Brukseli ka mbetur pa fjalë

0

Fadil LEPAJA

Krimi kaq e pat. Koka e krimit, u kap! Fillimisht dyshohej se koka e shtetit ishte edhe koka e krimit, pastaj ndryshoi opinioni. E ndryshuan mediat e shtetit. Së fundmi, të gjithë po dyshonin se koka është dikush që jeton në konspiracion të thellë. Për krimin e organizuar, e kam fjalën, se ky i pa organizuari, pa krye pra, nuk kapet dot.Pastaj, çfarë suksesi I politikës do të ishte po nuk do të kapej vet koka, e kokë nuk ka? Nëse nuk ka krim, as korrupsioni, pa krimin e organizuar nuk ka të gjallë, nuk mbijeton . Është simbiozë e njohur, kjo. Por hymë në të thella, ndërkaq e vërteta është e thjesht fare…

Falë rëndësisë, dhe befasisë, lajmi shpërtheu si bombë, aq sa askënd nuk e la indiferent. Ja vlente, sepse ishte kjo goditja e parë e madhe, ndaj krimit,në Kosovë, për të cilën askush nuk u akuzua se po i prek vlerat e luftës. Thuhej, se po fshihet, pas vlerave të luftës . Rren, paska qenë. Thjesht, krimi i organizuar nuk paska qenë aty.

Edhe njëherë u dëshmua, se pa u aktivizua faktori vendorë, kot EULEX-i apo kushdo tjetër. Kështu, lajmi sensacional plasi. Të gjithë ata të cilët po e kritikonin shtetin tonë të përsosur, se nuk po e lufton krimin, mbetën pa tekst. Edhe Brukseli. Brukselit,madje, as zani nuk po i ndihet! Pa fjalë ka mbetë!

Analistët, të cilët kurrë nuk mbesin pa fjalë, dhe edhe pse ata më të zhurmshmit furnizohen drejtpërdrejt nga (pu)shteti me informata, kësaj radhe nuk patën koment. U kap,vëlla, s’ka çka flitet ma! Thjesht, ishte goditje në zemër të krimit. Qy zemer, në kokë vëlla, se zemër nuk ka krimi.

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, ka traditë ndër ne. Mos e shihni veç nga rezultatet. Gjithë filmat e mëdhenjë për krimin e organizuar, kanë për personazhe tipat nga nëntoka amerikane, ruse, gjermane…! Asnjë i yni! Nuk është as ky I yni, përbindësh fare.

Përndryshe, as mos të provoj kush të akuzojë shtetin për shkelje të drejtave njerëzore, duke thënë se se edhe krimi dhe kriminelët e organizuar, kanë të drejta, sepse kudo që ndodhen, në politikë, në institucione, apo në shoqëri civile, ata trajtohet me respekt dhe kujdes të veçantë. Sidomos me respekt.

Ne kemi, gjithashtu edhe gazetari hulumtuese dhe thumbuese e cila kurrë nuk e le rehat krimin. Për shembull, një gazetar, të cilit, për motive xhelozie profesionale nuk dua me ja përmend emrin, e ka kapur idenë, se si prokuroria dhe në përgjithësi organet e ndjekjes në Kosovë, po e luftojnë, krejt pahetueshëm, krimin. Publiku nuk po vërenë asgjë. Me kujdes, dhe me vendosmëri, pra, dhe me shumë durim po e lufton krimin shteti.

Në anën tjetër, për të mbrojtur të drejtat e veta, të cilat, sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare dhe vendore, nuk shkelen fare, krimi nuk e sheh fare të arsyeshme të angazhoj avokat. E kanë angazhuar politikën, shoqërinë civile, mediat, shtetin…

Po vdesin nga monotonia, askush nuk i ngucë. Pa e marrë aprovimin e tyre, nuk futesh as në listat zgjedhore të partive kryesore që e drejtojnë shtetin, dhe kjo ndodhë qysh nga koha kur krimi ynë u organizua, u fuqizua dhe u pavarësua prej atij rajonal.

Por të kthehemi, te ideja e më sipërme. Gazetaria hulumtuese dhe provokuese ndër ne ka rrënjë të thella. Prokuroria po e lufton, po e mbytë krimin, korrupsionin sidomos, në mënyrë krejt origjinale. Këtë e bënë duke e zvarritur krimin nëpër gjykata. E zvarrisin me muaj, me vite dhe qëllimshëm nuk e dënojnë me burg. Edhe mirë bëjnë! Nëse e dënon menjëherë, dhe rras në burg, kjo në njëfarë mënyre është lehtësim, për vet krimin. Po pra, miku im, fjalë me peshë. Më mirë me e lodhë derisa të dorëzohet, ose të bëjë vetëvrasje. Kështu e ruajmë edhe efektivin, me “anti” .

Është e kuptueshme. Nuk shkon dënimi njëherë, pastaj krimi. Fillimisht ndodhë Krimi, pastaj vjen edhe dënimi, kështu thoshte dikur edhe shkrimtari i famshëm rus, vendi i të cilit më vonë u bë simbol i shtetit kriminal, gjykatave kriminale, aq sa krimi në krahasim me shtetin dukej viktimë. Shteti nuk ishte koka e krimit, ishte krimi vet. . Krim konsiderohej vetëm kur prekje në shtet. Në këtë shtet gjithçka bëhej në emër të lirisë dhe meritave.

Nejse, në fund të merremi pak edhe me lajmin, i cili e tronditi edhe Brukselin, aq sa seriozisht po mendohet që menjëherë të liberalizohen vizat, për Kosovën, pasi edhe kushti i fundit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, u përmbush.

U kap. Kësaj radhe, nuk u prekën as vlerat e luftës, as protesta nuk pat. Krejt kjo ndodhi falë “kamerave të sigurisë” në bazë të cilave, “ kemi arritur ta identifikojmë dhe arrestojmë personin e dyshuar” – deklaroi zëdhënësja e policisë rajonale. Koka paska qenë në Gjakovë!

Krejt Gjakova psherëtiu e lehtësuar. Edhe Drenica, e cila kësaj radhe nuk u përfol, rreth këtij krimi. As zonat e tjera operative, të krimit. Thjesht, nuk qenkan përfshi askush tjetër në këtë biznes përfitues. Si duket, në zonat e tjera, askush nuk vjedh biçikleta! Ky “koka”, i paska vjedhur hiç më pak se 12. Jo veç krim, por edhe turp!

Të kuptohemi, sot sipas gëzimit të shtetit, po duket se biçikletat janë biznesi më i madh i krimit të (pa)organizuar te ne. kuptohet, se nuk mund të ikësh me veturë, në këtë kaos që mbretëron rrugëve të Kosovës? Pastaj, veturat,bien në sy. E krimi i (pa)organizuar nuk do të bjerë në sy. As nuk e ndotë ambientin, sepse aty ndërkombëtarë e vendorë nuk të falin, dhe janë shumë të ndjeshëm. Duhet ruajtur me çdo kusht harmonia me ndërkombëtarët.

Pra, krimi i organizuar te ne vozitet me biçikleta. Me vetura të shtrenjta vozitet politika, zyrtarët e institucioneve, shoqëria civile, rastet sociale…!

Prandaj, nuk ka asnjë dyshim, se kapja e hajnit të biçikletave në Gjakovë paraqet një sukses aq të madh sa që as Brukseli nuk mund të qëndrojë indifferent. Kushti I fundit u përmbush. Liberalizimi nuk ndalet më. Mogherini gojë ka, gojë s’ka!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here