Çfarë synojmë ne rusët në Shqipëri dhe Ballkan?

0

Shkruan: Aleksandër Karpushin

Një nga shenjat karakteristike të ditëve të sotme është risistemimi i balancës së fuqive globale. Kjo tezë ilustrohet bukur nga forcimi ekonomik i vendeve të rajonit Aziatiko-Paqësor.

Këto të fundit kanë marrë përsipër një rol të lokomotivës së rritjes globale ekonomike, të cilin më përpara e kishin luajtur tradicionalisht SHBA-të, Evropa Perëndimore dhe Japonia. Suksese më impresionuese janë arritur nga Kina, e cila po i afrohet statusit të ekonomisë së parë të botës. Sipas ekspertëve të FMN-së, të ashtuquajturat “ekonomi në rritje”, më të mëdhatë prej tyre, ia kaluan për nga rritja e PBB-së shtatë vendeve më të zhvilluara perëndimore.

Është e qartë se aktualisht po shohim një periudhë tranzicioni, dhe panorama krejtësisht e re e botës sonë nuk korrespondon më me përceptime të ngujuara disashekullore. Kjo u konfirmua edhe gjatë Forumit të fundit Ekonomik Botëror në Davos. Forumi u konceptua fillimisht nga profesori zviceran Klaus Schwab si një tubim të liderëve të ekonomisë evropiane, pra të asaj perëndimore.

Por, kohët e fundit forumi po e ndryshon karakterin e vet duke iu kthyer Lindjes. Vjet, në kundërshtim me traditën, spiker kryesor i Davosit ka qenë një lider jo perëndimor, por aziatik, përkatësisht Presidenti i Kinës Xi Jinping, ndërsa sivjet newsmaker-i më i rëndësishëm i Forumit ka dalë jo Presidenti amerikan Donald Trump, por kryeministri i Indisë Narendra Modi, i cili ka qenë i pari që ka mbajtur fjalim duke dërguar një mesazh kyç për fatet e ekonomisë botërore dhe botës moderne, ku ka përdorur edhe kritika ndaj SHBA-ve.

Me fjalë të tjera, po shikojmë tani që ka ardhur koha kur Kina dhe India po shndërrohen në promotorë kryesorë të vlerave të tregut të lirë dhe të liberalizimit të ekonomisë botërore. Dhe e gjitha kjo demonstron se jo vetëm Forumi i Davosit, po e gjithë bota ka ndryshuar.

Të tilla momente kthese karakterizohen zakonisht nga një rritje e ndjeshme e paqëndrueshmërisë së situatës ndërkombëtare, e cila, për fat të keq, nuk po bëhet më pak e ndërlikuar: vatra të hapura tensionesh dhe tensione që digjen në vetvete mbeten akoma në zonat e gjera të Lindjes së Mesme, në Afganistan dhe në disa vende të Azisë Jug-Lindore.

Në prag të një konflikti me pasoja potencialisht katastrofike po balancon situata në Gadishullin Korean. Vazhdon konfrontimi midis autoriteteve ukrainase dhe republikave të vetëshpallura të Donbasit, ku ende nuk ka mbaruar lufta civile, në të cilën udhëheqja ukrainase po përdor forcë, përfshirë edhe armatime të rënda, kundër qytetarëve të vet.

Ndërkohë që Kievi vazhdon të refuzojë respektimin e Kompleksit të masave për zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut, të miratuar unanimisht nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në 2015. Pra, mundësitë për bashkëpunim konstruktiv në drejtime të ndryshme të jetës ndërkombëtare vazhdojnë të ngushtohen.

Sipas drejtuesve të vendit tonë, një nga arsyet e kësaj është mungesa e gatishmërisë nga ana e SHBA-ve dhe aleatëve të tyre të njohin realitetin objektiv të një rendi botëror shumëpolar që po shfaqet tani. Shtetet e Bashkuara nuk e fshehin dëshirën e tyre për të zgjatur sa më shumë në kohë dominimin e tyre në çështjet globale.

