Fan S. Noli: Përkujtesë në 53-vjetorin e vdekjes

0

AT FOTI CICI

Më 13 mars 1965 fjeti i pafjeturi Kryepeshkop, Mitropoliti Theofan Noli!

Për të kuptuar e pranuar madhështinë e Imzot Nolit, si figura më e madhe e Ortodoksisë Shqiptare dje dhe sot, është mirë të këqyrim e kundrojmë veprën e tij kishtare, e cila mbetet e pazëvendësueshme, pavarësisht se u krye me nxitim, në mënyrë përzgjedhëse e përmbledhëse dhe me mangësi të dukshme.

Në fëmijërinë e tij, duke lexuar në Edërnenë e largët Dhjatën e Re të Kristoforidhit toskërisht me alfabet grek, Theofani i vogël mësoi nga Pararendësi elbasanas se Jezu Krishti fliste shumë bukur shqip. Më vonë ai do të ndërgjegjësohej për atë që nuk e tha, se pa Kristoforidhin, pa këtë libër që i dhuroi një i afërm qysh fëmijë, pa këtë lexim të ngadaltë e përsëritës, pra, jeta e tij ndoshta mund të kishte marrë një drejtim tjetër, diku gjetkë, me emrin e atëhershëm, si Theofanis Mavromatis.

Kur nisi të shkruajë e të veprojë në Amerikë, djaloshi i shqetësuar dhe i dhuntishëm ngriti një pyetje të madhe, atë që nuk mundën ta përmbushin paraardhësit: Përderisa Kristoforidhi bëri Krishtin të flasë shqip, a mund të bëjmë ne vetë Kishën Ortodokse që të flasë, e madje të këndojë shqip, një sfidë më e vështirë e më komplekse?

Thirrjet e Nolit në shtypin e asaj kohe për përkthime të përbashkëta prej teologësh e filologësh, ashtu siç duhet bërë, jo vetëm që nuk gjetën mbështetje, por edhe u kundërshtuan, edhe pse në botën shqipfolëse atëbotë ekzistonte gjithë potenciali i kërkuar intelektual dhe teologjik.

Është pikërisht këtu, tek guximi i ndriçimtarit për të rrezikuar, duke shpërnjohur bashkëkohësit kalimtarë në histori, ku lexohet fuqia intelektuale dhe spirituale e një prijësi vizionar dhe besimtar njëherësh. Prandaj dhe ia nisi vetë punës, për të sfiduar historinë.

Edhe pse e konceptuar dhe e paraqitur prej përkthyesit për përdorim të përkohshëm, vepra liturgjike e Nolit është bërë tashmë pjesë e traditës ortodokse.

Besimi fetar, dashuria pa kushte, pasioni, poetika dhe muzika, janë pesë dhunti që lexohen në çdo himn që përktheu e përshtati në melodi ati i liturgjikës shqipe, Fan S. Noli. Pa dyshim që kjo mund të dallohet vetëm prej atyre që njohin mirë jo vetëm gjuhët, muzikën kishtare dhe lëmin e liturgjikës, por që kanë dhe diçka në shpirt prej virtyteve renditur më sipër, të mbjellur a të përftuar.

Ndërsa e kundërta, zbeh dhe çon në errësirën e gjykimit. Ashtu si para 15 vjetësh, kur botova një hyrje të përkthimeve kishtare të Nolit në tri trajtesa, tek e cila do ta përcjell lexuesin në fund të këtij postimi, vazhdojnë të ekzistojnë sot dy skaje të përkundërta kur flitet për figurën e Nolit publikisht.

Njëri skaj, mbizotërues në kishë dhe paksa i matur jashtë saj, është ai që e pranon Nolin pjesërisht dhe shkarazi, sa për sy e faqe, si “të keqe të domosdoshme”.

U përdor ideologjema e trashëguar anti-noliane, si pjesë e një projekti afatgjatë të rishkrimit të historisë ortodokse. Duke improvizuar në tempull e duke blerë shpirtra gjithandej, herë duke manipuluar e herë duke kërcënuar, duke shfrytëzuar hiret e specifikës vendore u ngjiz e u rrënjos një alternativë frikështënë, një kult zëvendësues si mit më i prekshëm në krahasim me Nolin.

Kjo vazhdon ende sot nëpërmjet personalizimit të realiteteve hyjnore, gjithmonë nën pushtetin e përdhunës ekonomike, politike dhe emocionale.

Tjetri skaj, i rrënjosur tashmë në kulturën shqiptare, ka për zanafillë ideologjitë nacional-komuniste, duke e paraqitur Nolin si “mbinjeri”, si kult i nacionalizmit, mit “antigrek” etj, prandaj dhe ndalohet përdorimi i çfarëdolloj përqasjeje tjetër.

Ligjërimi dhe ndërhyrjet e tyre publike, sado të prapambetura në gjuhë e parashtrim, e sado periferike në zhurmë e bashkërendim, kanë çuar ujë në hullinë e përjetësimit të një misioni politik në Shqipëri.

