Auto censura si klishe sociale

0

LIS BUKUROCA

Në Europë është kudo normale të shkruhet për religjionin, mbi religjionin dhe mbi pasojat e tij gjersa kishte pushtet dhe gjersa garantonte injorancën me përkushtim “hyjnor!” Kjo mësohet edhe në shkollë. Atë liri lejon kushtetuta pasi ka përjashtuar religjionin nga shteti, i cili siç dihet, pranonte vetëm një të vërtetë. Jo një realitet, që duhet të dihet, që duhet të hulumtohet, por një që duhet vetëm të besohet. Në fakt ishte edhe më lehtë! Kleri nuk kërkonte angazhim, por pasivizim dhe nënshtrim për luftëra të shenjta! Aty ndalohej edhe dyshimi, edhe pyetja.  Epoka e dominimit politik të religjionit në Europë quhet Epokë e Territ, obskurantizëm, kurse çlirimi prej saj, iluminizëm, në Francë edhe Shekulli i Dritave.

Kushtetuta e sotshme nuk njeh personalitete hyjnore, profetë e engjëj, por i garanton njeriut atë që i nevojitet më së shumti në jetë: Lirinë. Lirinë e mendimit. Lirinë e fjalës. Lirinë e shkrimit. Lirinë e veprimit derisa nuk dëmton tjetrin. Pra e bën autor të jetës, jo subjekt të saj. Fal asaj lirie sot, edhe klerikët monoteistë jetojnë shumë më mirë, se sa kur kishin pushtetin politik paraardhësit e tyre, kur ndalonin edhe mësimin e alfabetit. Në shumë vende edhe sot grave. Duhej lindur Rousseau për të kërkuar arsimim për të gjithë.

Në kohën komuniste nuk ishte çudi të vihej në dyshim ekzistenca e zotit. Sot mund të shahesh nëse thua mendimin objektiv për pushtimin osman. Komentuesi e beson si robëri pozitive. Nuk është çudi, kur një i radikalizuar sheh botën vetëm brenda kornizave fetare dhe merr për sipër të mbrojë zotin e gjithëfuqishëm nga ai që nuk beson si ai, por është për t’ u habitur, kur këtë bëjnë të arsimuarit.

Nëpër shumë komente shihet ndikimi i radikalizmit, edhe pse personi që shkruan, nuk është i radikalizuar apo mund të supozohet se nuk është, por i kanë imponuar parimet e salafizmit, prandaj kërkon të anulohet liria e mendimit dhe fjalës: Kërkesë antikushtetuese duke u mburrur se është njeri i qytetëruar, se është intelektual! Ai kërkon pezullimin e lirisë demokratike duke pohuar se adhuron demokracinë!

Të shkruhet edhe kundër religjioneve, në Europë konsiderohet iluminizëm, por të kërkohet anulimi i lirisë së mendimit, është shërbim vullnetar teokracisë absolute dhe diktatoriale, ku komentuesi nuk do të dëshironte kurrë të jetojë.

Kjo demokraci, nuk shpall krishterofob një njeri, që shkruan për Jezu Krishtin apo kundër tij ashtu si i pëlqen rradakes së tij. (Arabia Saudite ndalon ndërtimin e kishave, por askush nuk e shan, kurse në Europë, nuk ndalohet në asnjë vend ndërtimi i xhamisë me ligj.)

Për ndalimin e lirisë së shprehjes do të nevojiteshin ndryshime në kushtetutë. Intervenim në thelbin e rendit demokratik. Kjo domethënë diktaturë kalifati, me pasoja të mëdha për qytetërimin dhe paqen. Kryesisht për ne në Europë, të rrethuar me besime tjera.

Shkurt e shqip, demokracia garanton lirinë e fjalës dhe lirinë e besimit. Njëri ka të drejtë të besojë, tjetri ka të drejtë të mendojë, të flas, të shkruajë, të mos besojë apo ta ndryshojë religjionin sa herë t’ i teket. Nëse e dëshiron, çdo ditë!

Të pretendohet ndalimi i religjionit është antikushtetues. Të kërkohet ndalimi i shprehjes së mendimit, është kërkesë antikushtetuese. Të radikalizuarit nuk e kuptojnë, por të manipuluarit duhet ta marrin vesh se duke kërkuar të mos debatohet për pushtues apo religjione, kontribuojnë për ndërtimin e diktaturës fetare. Demokracia nuk lejon të shfrytëzohen të arriturat e iluminizmit, për të shfuqizuar vetveten. Në vendet teokratike ka Polici Morali, në rend demokratik shkruhet për zotin dhe dreqin. Ligjet nuk merren të gatshme nga lashtësia, por aprovohen pas një debati në Kuvend.

Shekulli i fundit ka dëshmuar se demokracia është rendi më i mirë. Jo i përkryer, por më i miri që ka zbuluar njeriu! Religjioni ka ndarë njerëzit në gjini dhe besime. Demokracia lufton atë ndarje dhe përpiqet me sistemet e veta legjislative dhe ekzekutive të garantojë ruajtjen e dinjitetit të njeriut dhe, kryesorja, ndalon diskriminimin, të cilin e predikon çdo religjion monoteist.

Të radikalizuarit dhe të manipuluarit përpiqen të imponojnë auto censurën si rregull, si parim pa të cilin nuk mund të jetohet në një shoqëri! Akoma pa shkundur si duhet auto censurën komuniste, përvetësojnë tjetrën! Gjakderdhja për liri dhe çlirimi nga tutorizmi fetar ka kushtuar tepër shumë, ka vlerë aq të madhe për paqen, sa vendimi për kufizimin e saj, nuk mund më  t’ u lihet përfaqësuesve apo mbështetësve të obskurantizmit! Pa marrë parasysh kërcënimet, shantazhet, ofendimet apo vulgaritetin e tyre.

Demokracia është më e fuqishme se çdo rend tjetër në të kaluarën. Njerëzit që adhurojnë lirinë, barazinë dhe që mbrojnë atë, janë tepër shumë në krahasim me të radikalizuarit dhe manipuluarit periferik të shoqërisë. Qëllimi kryesor i demokracisë është lumturia e njeriut gjatë jetës. Qëllimi kryesor i religjionit është lumturia pas vdekjes! Demokracia i shërben njeriut, jo zotit! Religjioni i shërben zotit, duke dëmtuar njeriun dhe anuluar lirinë e tij!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here