Vendet perëndimore, nën nxitjen e Uashingtonit, në vend të dialogut dhe bisedimeve preferojnë diktatin dhe masat detyruese në formë sanksionesh. Nga të gjitha këto, politika e Perëndimit bëhet më pak e parashikueshme dhe si pasojë më e rrezikshme, çka do të çojë pashmangshmërisht në rritjen e potencialit konfliktual në marrëdhëniet ndërshtetërore.

Ne duhet të pranojmë se një rol shumë i rëndësishëm në zbutjen e tensioneve ndërkombëtare u përket pikërisht raporteve ruso-amerikane. Por, për momentin administrata e re në SHBA vazhdon me një politikë destruktive ndaj vendit tonë. Konfiskimi i paligjshëm i pronave diplomatike të Rusisë, njëfarë akuzash të pakuptimta për gjoja ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale, për agresion dhe rrezikun rus për vendet e saj fqinje dhe jo vetëm… Të gjitha këto nuk na ndihmojnë aspak në normalizimin e marrëdhënieve tona. Megjithatë, pavarësisht uljes së cilësisë së kontakteve me Uashingtonin, Moska është e gatshme për t’i përmirësuar ato dhe për të punuar bashkë drejt konstruktivitetit.

Le të ndalemi tek e ashtuquajtura “ndërhyrje” ruse në zgjedhjet amerikane. Siç tregoi hetimi në SHBA i drejtuar nga prokurori special, nuk ka fakte që do të vërtetonin një ndërhyrje të tillë. Të gjitha akuzat janë një trillim, ose, siç u shpreh z. Trump, “fake news”. Realisht çdo gjë që po bëhet në raport me Rusinë futet në një term të tillë si “shkurajim”, i cili përfshin edhe diskreditimin e angazhimit të Rusisë në Siri, edhe akuzat absurde në lidhje me situatën në Ukrainë dhe shumë gjëra të tjera. Këto veprime shoqërohen me një presion të fuqishëm mediatik dhe ekonomiko-financiar, përfshirë edhe nëpërmjet sanksioneve.

Por pavarësisht kësaj dhe pavarësisht deklaratës së ish-Presidentit amerikan Obama se ekonomia ruse “është bërë copë-copë”, Rusia është kthyer në trajektoren e rritjes ekonomike dhe ka dalë nga recesioni. Në 2017 rritja ekonomike ka qenë gati 2%. Të njëjtat ritme besojmë të kemi edhe sivjet. Papunësia është e ulët, ndërsa inflacioni ka shënuar një nivel të pazakontë prej vetëm 2,2%.

Suksese të rëndësishme ka arritur edhe diplomacia ruse, e cila ka synuar dhe do të synojë mbrojtjen e interesave kombëtare, promovimin e një axhende pozitive dhe forcimin e një qasjeje kolektive për zgjidhjen e çështjeve më të mprehta globale.

Falë veprimeve të vendosura të Forcave të Armatosura të Rusisë dhe falë punës efikase diplomatike, u arrit një sukses i konsiderueshëm në luftën ndaj terrorizmit ndërkombëtar në Siri: u parandalua shpërbërja e shtetit, u krijuan kushte për zgjidhjen politike dhe pajtimin kombëtar. Marrëdhëniet tona me Turqinë, Iranin dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme kanë marrë një impuls pozitiv.

Komunikimi ynë me Kinën dhe Indinë ka arritur në një nivel të ri të partneritetit strategjik dhe koordinimit në fushën e politikës së jashtme. Po zgjerohet ndërveprimi me shumicën e vendeve në tranzicion të rajonit Aziatiko-Paqësor, Amerikës Latine dhe Afrikës. Në këtë moment, ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë zhvillimit të tendencave pozitive në jetën ndërkombëtare për të rinisur një dialog gjithëpërfshirës me të gjithë partnerët tanë të huaj, përfshirë këtu, natyrisht, edhe Shqipërinë.

