ASNJËRIT NUK I DHIMBSET XHISIELA!

0

Nga Zamira ÇAVO

Ndodhi sërish. Për të qindën apo për të mijtën herë! Gjithnjë dhunë ndaj vajzave, ndaj femrës ndaj të dashurave apo edhe grave, të cilat janë shndërruar në “ish”. Dhuna e një shoqërie që e quan veten “burrërore”, e që di ti zgjidhë problemet me dhunë! Dhunë që falë Zotit këtë herë nuk përfundoi në vrasje. Po sa herë ka çuar drejt vdekjes dikë që dikur e ka dashur? Sa herë ka ndodhur? Sa herë kemi dalë rrugëve për të protestuar kundër dhunës ndaj grave?! Sa herë? Çfarë ka ndryshuar? Mendoj se shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet mirë për të kuptuar se ç’po ndodh me të. Rasti Xhisiela është një rast kur duhet të refelektojmë.

-Së pari shoqëria shqiptare është bërë shumë herë më e dhunshme se dikur kur sundonte Kanuni! Kanuni nuk e prekte gruan. As nuk e dhunonte. Si ka ndodhur? Fare thjeshtë; Kemi futur dhunën si të vetmin element për të zgjidhur problemin. Dhunën dhe arrogancën! Kjo dhunë duket që nga Tempulli ynë i pushtetit, Parlamenti, e deri ne shkolla ku mësuesi rreh nxënësin.

-Së dyti : Edukimi i fëmijëvë ka dalë tërësisht jashtë kontrollit familjar e shkollor. E kur prindërit janë “Boss” parash, janë avokatë e gjyqtarë të pasur, janë bankierë e deputetë, shpesh fëmijët e tyre e quajnë të tyren këtë pushtet, pasi babai ua zgjidh hallet me telefon dhe ata vetë i zgjidhin herë me grushte e here me plumba. Askush nuk i dënon, sepse paratë janë më të pushtetshme se gjithçka. Këta prindër i kanë humbur me kohë këta fëmijë. Dikur ata do përfundojnë ose para pistoletës së ndonjë të “forti” tjetër ose pas kangjellave të burgut diku nëpër botë. Tufat e parave i bëjnë hije dhunës, plumbit dhe vdekjes!

-Së treti: Ka shumë vajza që për të dalë nga bataku i varfërisë, për të “jetuar jetën” sipas tyre, bëjnë gjithçka për t’u lidhur me dikë që të mund t’ua sigurojë këtë “jetë”. Lidhen me paratë aq shumë sa harrojnë personalitetin e tyre. Pranojnë të poshtërohen e të dhunohen vetëm që të mos e humbasin këtë jetë. Është një marrëzi që është përhapur gati si epidemi. Vajza që janë gati t’i hyjnë në shtart kujtdo për ca para!

Dhe mos themi se këtë e bën varfëria. Kemi qënë edhe më të varfër, por edukimi dhe mbajtja afër e femijëve nga familja e shoqëria, media e shkolla fokusoheshin në këtë edukim! Sot këta aktorë janë tërësisht kundër.

Ndaj, ndiej neveri kur bërtasin për drejtësi mediat që e quajnë të mbaruar punën e tyre, sapo bëjnë lajmin “skup”. Ndiej keqardhje për ato shoqata që vazhdojnë të bëjënë protesta vetëm kur ndodh dhe asnjëherë nuk ndërhyjnë për të parandaluar aktet e dhunës kudo shfaqen.

Ndjej neveri për gratë deputete, që edhe nga fatkeqësi të tilla synojnë të nxjerrin përfitime politike. Asnjërit prej tyre nuk u dhimbset Xhisiela! Të gjithë kërkojnë të nxjerrin përfitime nga ngjarja.

Boll më. O njerëz, ktheni sytë nga shkaqet që e pjellin çdo ditë këtë dhunë. Dhe lëreni në fatkeqësinë e saj vajzën! Ju nuk doni ta ndihmoni atë. Ju po e dhunoni edhe njëherë duke e hedhur në prehrin e një opinion publik maskilist dhe të dhunshëm!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here