Kryeministri shqiptar Edi Rama është pyetur për islamofobinë dhe për turkofobinë, gjatë intervistës që ka dhënë për agjensinë e lajmeve “Anadolu Agency”. Pritej një përgjigje e kufizuar, nga kryeministri që dje i kërkonte ministrave ta mbysnin “turkun që jeton brenda secilit prej jush”, por Rama ka akuzuar “islamofobët” dhe “turkofobët” si arrogantë të paditur. Madje kryeministri ka shkuar më tej, kur ka vënë pikat mbi i dhe ka shpallur islamin si burim të ekzistencës së kombit shqiptar.

“Edhe në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian forca apo individë të caktuar i fryjnë këtij zjarri shumë të rrezikshëm duke bërë një padrejtësi të madhe, jo vetëm ndaj fesë islame, por ndaj njerëzve, ndaj popujve, ndaj komuniteteve, familjeve që besojnë tek Islami dhe përfaqësojnë të gjithë gjerësinë dhe butësinë e Islamit. Shprehjet e islamofobisë apo turkofobisë janë shprehje të një padije dhe të një arrogance që buron në radhë të parë nga padija. Të godasësh fenë islame dhe të mbash qëndrime islamofobe do të thotë në fakt të godasësh një rrënjë të rëndësishme të pemës së shqiptarisë dhe të vetë burimit, burimit të ekzistencës së kombit tonë”, shprehet Rama.

Në mandatin e parë qeverisës, në vitin 2015 u botua në media një letër e shkruar nga Edi Rama. Kryeministri shqiptar e dërgoi në emailin e secilit prej ministrave të kabinetit të tij letrën, në të cilën dalloheshin nota të forta turkofobie, që nga cilësimi i arrogancës si “otomane” deri tek përtacia e atyre që Rama i quante “pasdite turke” dhe tek rreziku se “pushteti fatalisht po merr trajtën e turkoshakëve”.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here