Të nderuar kolegë, për sa u përket marrëdhënieve bilaterale Rusi-Shqipëri, ato kanë tradita të pasura të lidhjeve shumë të ngushta, madje vëllazërore, në një periudhë jo shumë të largët historike. Besoj se këtu në Shqipëri shumë njerëz e dinë dhe e mbajnë mend që në vitet shumë të vështira të pasluftës Rusia (atëherë Bashkimi Sovjetik), edhe pse ishte kthyer në rrënoja nga lufta 4-vjeçare kundër pushtuesve nazistë, gjeti një mundësi për t’iu përgjigjur kërkesës së qeverisë shqiptare dhe ia siguroi popullit vëlla shqiptar një ndihmë të madhe materiale dhe teknike, si dhe mbështetje morale. Unë e di që këto fakte nuk janë harruar nga shqiptarët, çka vërtetohet nga funksionimi sot e kësaj dite në vendin tuaj i 17 degëve të Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri-Rusi”. Shumë qytetarë shqiptarë, si mosha e tretë, ashtu edhe të rinjtë, e dinë shumë mirë gjuhën ruse dhe janë dashamirës ndaj vendit tonë.

Por sigurisht që në këtë rrugë të përbashkët kanë pasur dhe mbeten akoma disa pengesa. Lidhjet tona dypalëshe janë dëmtuar seriozisht nga shkëputja gati 30-vjeçare në marrëdhëniet diplomatike. Ndërsa në 28 vite të fundit marrëdhëniet tona, nëse i shikojmë në tërësi, kanë qenë mjaft normale dhe miqësore. Nuk kemi asnjë problem të pazgjidhur bilateral, të mos flasim për konflikte. Megjithatë, dialogu ynë është karakterizuar nga politizimi i tepërt i lidhjeve bilaterale dhe shpërfillja e potencialit tonë të përbashkët. Si rrjedhojë, bashkëpunimi ekonomiko-tregtar midis dy vendeve mbetet në një nivel shumë të ulët. Po edhe në fushën politike nuk është gjithçka në rregull. Ka ngecur nënshkrimi i dokumenteve të dakordësuara dypalëshe. Nuk janë shfrytëzuar plotësisht kanalet e komunikimit ndërparlamentar dhe konsultimeve ndërinstitucionale. Po ashtu, vazhdojnë edhe disa mosmarrëveshje në adresimin e çështjeve të caktuara ndërkombëtare, si, për shembull, çështja e sanksioneve antiruse. Dhe e gjitha kjo natyrisht që nuk është në funksion të dialogut dypalësh.

Edhe kolegët tanë shqiptarë patjetër që parashtrojnë argumentet e tyre, dhe aktualisht po mundohemi të gjejmë pika të përbashkëta për të dalë nga ky ngërç kundërproduktiv. Do të doja të theksoja që Rusia është e gatshme ta nxisë përfundimin e kësaj ndërprerjeje të tejzgjatur të kontakteve tona. Për këtë kemi të gjitha premisat e nevojshme. Partnerët tanë shqiptarë e dinë që fushat më me perspektivë për bashkëpunim midis palëve, krahas tregtisë, janë energjia, transporti, turizmi, bujqësia dhe drejtime të tjera.

Për fat të mirë, kohët e fundit kemi parë disa zhvillime pozitive në këtë kontekst. Shpresoj shumë që këtë vit do t’ia dalim më në fund të organizojmë sesionin e radhës të Komisionit Ndërqeveritar për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, i cili nuk është mbledhur prej tetë vitesh. Me palën shqiptare kemi arritur një dakordësi paraprake për të mbajtur në kuadër të këtij Komisioni edhe një forum të përbashkët biznesi. Dhe kjo është tepër e rëndësishme, pasi, siç tregon përvoja e deritanishme, në marrëdhëniet tona ekonomike ende mbizotëron njëfarë faktori politik. Jam i bindur që vendosja e lidhjeve të drejtpërdrejta midis komuniteteve të biznesit do të përbënte një hap shumë domethënës drejt ndërtimit të një bashkëpunimi pragmatik dhe të depolitizuar.