Shumica e “fanolistëve”, mjerisht, jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë për t’u mbajtur mend për mirë, por janë dhe krejt të padijshëm mbi pjesën dërrmuese të krijimtarisë së Nolit: Botimet kishtare!

Çfarë na mungon sot, që të kujtojmë madhështinë e Nolit?

Nuk është kombësia a shtetësia e kryepeshkopit, dhe as autoqefalia. Çdo polemikë publike mbi këto tema të padenja dhe anakronike, nuk shpalos vetëm interesat vetjake, klanore dhe partiake të pjesëmarrësve, me çapraze demagogjike, por dhe dëmin që i sjellin komunitetit ortodoks “kacafytje” të tilla publike, me qerthullime të përhershme në rrethin vicioz ku e kanë kyçur ortodoksinë shqiptare.

Le të flasim më thjesht. Kur zotërinjtë nominalë ortodoksë, agnostikë, ateistë a pjesëtarë të feve të tjera, ata që rëndom “këputen” për të drejtat e komunitetit ortodoks, akuzojnë e kërkojnë që shërbesat të bëhen krejt shqip, vërtetohen jo vetëm të padijshëm, por dhe keqbërës, sepse mohohet e vërteta, heshtja mbi çështjet parësore të Kishës Ortodokse në Shqipëri: Mbi 90% e himnologjisë kishtare nuk ekziston e përkthyer në shqipe, përderisa Noli përktheu vetëm tekstet themelore, për të dielat dhe të kremtet kryesore të vitit. Ja se cili është problemi më i madh që ka ortodoksia shqiptare sot.

Le të marrim një shembull: Data 13 mars, përderisa përkujtojmë Imzot Theofanin, qëllon të jetë ditë jave, dhe si për çdo ditë të vitit himnet janë caktuar të këndohen njësoj në të gjitha kishat ortodokse. Mirëpo tek ne ato nuk ekzistojnë shqip, prandaj detyrimisht do thuhen greqisht. Më poshtë po përcjell tek tekstet greqisht të datës 13 mars 2018.

Himnet e tingullit të javës (e martë, tingulli i rëndë):
http://glt.goarch.org/texts/Och/Tone7Tue.html

Himnet e Triodit (e martë, java e katërt e kreshmëve):
http://glt.goarch.org/texts/Tri/t26.html

Himnet e shenjtorit të ditës (13 mars):
http://glt.goarch.org/texts/Mar/Mar13.html

Ky problem nuk është vetëm për këtë datë e ditë, por për të gjitha ditët e javës, për shumicën dërrmuese të ditëve të vitit, përveç të dielave dhe festave të mëdha.

Ju pyes, zotërinj të debateve mediatike: Përse bëni thirrje demagogjike, që të bëhen shërbesat krejt shqip, kur ato nuk ekzistojnë? Është e drejta juaj të besoni në “magji”, domethënë nëse krerët e KOASh-it janë të gjithë shqiptarë, çdo gjë do të jetë për bukuri, prandaj ju dhe partitë tuaja do flini rehat. Në fakt, ata peshkopë që do jenë nesër, ata janë bash të njëjtit peshkopë që kemi edhe sot, të cilët madje vijnë nga familje shqiptare dhe jo ortodokse. Kush ju pengon të thuani të vërtetën dhe të flisni për problemet reale të komunitetit ortodoks?

Pyes dhe kundërshtarët e tyre, ata që dërgohen nëpër media “të mbrojnë Kishën”, duke thënë se “shërbesat bëhen krejt në gjuhën shqipe!”: A mund të na thoni se në çfarë gjuhe do psalen himnet e datës 13 mars, apo dhe të shumicën dërrmuese të vitit? Ku ndodhen ato tekste, nëse nuk janë këto që ju parashtrova këtu? A nuk është kundër ungjillit të Krishtit për një ortodoks të dalë botërisht e të gënjejë, vetëm e vetëm se ju kërkojnë të gënjeni?

Fatkeqësisht, disa gjëra thelbësore nuk kanë ndryshuar, prandaj dhe Noli vazhdon të jetë aktual: Feja vazhdon të luajë kartën e manipulimit mendor, duke penguar kultivimin shpirtëror të besimtarëve dhe duke bllokuar procesin e kombëtarizimit të kishës.

Nga ana tjetër, arsimimi i shqiptarëve jo vetëm që nuk solli ndërgjegjësimin dhe integrimin e pritur në qytetërimin evropian, por po i ndihmon ata të bëhen më të këqinj për njëri-tjetrin, sesa para një qindvjeçari. Lufta e klasave vazhdon!

Gjendja e sotme na kujton se sa nevojë kemi për madhështinë e Nolit dhe gjithë atyre që u flijuan, qoftë me martirizimin e ndërgjegjes, apo të gjakut, për të ndriçuar një popull në errësirë. I përjetshëm kujtimi!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here