Ceremonia martesore përmes traditave të djeshme dhe realitetit të sotëm

0

Nga: Jola Alimemaj

Muajt e verës nuk njihen vetëm si koha për pushime, por edhe si ndonjë nga ditët më të mira për të zhvilluar ceremoninë martesore. Megjithatë, kohët e fundit ka edhe raste të dasmave që kryhen në stinë të tjera dhe madje jo vetëm ditët e diela siç ndodhte dikur. Pavarësisht shumë ndryshimeve dhe huazimeve nga të huajt, ceremonia martesore njihet ende si një nga eventet më të rëndësishme për shoqërinë tonë. Madje ka shumë familje që bëjnë të pamundurën të kryejnë të gjitha shpenzimet e nevojshme që dasma e fëmijëve të tyre të realizohet më së miri ku dhe farefisi të mbetet i kënaqur. Deri diku duket sikur askush nuk mendon për çiftin dhe dëshirat e tyre sesa më tepër për të ftuarit.

Një risi për vitet e fundit në organizimin e kësaj ceremonie janë agjensitë e eventeve martesore të cilat lehtësojmë punë dhe kohë, por sigurisht që kërkojnë një shumë të konsiderueshme parash. Ky event më tepër se bashkimin e të dy palëve në martesë, tregon mbledhjen e njerëzve të afërt, respektin ndaj tyre dhe nxjerrja në pah e zakoneve krahinore. Shqiptarët, aq shumë e marrin seriozisht dasmën saqë mund ta kenë organizuar si event, por ende nuk mund të kenë shkuar në gjendje civile për të lidhur kurorë duke u njohur legjërisht. Ata janë mjaftuar në mënyrë simbolike të miratohen nga shoqëria apo farefisi për bashkimin e tyre.

Sigurisht, që vihen re ndryshime në organizimin e dasmës  nga zonat rurale dhe ato urbane, por thelbi mbetet thuajse i njëjtë. Mund të ketë ndryshime në hedhjen e valleve apo këndimin e këngëve, por shumë gjëra mbeten po ato si dikur. Ajo që ka rëndësi në analizimin e shumë ritualeve, sjelljeve dhe zakoneve, vihet re se ato janë ende të veshura nën petkun e patriarkalitetit dhe mentalitetit të vjetër. Së pari, nusja dhe veshja e saj ende simbolizohet nga e bardha (kohët e fundit janë dhe nuancat e tjera që preferohen si bezha, pana, shampanjë). Pa theksuar pjesën e çmimit të qerasë apo blerjes që është marramendësë, mund të themi që kjo ngjyrë tregon dlirësinë, ndershmërinë dhe virgjërinë.

Megjithatë ndryshimi i kohëve ka sjellë që dasmat mund të zhvillohen edhe kur nusja është disa muajshe shtatëzanë apo kur fëmija e çiftit bën vitin e parë të jetës. Së dyti, momenti i daljes së nusjes nga shtëpia bëhet akoma edhe sot nga një burrë i shtëpisë, vëllai ose dhe djali i xhaxhait (në disa qytete në jug të vendit mund të jetë edhe daja). Ky zakon tregon se vajza përcillët në derën tjetër dhe duhet të jetë një burrë qe bën dorëzimin për tek një tjetër burrë. Së treti, pothuaj gjithmonë vjehrra e nuses qëndron në shtëpi dhe pret dasmorët. Në momentin kur nusja hyn ne shtëpinë e re, dera lyhet me mjaltë dhe bëhen urimet për shkuarje të mirë midis dy palëve. Edhe pse shumë çifte mund të  jetojnë veç, sërisht mund ta bëjnë këtë riatual i cili duket sikur sjell mbarësi dhe raport të mirë midis të dyjave, nuses dhe vjehrrës. Së katërti ende ekziston ndjellja për fëmijë djem.

Në disa zona të Shqipërisë së veriut, nuses i sjellin një fëmijë djalë të mbuluar (në dyjak), ku më pas ajo i jep një palë çorape ose diçka tjetër. Edhe në qytete të tjera ndodh që një djalë të vendoset në krevatin martesor të çiftit po me të njëjtën simbolik, që të sjellin në jetë femijë djem. Mos harrojmë që dhe urimet për të sapomartuarit ne shumë raste ende ka mbetetur “trashëgime dhe me një djalë”.  Së pesti, dasma nuk fillon pa fjalimin e babait të dhëndrit. Ceremonia mund të jetë shumë moderne, arredimi mund të ketë elemente nga huazime të huaja por zakoni e do që burri i shtëpisë ta bëjë mirëseardhjen. Edhe kur babai nuk mundet të flasi përpara publikut apo nuk është i gjallë, fjalimin e bën xhaxhai i dhëndrit. Si përfundim vjen mbyllja e ceremonisë me këngën e beqarit.

Në shumë dasma vendoset kënga e djegies së shamisë së beqarisë për dhëndrin. Nusja në mënyrë simbolike e merr shaminë, e lan dhe e than sipas rolit që i caktohet, ndërsa burri qëndron para saj i ulur këmbëkryq. Shoqëria e fton këtë të fundit ta djegë këtë copë e cila tregon fundit e qejfeve dhe hyrjen në botën e halleve të martesës. Sigurisht që është vetëm një këngë, por këndohet ende sot dhe demonstrohet edhe realisht në jetët e shumë familjeve. Mund të theksojmë që për mentalitetin tonë, martesa për vajzën është thuajse gjëja më e rëndësishme, ndërsa jo aq sa për djalin. Mos harrojmë urimet e njerëzve ku shpesh iu drejtohen vajzave me një fat të mirë dhe martesë të shpejtë. Djali ka thuajse gjithmonë kohë dhe së pari duhet të shohë punën apo karrierën. Këto e shumë zakone të tjera patriarkale ruhen edhe dhe në shumë qytete apo fshatra si teje të rëndësishme. Disa të tjerë i kryejnë edhe si një forcë zakoni që ka mbetur.

Pas disa muajve organizim, listat e të ftuarve, porosive të luleve dhe mishit,  nusja dhe dhëndri të lodhur nga emocionet dhe sikleti, kërcejnë dhe mundohen të argëtohen për mos të menduar shumë që të nesërmen do paguajnë kredinë e marrë, apo ku dhe si do jetojnë apo dhe për gjëra më jetike.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here