Të nderuar kolegë, këtu në Shqipëri më pyesin shpeshherë: a e do me të vërtetë Rusia forcimin e ndikimit të saj në Ballkan? Dhe a është ajo kundër integrimit të rajonit në BE? Unë do t’ju përgjigjem me fjalët e ministrit Lavrov, i cili u shpreh se Ballkani është “një rajon, të cilin Perëndimi për arsye të panjohura e konsideron si një fushë veprimesh provokuese të Rusisë… Dhe këtu Perëndimi prapë po i trajton këto çështje me një logjikë të papërshtatshme, të cilën e përdor dhe në trajtimin e hapësirës postsovjetike: “ose me ne, ose kundër nesh””. Dhe kjo është e vërtetë! Çdo përpjekje e Rusisë për të ndërtuar marrëdhënie normale me vendet ballkanike bëhet menjëherë objekt i një shqetësimi të politikanëve perëndimorë, të cilët dalin pastaj me deklarata të tipit: “Rusia kërkon rritjen e influencës së saj në Ballkan”.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm për një rëndësi të veçantë gjeopolitike si të Shqipërisë, ashtu edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Dhe natyrisht që ne synojmë forcimin e ndikimit tonë në këtë pjesë të Evropës. Por këtu duhet të specifikojmë se çfarë pikërisht nënkuptojmë me fjalën “ndikim”. Partnerët tanë perëndimorë s’e di pse shohin te kjo fjalë njëfarë konotacioni negativ dhe pastaj e frikësojnë veten dhe njëri-tjetrin me “planet agresive” të Rusisë në Ballkan, me “orekset ekspansioniste” të Moskës, me “propagandën armiqësore të Kremlinit” dhe kështu me radhë.

Por të gjitha këto akuza nuk kanë lidhje me Rusinë, veçanërisht me Rusinë postsovjetike ose me Rusinë e re, e cila i ka ndryshuar rrënjësisht edhe prioritetet e saj të brendshme, edhe linjat e politikës së saj të jashtme. Pas shpërbërjes së BRSS-së kemi hequr dorë nga ideologjia komuniste, nga parimet socialiste të ekonomisë së planifikuar dhe kemi kaluar tek sistemi liberal dhe tregu i lirë. Në fillim të viteve ’90 Rusia ka qenë shumë e sinqertë në dëshirën e saj për t’u bërë pjesë e botës perëndimore, për t’u integruar në infrastrukturën ekonomike dhe madje ushtarake të Perëndimit. Kemi propozuar që bota të mos ndahet më në dy kampe konfrontuese, që t’i japim fund mendësisë së kampeve dhe të krijojmë bashkërisht një sistem të sigurisë së barabartë dhe të pandashme ndërkombëtare.

Dhe Rusia ndërmori disa hapa konkretë në këtë drejtim. U çmontua Organizata e Traktatit të Varshavës. Rusia doli pro bashkimit të Gjermanisë dhe i tërhoqi shumë shpejt të gjithë trupat e saj edhe nga Gjermania, edhe nga vende të tjera të Evropës Lindore. Ndërsa partnerët tanë perëndimorë jo vetëm që nuk e ndoqën shembullin e Rusisë dhe nuk e shpërndanë NATO-n, por, pavarësisht premtimeve për moszgjerimin e aleancës drejt Lindjes, nuk e mbajtën fjalën e tyre. Përkundrazi, filluan zgjerimin e saj gradual, duke e afruar gjithnjë e më shumë me kufijtë e Rusisë.

