Chelsea janë duke dërguar përsëri një grumbull lojtarësh në huazim këtë verë, duke tentuar kështu t’i menaxhojnë lojtarët e shumtë të ri që vijnë nga akademia e tyre.

Çdo afat kalimtar te Chelsea karakterizohet nga huazimet e shumta të lojtarëve të rinj, të cilët vijnë nga akademia e klubit apo blihen, në mënyrë që të luajnë sa më shumë minuta brenda një sezoni, transmeton Gazeta Express.

Sipas drejtuesve të Chelseat, duke i dërguar ata në klube më të vogla, ata të rinj do të zhvillohen në lojtarë që janë të aftë t’i sfidojnë yjet e Chelseat për një vend në ekipin e parë, ose të paktën të shiten në ndonjë klub tjetër për një çmim më të madh.

Megjithatë, ky “sistem i huazimeve” mund të krijojë probleme për Chelsean pasi që shpesh herë vendimi për largimin e një talenti të ri rezulton të jetë një gabim. Kështu ka ndodhur në rastin e Romelu Lukakus dhe Kevin de Bruynes, të cilët tani luajnë në klubet e qytetit të Mançesterit, Manchester United dhe Manchester City.

Por, lojtarë të tjerë si Victor Moses, Andreas Christensen, e më herët edhe John Terry, kanë përfituar nga huazimet e përkohshme pasi që kur u kthyen te klubi londinez ata siguruan vend në ekipin e parë.

Deri më tani, këtë afat kalimtar, Chelsea ka huazuar shtatë lojtarë, ndër të cilët janë: Robert Kenedy Nunes Nascimenton në Newcastle United, Mario Pasalic në Atalanta, Eduardon dhe Jake Clarke-Salterin ne Vitesse, si dhe Baba Rahman në Schalke. Ndërsa janë edhe 10 lojtarë të tjerë të cilët ende janë në huazim nga vera e kaluar.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here