Çka janë diktaturat?

0

Blerim Latifi

Shkëlqimi dhe rënia e diktaturave lidhen me raportin e mirëqenies ekonomike me lirinë politike.

Si të gjitha termat tjerë të politikës, edhe termi diktaturë e ka origjinën në traditën politike të antikitetit greko-romak. Ky term ka qenë njëri ndër termat e shumtë përmes të cilëve janë bërë përpjekje të përshkruhen strukturat e pushtetit absolutist në botën e lashtë. Grekët e vjetër kanë shpikur dy terma kryesorë për këtë punë : tiraninë dhe despotizmin.

Në klasifikimin e tij të regjimeve politike, Aristoteli e quante tiraninë “një formë të korruptuar të monarkisë”. Për të, monarkia ishte një regjim i drejtë, për arsye se pushteti, ndonëse i përqendruar tek një sundimtar, pra tek monarku, ushtrohej në funksion të së mirës së përgjithshme të komunitetit politik. Monarkia degradon në tirani atëherë kur sundimtari devijon nga ky princip: Shteti nga mekanizëm në funksion të së mirës së përgjithshme, shndërrohet në mekanizëm të ruajtjes dhe fuqizimit të pushtetit personal të sundimtarit.

Analizat e Aristotelit për prishjen e regjimeve të drejta, janë, në fakt, përpjekjet e para në hulumtimin e fenomenit të korrupsionit politik. Ideja themelore e tij ishte se shteti korruptohet kur interesat private përcaktojnë procesin legjislativ dhe agjendën e vendimmarrjes të shtetit. Kur kjo ndodhë monarkia degradon në tirani, aristokracia patriotike në oligarkinë e pakicës së pasur dhe rendi kushtetues në demokracinë e turmave të udhëhequra nga demagogët e etur për pushtet.

Ndërkaq, diktatura është term dhe institucion i krijuar nga romakët e periudhës republikane, para krijimit të asaj që e njohim si perandoria romake. Si e tillë, diktatura ishte një mekanizëm në shërbim të rendit republikan romak.

Nga perspektiva e pikëpamjeve që ne sot kemi për diktaturën, ky përkufizim romak na duket i çuditshëm. Si mundet diktatura të jetë mekanizëm në shërbim të rendit republikan? Vetë termi diktaturë a nuk e nënkupton shkatërrimin e rendit republikan të qeverisjes, pra të një rendi ku publiku, qytetarët, vetë populli vendosin për qeverisjen?

Ne i bëjmë këto pyetje habitore ngase jemi të prirur që domethëniet moderne të terminologjisë t’i projektojmë në përdorimin antik të saj. Romakët e periudhës republikane e krijuan institucionin e diktaturës në përgjegjje të krizave me të cilat ballafaqohej rendi i tyre republikan. Këto kriza ose ishin të lidhura me një sulm të jashtëm nga ndonjë shtet armik, ose rezultat i revoltave të brendshme që synonin shkatërrimin e rendit republikan. Efekti i parë i këtyre krizave ishte krijimi i gjendjes së jashtëzakonshme në shtet. Gjendja e jashtëzakonshme kërkonte masa politike të jashtëzakonshme dhe, gjithsesi, të shpejta. Me ngadalësinë e tij të vendimmarrjes, proceduralizmi demokratik shndërrohet në favor të forcave që duan ta rrënojnë rendin demokratik, prandaj në situatën e gjendjes së jashtëzakonshme nevoja e menjëhershme është që pushteti i shpërndarë nëpër procedura dhe instanca të ndryshme të mblidhet dhe të koncentrohet në autoritetin e një personi, dhe më pas, që ky person të mund ta ushtroj pushtetin, shtrohet si nevojë suspendimi i rendit kushtetues. Ky person, të cilit i është dhënë i gjithë autoriteti i vendimmarrjes, pa nevojën e ndërmjetësimit të ligjeve, është diktatori, ndërsa praktika e tij e qeverisjes quhet diktaturë.

Në konceptin romak diktatura nuk është rend i caktuar politik, por vetëm një mekanizëm i përkohshëm i menaxhimit të krizave të rënda të rendit republikan. Thënë ndryshe : Një mekanizëm i përkohshëm jorepublikan për të mbrojtur republikën. Me tu arritur ky qëllim diktatura përfundon; gjendja e jashtëzakonshme hiqet dhe rendi kushtetues rivendoset.

Filozofi gjerman Carl Schmitt, në studimin e tij për diktaturën, tipin romak të diktaturës e quante “diktaturë komisariale”, ngase qëllimi i saj ishte mbrojtja me masa joligjore e rendit ligjor republikan. Në kontekst të këtij qëllimi mendimtari amerikan Clinton Rossiter zhvillon teorinë e “diktaturës kushtetuese”, për të shpjeguar situatat kur demokracitë kushtetuese detyrohen të përdorin praktika diktatoriale për të ruajtur rendin e tyre kushtetues.