Shansi i dytë për përmirësimin e marrëdhënieve u shfaq pas zgjedhjes President i Rusisë të z. Putin. Shumë njerëz ndoshta e kanë harruar, por pas ardhjes në pushtet ai doli hapur pro integrimit të vendit tonë në NATO si partner i barabartë. Z. Putin deklaronte vendosmërisht që nuk e sheh Rusinë të shkëputur nga Evropa dhe nuk e imagjinon NATO-n në rolin e armikut. Megjithatë, kjo qasje e presidentit nuk gjeti asnjë mbështetje nga ana e Perëndimit. Pavarësisht kësaj, Rusia vazhdoi të bënte gjithçka për t’u afruar me SHBA-të dhe BE-në. Në vitin 2001 z. Putin mbështeti instalimin e bazave amerikane në Uzbekistan dhe Kirgizistan dhe hapi hapësirën ajrore të Rusisë për transportin e ngarkesave të destinuara për trupat e NATO-s në Afganistan. Po në atë vit Presidenti Putin mbajti një fjalim në parlamentin gjerman, ku bëri thirrje për ndërtimin e një arkitekture të re të sigurisë evropiane, bazuar në besimin reciprok. Ai u shpreh shumë qartë se Luftën e Ftohtë Rusia e konsideron të mbaruar, se Rusia është e hapur për bashkëpunim dhe e shikon veten si një pjesë të Evropës dhe të qytetërimit evropian. Shumë shpejt pas asaj udhëheqja ruse mori vendimin për mbylljen e bazave tona ushtarake në Vietnam dhe në Kubë dhe nisi tërheqjen e kontingjentit rus nga Gjeorgjia.

Për fat të keq, Perëndimi nuk u tregua bashkëpunues karshi iniciativave të Rusisë. Në vend të kësaj, në dhjetor të 2001 Presidenti George W. Bush deklaroi se SHBA-të po mendojnë të tërhiqen nga Traktati mbi shkurtimin e sistemeve antiraketore, nënshkruar në vitin 1972. Dhe në 2002 Shtetet e Bashkuara me të vërtetë u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga ky dokument kyç ruso-amerikan, i cili garantonte qëndrueshmërinë e balancës globale të fuqive. Ishte një goditje e rëndë për paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm. Në 2003 SHBA-të dhe aleatët e tyre përdorën një pretekst të rremë për të pushtuar Irakun. Meqë ra fjala, pasojat katastrofike të këtij pushtimi mund t’i shohim edhe sot e kësaj dite. Në 2004 ndodhi zgjerimi i radhës i BE-së dhe NATO-s kur këtyre organizatave iu bashkuan disa shtete të Evropës Lindore, përfshirë këtu edhe vendet Baltike. Natyrisht që bashkë me zgjerimin e NATO-s nisi edhe afrimi i infrastrukturës ushtarake të aleancës me kufijtë e Rusisë.

Një goditje kolosale për marrëdhëniet Rusi-Perëndim u shkaktua në 2006, kur SHBA-të bënë të ditura planet e tyre për vendosjen në Evropë të një sistemi antiraketë, objektivi i të cilit, sipas amerikanëve, është neutralizimi i rrezikut të pretenduar nga Irani. Kuptohet se Moska kishte nevojë për garancitë që ky sistem të mos përdoret kundër Rusisë. Për këtë arsye Presidenti Putin i propozoi Amerikës që të krijohet një sistem i përbashkët ruso-amerikan në bazë të radarëve rusë dhe të vihet pastaj nën kontroll të Këshillit Rusi-NATO. Por Uashingtoni na tha “jo”.

Po t’i marrim parasysh të gjitha këto fakte, atëherë deklaratat e liderëve perëndimorë se veprimet aktuale të NATO-s mbartin karakter mbrojtës tingëllojnë të paktën naive. Sepse gjatë shumë viteve Perëndimi nuk bënte asgjë tjetër përveç se sulmonte, ndërkohë që ishte Rusia ajo që duhej ta mbronte veten.

Në këndvështrimin tim, e gjithë politika e sotme e Perëndimit me në krye Shtetet e Bashkuara ndaj Rusisë ka për qëllim justifikimin e aktivitetit të NATO-s, të këtij blloku gjigant ushtarako-politik me një buxhet prej 1 trilion dollarësh, i cili siç duket ka nevojë për një armik imagjinar për të justifikuar ekzistencën e vet. Dhe pikërisht për këtë arsye mund të dëgjojmë vazhdimisht këto akuza të pabaza ndaj Rusisë “agresive”, nga e cila gjoja duhet të mbrohesh.

