Flamuri ynë dhe flamuri i tyre

0

Shkruan: Fadil Lepaja

Ka diçka të tillë? Ka ende ide se shqiptarët nuk janë dhe nuk duhet të jenë “të përbashkuar” rreth flamurit të tyre? Rilindja shqiptare, në regjion, sot po përballet me kundërshtinë e të gjitha fuqive që dikur i kishin mbajtur apo mbajnë ende nën pushtim viset e banuara me shqiptarë. Edhe në vet Kosovën, valëvitja e flamurit të Shqipërisë, te “Rrethi i madh” në Prishtinë, para disa vitesh, i vendosur aty nga të rinjtë dhe në përballje me Policinë e Kosovës, dikur kishte krijuar shqetësim te politika ndërkombëtare në Kosovë, dhe sidomos te institucionet marionete e te partitë pa identitet. Sot nuk është ashtu, edhe pse shqetësimi ndërkombëtar për komunitetin serb shpeshherë shkon deri në represion dhe trysni mbi komunitetin shumicë..

Ajo që qarkullonte në media dhe në kafene, ku populli ynë i lumtur sot e kalon të shumtën kohës, ishte se këta po na prishin me miqtë ndërkombëtarë, të cilët prapë po shqetësoheshin për qytetarët serbë të Kosovës të cilët të mësuar me sloganin se Kosova është Serbi, nuk po pajtoheshin kurrqysh që këtu të valonte flamuri shqiptar, sepse ata nuk duan të jetojnë në Shqipëri.

Miqtë ndërkombëtarë po i mbrojnë edhe ngulimet luftarake, e politike të ish diktatorit Millosheviq, në formën e kishave politike, ndërkohë që askush nuk shqetësohet me identifikimin e serbëve me politikën e deritashme të shtetit serb që synonte të asimilonte shqiptarët dhe të pastronte etnikisht Kosovën.

Kështu u krijua një rrafsh i përshtatshëm që të punojnë mjeshtrit e krizave, fillimisht identitare e pastaj edhe politike, dhe të bëhet presion, në emër të paqes, në emër të bashkëpunimit me miqtë ndërkombëtarë dhe në emër të identitetit evropian, që shqiptarët të ndërrojnë identitet. Disa shkuan aq larg sa synimet kombëtare të shqiptarëve pak a shumë i shpallën edhe kriminale, duke i lidhur me këtë apo atë ideologji.

Në fakt, kaq, jo më shumë, përpiqeshin të bënin dikur edhe ideologët e unitarizmit serb. Shqiptarët e Kosovës ishin “shiftari”, ndërsa ata të Shqipërisë ishin “allbanci”. Pra, ishin ndryshe. A ka hequr dorë politika serbe nga kjo përpjekje dhe sa miqtë tanë ndërkombëtarë janë nën ndikimin e saj, dhe sa janë të vetëdijshëm për këtë lojë? Çfarë formash ka marrë kjo përpjekje kur shteti serb nuk e ka më fuqinë të imponojë?

Shiheni një nga ato pyetjet që quhet e pamundur: “Përse kosovarët e duan flamurin e Shqipërisë, më shumë se flamurin e tyre?”, më pyeti këto ditë një gazetare serbe, një televizioni kosovar në gjuhën serbe. Si të përgjigjesh në një pyetje të konceptuar mbrapsht, me qëllim?

Dikur, në ish-Jugosllavi, kishin krijuar kombin e ashtuquajtur jugosllav, pastaj atë mysliman, atë maqedonas, fillimisht si identitete shtetërore (republika) dhe së fundmi me inxhiniering social dhe politik po provonin të krijonin edhe kombin kosovar kur u kuptua se asimilimi dhe shpërnguljet nuk dhanë rezultate. Dorën në zemër, dështimi me myslimanët dhe jugosllavët, si një ide integruese kjo, dhe më vonë me shqiptarët (që njiheshin si kombësi pa të drejtë të kenë republikë), nuk ndodhi edhe me malazezët dhe maqedonasit të cilët u formuan më vonë edhe në identitete kulturore. Kjo duket se ju jep shpresë ideatorëve të ndryshëm se ende nuk është vonë që edhe projekti identitar i quajtur “kombi kosovar” të jetësohet, përmes ndërtimit të një identiteti shtetëror pa elementet e popullit shumicë dhe përmes zëvendësimit të identitetit (kombit) jugosllav me atë evropian.