Ndërkaq, siç vëren Schmitt, në modernitet lindë një tip diktature i ndryshëm nga ai romak. Këtë ai e quan “diktatura sovrane”. Për dallim nga diktatura komisariale, diktatura sovrane nuk synon ruajtjen e rendit republikan, por përkundrazi, pas suspendimit të tij, krijimin e një rendi tjetër politik. Pikërisht në këtë dallim qëndron arsyeja pse gjatë modernitetit vendoset raporti përjashtues në mes demokracisë dhe diktaturës. Ky raport përjashtues zë fill në momentin që diktatura synon transformimin e përkohshmërisë saj. Kjo do të thotë që, suspendimi i përkohshëm i rendit kushtetues të shndërrohet në suspendim të përhershëm të tij, gjendja e jashtëzakonshme në gjendje të përhershme të sundimit dhe vetë diktatura nga mekanizëm i përkohshëm në rend të përhershëm politik. Gjatë këtij transformimi rendi kushtetues i suspenduar zëvendësohet me vullnetin arbitrar të liderit suprem ; masat e gjendjes së jashtëzakonshme shndërrohen në praktikë të zakonshme të sundimit dhe i gjithë sistemi politik vihet në funksion të akumulimit të vazhdueshëm të pushtetit personal të diktatorit. Ky akumulim nënkupton mbledhjen e pushtetit të shpërndarë përgjatë mekanizmave të ndryshëm të shtetit e shoqërisë dhe përqendrimin e tij në autoritetin e diktatorit. Gjëja e parë që ndodhë në këtë proces është shkatërrimi i ligjit themelor të demokracisë kushtetuese, që është ligji i ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve. Pushteti gjyqësor, pushteti legjislativ, pushteti medial dhe kundërshtimi opozitar gllabrohen nga pushteti ekzekutiv. Në këtë gllabërim gjyqet, parlamenti, mediat, opozita realisht e shkatërruar, shndërrohen në servise të qeverisë.

Duke pasur një pushtet të jashtëzakonshëm, duke qeverisur me masa të jashtëzakonshme dhe duke e mbajtur vendin vazhdimisht në gjendje të jashtëzakonshme diktatorët natyrshëm e ndjejnë nevojën për të ndërtuar ideologjinë për veten e tyre si njerëz të jashtëzakonshëm, të përzgjedhura nga Zoti apo Historia, për të drejtuar fatin e lavdishëm të kombit në rrugët plot rreziqe të historisë. Çdo diktaturë totalitare, thotë Kundera, krijon teologjinë e saj. Kjo për arsye se qeverisja e perhershme me masa të jashtëzakonshme kërkon justifikim me terma të jashtëzakonshëm, e teologjia, duke qenë një diskurs për ngjarje të jashtëzakonshme, i shërben në mënyrë shumë efektive këtij qëllimi. Sot, nuk është aspak e rastësishme që z.Erdogan, Presidenti i Turqisë, shtetit tonë mik, gjithsesi, pas çdo gjëje që bën thotë se e ka bërë me lejën e Zotit. Njejtë tha edhe për gylenistët e rrëmbyer ditë më parë në Kosovë. Ishte vullnet i Zotit i zbatuar nga shërbimi sekret turk dhe ai kosovar, prandaj deputetët e Kuvendit të Kosovës, që kanë themeluar komisionin hetimor për këtë rast, duhet të kenë kujdes sakral, sepse gjatë hetimit mund të hasin në gjurmët e Zotit.

Por veshja e arbitraritetit politik me petk teologjik nuk mjafton asnjëherë.

Gjendja e jashtëzakonshme kërkon edhe diçka tjetër : Tregimin për armiqtë e jashtëm, që me ndihmën e armiqëve të brendshëm, natë e ditë punojnë kundër kombit. Diktatori investon shumë në imazhin e këtyre armiqëve. Sa më të egër të duken ata në sytë e popullit, aq më efektiv është pushteti i tij abritrar dhe vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme në qeverisjen e shtetit. Historia e të gjitha diktaturave të modernitetit është e mbushur me figurat e këtyre armiqëve imagjinarë. Me gjasë edhe Fetullah Gylen do të jetë njëri prej këtyre armiqëve imagjinarë në kapitujt ende të pashkruar të kësaj historie.

Për fund.

Shkëlqimi dhe rënia e diktaturave lidhen me raportin e mirëqenies ekonomike me lirinë politike.

Gjatë modernitetit, shumë diktatura, brenda një kohe të shkurtër, kanë arritur të krijojnë bum ekonomik dhe kjo, për një kohë, i bënte ato atraktive për njerëzit. Por, njerëzit nuk janë vetëm kafshë që duan të ushqehen mirë e të kenë një kulm mbi kokë. Pasi të kenë mbushur barkun kërkojnë edhe të kenë liri : të mendojnë dhe t’i shprehin pa frikë bindjet e tyre politike e sociale. Ky është momenti kur diktaturat nisin t’i kenë keq punët. Mirëqenia ekonomike nuk mundet ta justifikojë përgjithmonë shtypjen politike. Njerëzit duan mirëqenie ekonomike dhe liri politike, njëkohësisht. Komunizmi u shemb, pikërisht, për arsye se nuk arriti ta përmbushë këtë ekuacion të nevojave bazike njerëzore. Deri me tani vetëm civilizimi liberal perëndimor, përfshirë Japoninë, ia ka dalë këtij synimi. Prandaj, për të gjithë të vuajturit e kësaj bote të gjitha rrugët ende çojnë në Perëndim.

/Ky shkrim është përmbledhje e një ligjërate të mbajtur në Departamentin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here