Fituesit dhe humbësit nga rihapja e Qeverisë amerikane

0

Shkruan:Chris Cillizza

Qeveria federale është drejt rihapjes pasi demokratët e Senatit iu bashkuan kolegëve të tyre republikanë për votimin e një propozimi që do financojë qeverinë deri më 8 shkurt, në shkëmbim të një premtimi nga lideri i maxhorancës në Senat, Mitch McConnell, që t’i kthehet programit të emigrantëve të rinj DACA shumë shpejt.

Fituesit më të mëdhenj janë punonjësit federalë të cilët tani mund të kthehen në punë dhe publiku amerikan që sheh zyrtarët e tij të zgjedhur aktualisht duke punuar për të. Më pak fatlumë janë emigrantët e programit DACA që mbeten në pritje deri më 8 shkurt, derisa Kongresi të marrë një vendim për çështjen e tyre. Lejet e qëndrimit për emigrantët e programit DACA, që ju jep një status mbrojtës fëmijëve që kanë ardhur në SHBA nga emigrantët pa dokumente por kanë jetuar shumicën e jetës së tyre në Amerikë, do të fillojnë të skadojnë në fillim të marsit pasi presidenti Donald Trump anuloi programin vjeshtën e vitit të shkuar.

Por, si gjithmonë në çështjet e profilit të lartë, ka edhe një numër pasojash politike me fitues dhe humbës.

Fituesit:

– Mitch McConnell: Lideri i mazhorancës së Senatit refuzoi t’u bënte demokratëve një premtim të vështirë dhe të shpejtë se ata do të merrnin një votim për programin DACA. Të dielën në darkë ai tha se ishte ‘qëllimi’ i tij të përmendte programin DACA në Senat. Demokratët e kritikuan duke thënë se ai nuk kishte bërë aq sa duhet për t’u siguruar atyre një votim. Të hënën, disa orë para votimit për rihapjen e qeverisë, McConnell doli para Senatit përsëri dhe përsëriti ‘qëllimin’ e tij. Pavarësisht mungesës së ndryshimit në pozicionin e McConnellit, demokratët e mbështetën duke besuar se lideri i mazhorancës do mbante fjalën e tij. Gjë që mund ta bëjë! Por, të synosh të bësh diçka nuk është e njëjta gjë si ta bësh atë. McConnell, si gjithmonë negociatori mendjemprehtë, refuzoi të bënte premtimin për votimin dhe fitoi.

– Lindsey Graham: Senatori i Karolinës së Jugut ishte lideri i përpjekjeve për të arritur një marrëveshje. Propozimi i tij trejavor për rihapjen e qeverisë përfundoi në legjislacion. Ai gjithashtu doli si një negociator i ndershëm – i gatshëm t’u bënte thirrje republikanëve dhe demokratëve – dikush që mund të ndërtojë një unë mes dy palëve brenda Senatit. Gjithashtu, Graham u rizgjodh në 2014, që do të thotë se nuk ka arsye të shqetësohet rreth mundësisë për t’u rizgjedhur sërish deri në 2020.

– Demokratët e 2018-shit: Janë 10 demokratë për t’u rizgjedhur më 2018 në shtetet që Trumpi fitoi më 2016. Ky grup – senatori Joe Manchin i Virgjinias Perëndimore, senatori Heidi Heitkamp i Dakotës Veriore, senatori Joe Donnelly i Indianës dhe të tjerë – nxitën të tjerët të bëjnë një marrëveshje me McConnellin dhe fituan.

– Të moderuarit: Pas votimit, Manchin dhe senatorja Susan Collins mbajtën një konferencë triumfuese duke përmendur një epokë të re të bashkëpunimit mes partive brenda Senatit, ndërsa senatori Demokrat Dick Durbin para votimit u shpreh se një epokë e re bashkëpunimi duhej të vazhdonte në Senat. Të moderuarit fituan.

– Davos: Nëse Qeveria do vazhdonte të mbetej e mbyllur, Trumpit do t’i duhej të anulonte udhëtimin e tij për në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër në fund të javës. Tani sigurisht që Trumpi do të shkojë dhe do mbajë fjalimin i tij të shumëpritur në Davos.

Humbësit:

– Chuck Schumer: Demokrati i New Yorkut mbajti një qëndrim të vështirë gjatë fundjavës së kaluar në atë që partia e tij donte të dëgjonte nga Republikanët në mënyrë që të nënshkruante rezolutën e vazhdimësisë që do rihapte qeverinë. Të shtunën në darkë Schumer tha: “Na duhet një marrëveshje e mirë mes dy partive politike që na lejon të kemi një numër të mirë mbrojtje dhe të marrim një votim për projektligjin për Ëndërrimtarët. Ka akoma shumë për t’u bërë”. Ai gjithashtu deklaroi se nuk do mbështeste rezolutën tre javore të vazhdimësisë. Por megjithatë ai e nënshkroi atë.

– Demokratët e 2020-shit: Senatorja Kamala Harris e Kalifornisë, Cory Booker nga New Jersey, Kirsten Gillibrand nga New York, Bernie Sanders i Vermontit dhe Elizabeth Warren nga Massachusetts u përfshinë nga lidershipi i partisë së tyre dhe një grup demokratësh të 2018-shit për rizgjedhje në shtetet që Trumpi i fitoi më 2016. Senatorët Harris dhe Warren ishin mes dy votave të para ‘jo’ për rezolutën e vazhdimësisë. Kjo nuk është lufta e fundit në betejën për kontroll të drejtimit të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 2020. /CNN/Përktheu për BalkanWeb: Aleksandra Kola)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here