Çelësi i suksesit

0

Nga Hashim Thaçi

Republika e Kosovës  vitin e ardhshëm do ta shënojë dhjetë vjetorin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë. Vetëm njëzet vite më parë, shumë pak qytetarë të Kosovës kanë besuar se kjo do të ishte e mundur. Por, historia dhe përvoja jetësore ka dëshmuar se liria mund të arrihet kur një popull bashkohet dhe sakrifikon gjithçka për të. Kështu ndodhi edhe në Kosovë. Liria u pagua shtrenjtë nga gjaku i qindra e qindra dëshmorëve dhe i mijëra viktimave civile. Kosova shtet i pavarur dhe sovran është realitet i sotëm, falë kësaj sakrifice.

Liria na mundësoi të punojmë përsëri të bashkuar në shtet-ndërtim, që është një proces tepër kompleks dhe i vështirë. Të gjithë e dimë se cili ka qenë çelësi i këtij suksesi. Mbi të gjitha ishte uniteti politik dhe qytetar, bashkëpunimin e ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, gatishmëria për të qenë tolerant, pragmatik dhe aftësia për të bërë kompromise, si elementet kryesorë që përcaktuan suksesin tonë.

Kjo praktikë dhe kulturë politike që e ndoqëm bashkërisht në të gjitha proceset e shtet-ndërtimit është treguar jashtëzakonisht e suksesshme. Prandaj, pa asnjë hezitim jam i gatshëm që si President i Republikës së Kosovës të ndërtoj të njëjtën platformë, kur janë në pyetje procese jetike për shtetin tonë. Realiteti i sotëm i shtetit tonë, përsëri imponon nevojën e ndërtimit të një platforme të përbashkët të të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile, mediave dhe të gjithë atyre njerëzve të vullnetit të mirë që kanë dijen dhe gatishmërinë që potencialin e tyre ta vënë në shërbim të shtetit.

Gjatë kësaj dekade të parë të funksionimit të institucioneve demokratike, Kosova ka shënuar suksese të shumta në arenën ndërkombëtare, duke u bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe kemi filluar rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Tani  jemi në përfundimit të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), si një proces i domosdoshëm për sigurinë nacionale dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Kemi bërë shumë rrugë dhe kemi arritur suksese të pamohueshme. Por tani është koha të reflektojmë shumë seriozisht për rrugën tonë përpara. Duke të reflektojmë të bashkuar dhe të vendosim bashkërisht se si të ecim përpara. Realiteti i sotëm në arenën ndërkombëtare është shumë më ndryshe. Ne duhet të përshtatemi me kujdes në këtë ambient kompleks ndërkombëtarë, në mënyrë që të ruajmë edhe më tutje mbështetjen e partnerëve tanë kryesorë perëndimorë për ta bërë realitet aspiratën tonë për anëtarësim në OKB, NATO dhe BE. Pa arritjen e këtyre tri synimeve thelbësore, nuk mund të themi që shteti ynë është i konsoliduar dhe ka zënë vendin e vet të merituar në arenën ndërkombëtare, njësoj sikur shtetet tjera demokratike të botës.

Synimi i ynë është krejtësisht i mundur në rast se përkushtimi dhe puna e jonë do të jetë e përbashkët. Shumë pengesa kemi përpara në këtë rrugëtim, por asnjë nga ato nuk është e patejkalueshme. Por, duhet të jemi realistë dhe të pranojmë faktin se pengesa më e madhe në të gjitha këto përpjekje do të jetë aftësia e jonë për të përmbyllur me sukses fazën e fundit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tingëllon keq dhe ndoshta është e padrejtë për ne, por në masë të madhe, shpejtësia e arritjes së tri synimeve kyçe të sipër përmendura varet nga aftësia e jonë për të arritur marrëveshjen përfundimtare politike për normalizimin e marrëdhënieve me këtë shtet fqinj. Padyshim, normalizim i plotë nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

Unë nesër do të jem në Bruksel dhe së bashku më znj. Frederica Mogherini dhe presidentin e Serbisë Vuçiç do të diskutojmë për idetë preliminare se si do të vazhdojmë më tutje. Sigurisht, ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe transparent në këtë proces, por ketë duhet ta bëjmë në mënyrë institucionale. Prandaj, ne duhet që me urgjencë fillimisht të bëjmë konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe të qeverisë së re. Çdo vonesë e mëtejshme bartë me vete pasoja shumëdimensionale. Për më tepër, vonesat e tilla, e bëjnë të pamundur edhe ndërtimin e platformës së përbashkët të cilën e konsideroj të domosdoshme për proceset jetike shtetërore që na presin.

Jam i bindur se modelet që kemi aplikuar në të kaluarën, e të cilat kanë dhënë suksese historike për vendin tonë, jo vetëm që nuk janë të tejkaluara, por janë të domosdoshme për të ardhmen tonë. Prandaj, të gjithë presim që të gjitha partitë politike të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe që pa vonesa të funksionalizojnë Kuvendin e Kosovës dhe qeverinë e re.

Menjëherë pas kësaj, unë do të punoj për ndërtimin e ekipit të unitetit me përfaqësues nga partitë politike, shoqëria civile etj. Duhet të përgatitemi mirë dhe të jemi të bashkuar sepse Kosova nuk ka kohë për të humbur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here