Unë dua t’ju them me përgjegjësi të plotë se as nuk bëhet fjalë për kurrfarë ndikimi negativ të Rusisë në Ballkan. Interesat e Rusisë në shtetet ballkanike janë krejtësisht të njëjtë me interesat e saj në rajone të tjera të botës dhe synojnë ndërtimin bashkë me partnerët të një dialogu të barabartë në bazë të respektit reciprok, një bashkëpunim pragmatik ekonomiko-tregtar, si edhe një ndërveprim energjik në fushën e kulturës dhe atë të arsimit. Dhe meqë ra fjala, Rusia kurrë nuk ka dalë kundër perspektivës evropiane qoftë të Shqipërisë, qoftë të vendeve të tjera të rajonit. I vetmi interes i Rusisë është që Ballkani Perëndimor të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të kapërcejë të gjitha kontradiktat e brendshme që ende ekzistojnë në rajon.

Siç theksoi Ministri Lavrov, ka ardhur koha që Ballkani të mos përdoret më në lojërat gjeopolitike. Në vend të kësaj duhet të punohet për krijimin e sigurisë së përbashkët evropiane, në kuadër të së cilës edhe anëtarët e NATO-s, edhe anëtarët e CSTO-s, edhe vendet që nuk bëjnë pjesë në aleanca ushtarako-politike të ndiheshin të mbrojtura në masë të barabartë me siguri të pandashme. Asnjë rrugë tjetër nuk ka. Në të kundërt, për shkak të dëshirës së Perëndimit për të ruajtur natocentrizmin dhe mosdashjes së tij për të diskutuar mbi garancitë ligjore të sigurisë jashtë kufijve të aleancës, ne do të vazhdojmë të biem gjithmonë në të njëjtin kurth. Dhe pa dyshim ne do të ishim të lumtur nëse Shqipëria do të ndiqte pikërisht një politikë të tillë, pra një politikë shumëdimensionale.

Të nderuar miq, duke e mbyllur fjalën time dëshiroj të them edhe diçka tjetër. Unë kam më shumë se tre vite që punoj në Shqipëri. Sigurisht që gjatë kësaj periudhe jam njohur nga afër me vendin tuaj të mrekullueshëm, me natyrën e tij, me monumentet historike, po edhe me kushtet fantastike për turizmin. Gjithsesi, përshtypjet e mia më emocionuese lidhen me komunikimin tim me qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, shumica e të cilëve ushqejnë ndjenja pozitive ndaj Rusisë dhe popullit rus. Shqiptarët e duan shumë kulturën tonë, letërsinë, muzikën, pikturën dhe jo vetëm. Ata nuk e kanë harruar se në periudhën e pasluftës pothuajse e gjithë elita e shtetit shqiptar ishte përgatitur në Rusi: inxhinierët, mjekët, pedagogët, ushtarakët dhe madje shkrimtarët me famë botërore, si Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare. Jam vërtetë i gëzuar që arsimi i lartë rus edhe sot e kësaj dite mbetet mjaft i kërkuar në Shqipëri. Çdo vit ambasada jonë u akordon maturantëve shqiptarë rreth 40 bursa për studimet falas në universitetet më të mira të Rusisë (për vitin e ardhshëm akademik kemi një kuotë prej 50 bursash). Të gjithë shqiptarët që studiojnë në Rusi diplomohen pastaj si specialistë të klasës së lartë dhe i shërbejnë denjësisht vendit të tyre.

Për mua si ambasador i Rusisë në Shqipëri objektivi im personal dhe detyra kryesore e ambasadës është rivendosja e bashkëpunimit dhe besimit reciprok midis vendeve dhe popujve tanë në atë nivel të lartë, i cili ka ekzistuar më përpara. Jam i sigurt që kemi gjithçka të nevojshme për këtë.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

Autori është ambasador i Rusisë në Tiranë (fjala e mbajtur gjatë tryezës me temë: Politika e jashtme e Rusisë: Shqipëria dhe çështje strategjike).

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here