdoret më së shumti në krahun e djathtë, radhitet më mirë, me 18 raste në 21 ndeshje”, shkruan Goal.com.

“Përveç Naby Keitas, edhe Shaqiri e ka pasur të vështirë të gjejë mundësi që nga fillimi i vitit të ri. Që nga 1 janari, ai ka qenë titullar vetëm dy herë në ndeshjet e Liverpoolit”.

Shaqiri u transferua gjatë verës së kaluar nga Stoke City dhe i ka bërë 11 paraqitje si titullar për Liverpoolin në Premierligë. Dhjetë herë të tjera, ai është aktivizuar nga banka rezervë.

Tifozët e Liverpoolit e kanë vërejtur që në ndeshjet kur Shaqiri ka luajtur që nga minuta e parë, Liverpooli ka fituar gjithmonë, përveç një ndeshjeje të barazuar. Kjo do të thotë që nga 33 pikët e mundshme, Liverpooli i ka marrë plot 31 nga ndeshjet kur Shaqiri ishte titullar.

Shaqiri ka kontribuar në skuadrën e Jurgen Kloppit përmes golave dhe asisteve këtë sezon. Ai ka shënuar gjashtë herë dhe i ka bërë tri asiste. Dy nga golat më të rëndësishme të tij ishin ato që ia siguruan Liverpoolit fitoren kundër Manchester Unitedit, në pjesën e parë të sezonit.

E vetmja ndeshje në të cilët Shaqiri ka qenë titullar dhe nuk ka arritur t’i marrë tri pikët e ndeshjes ishte barazimi kundër Leicester Cityt.

Skuadra e Liverpoolit ka qenë në formë të mirë këtë sezon, duke e humbur vetëm një ndeshje deri më tani. Shumë tifozë të këtij klubi mendojnë se Shaqiri meriton më shumë mundësi për ta dëshmuar talentin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here