Por, kosovarët, si komb, me përjashtim të zërave të ndryshëm, fillimisht nga politika serbe, për dallimet esenciale dhe më vonë disa zërave inati shqiptar, nuk u ngjizën. Krejt kjo kryesisht, për shkak të faktit të pamohueshëm se u luftuan si të tillë, se një numër i madh i shqiptarëve që mbetën në ish-Jugosllavi nuk u përfshinë në këtë identitet të ri që po sforcohej nga ish-partia komuniste serbe, e cila preferonte që të krijonte disa identitete, nga shqiptarët, përfshirë edhe atë jugosllav .

Kjo përpjekje për copëtim identitar, në fakt, vetëm sa krijoi një frymë të përbashkët rezistence e cila më tepër shtrihej ndër rini shkollore dhe mësimdhënës sesa në popull i cili , në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, ende jetonte me këngët me sharkia dhe me frymën e krahinave dhe fiseve. Kjo ishte edhe shpresa kryesore e ideatorëve, të krijonin çfarëdo të qare në trungun e një populli i cili ishte copëtuar e grabitur nga fqinjët dhe aleatët e tyre jashtballkanik.

Pra, përse kosovarët e duan më shumë flamurin e Shqipërisë sesa flamurin e tyre? Sepse është i tyre, do të përgjigjej çdokush që e njeh historinë tonë dhe histerinë serbe. Natyrisht, kosovarët e duan vetveten, prandaj e duan edhe flamurin e tyre kombëtar! Kosova, e cila në kuptimin identitar dhe kulturor është më tepër Shqipëri sesa vetë Shqipëria politike, edhe pse mbahet e izoluar dhe me lloj-lloj lojëra dhe makinacione politike e ideologjike si një komunitet i paqartë, për të cilin ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtarë në institucionet euro-atlantike, i cili pritet të përmbyllet si një konsensus, kompromis, mes shqiptarëve dhe serbëve, në rajon, gjithsesi duke synuar që të dy popujt të kenë rrugëtim, të përbashkët euro-atlantik.

Kosovarët, që do të thotë shqiptarët e Kosovës, plus identitetet e tjera që jetojnë në Kosovë, ende nuk e ndjejnë flamurin e imponuar nga të tjerët, ku popullsia shumicë nuk përfaqësohet me asgjë. Ende nuk ka asnjë tekst të himnit që këndohet me zemër. Edhe formulimi i imponuar kushtetues se Kosova është shtet i shtetasve të vet, shpreh veç interesin politik të miqve ndërkombëtarë, për të joshur Serbinë, por jo edhe vullnetin e shumicës së qytetarëve të këtij vendi. Pra, përse shqiptarët e Kosovës duan më tepër atë që dëshironin gjithmonë, sesa atë që u është imponuar si “më e arsyeshme”? Natyrisht, shteti duhet të ketë simbole dhe ato marrin në konsideratë rrethanat dhe raportin e forcave, por kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga identiteti yt dhe se mund të respektosh njëkohësisht të gjitha simbolet që i ke aprovuar, pavarësisht se si.

Flamuri që u ngrit në Vlorë, më 1912, u ngrit për të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe për një Shqipëri e cila do të përfshinte edhe viset e banuara me shqiptar në ish-Jugosllavi dhe në Greqi. Lëvizja shqiptare nuk pati fuqi të mjaftueshme të vej kufijtë aty ku e kishte popullin.

Madje, as klasa politike, e ish-autonomisë, në pjesën më të madhe, përfshiRË edhe emra që sot njihen si kolaboracionist të nivelit më të lartë, nuk kishte dilema identitare, të cilat i aktualizon politika serbe, por kishte vetëm dilema ideologjike dhe interesa apo ambicie personale apo grupore.

Kjo klasë, në fakt, me presionin e të rinjve idealist, edhe e nxori të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtarë, në ish-Jugosllavi, bashkë me shumë institucione të cilat sidomos viteve të shtatëdhjeta të shekullit XX , solli rilindjen kulturore shqiptare kryesisht në Kosovë, sepse në Maqedoni vazhdonte shtypja e egër, e cila vazhdoi deri më ditët e sotme.

Prandaj, flamuri është i të gjithë shqiptarëve kudo që janë, dhe shpreh ambicien legjitime për bashkim, edhe pse politika jonë gati në të gjitha entitetet ku jetojmë, me të drejtë është përcaktuar që këtë bashkim të e arrijë brenda kufijve të Evropës së bashkuar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here