Ali Ajeti, Zahir Pajaziti i kohës së tij

0

Shkruan: Shefqet Cakiqi-Llapashtica

Rikujtim i heroit Ali Ajeti në ditën kur pashë të shkatërruar pllakën përkujtimore në vendin e rënies heroike
Ali Ajeti, me veprën dhe rënien e tij heroike, na bënë krenar neve që e njohëm dhe bashkëvepruam, por edhe na obligon njëkohësisht që të vërtetën për idealet e tij dhe rënien e tij për ato ideale ta tregojmë për bashkëkohanikët dhe gjeneratën e re në Kosovë dhe më gjerë.
Pas vitit 1981 dhe gjendjes së jashtëzakonshme, viti 1989 ishte viti më i rëndë për Kosovën dhe popullin e saj. Në mars të atij viti ishte suprimuar autonomia e brishtë. Gjatë asaj periudhe ishte rivendosur gjendja e jashtëzakonshme. Populli i Kosovës u ngre në këmbë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të veta. Demonstratat dhe grevat ishin të përditshme anekënd Kosovës. Vetëm në periudhën mars-maj 1989 ishin vrarë ose mbytur në torturë mbi 58 shqiptarë nga moshat më të reja e deri në pleq të moshuar.
Pas suspendimit të autonomisë së Kosovës dhe prishjes së balancës në ish-Federatën Jugosllave, ishte paraqitur edhe interesimi i parë i bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj. Parlamenti Evropian kishte paraqitur një Rezolutë në prill të vitit 1989, përmes së cilës dënohej shkelja e të drejtave të popullit të Kosovës. Në këtë vazhdë ishte edhe rezoluta e Kongresit Amerikan në gushtin e vitit 1989, e cila dënonte shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Ali Ajeti burgoset më 3 janar 1984 dhe dënohet me 5 vjet burg politik
Ali Ajeti ishte nga veprimtarët politikë që u kishin dhënë emër kërkesave të shqiptarëve në Kosovë që nga pranvera e vitit 1981 e 1982 me demonstratat masive me kërkesën tashmë shumë popullore për Kosovën Republikë dhe barazinë e saj me republikat e tjera në ish-Federatën Jugosllave. Ali Ajeti, pas vuajtjes së burgut politik 1984-1988, i përkiste tashmë një rrethi të veprimtarëve të vendosur, të gatshëm për t’u sakrifikuar për lirinë e Kosovës. Regjimi serb dhe politika e Millosheviqit ishte në kulmin e ekspansionizmit. Finalen e këtij ekspansionizmi politika serbe e Millosheviqit e mendonte për qershorin e vitit 1989, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, për çfarë bënte thirrje për marshin e dy milionë serbëve në Gazimestan. Ky ishte edhe kërcënimi më serioz që u bëhej shqiptarëve në atë periudhë. Populli i Kosovës dhe djalëria kryengritëse filloi të mendonte për ndërmarrjen e masave mbrojtëse. Në demonstratat që bëheshin në mbrojtje të autonomisë së Kosovës ishin vrarë me dhjetëra shqiptarë, ishin burgosur me mijëra shqiptarë të tjerë dhe vazhdonte gjendja e jashtëzakonshme. Serbia dëshironte t’i shtypte shqiptarët dhe t’i reduktonte kërkesat e tyre që në periudhën nga 1981-1982 ishin të përqendruara në kërkesën për Republikë dhe barazi me republikat e tjera, tash në periudhën e fushatës për suprimimin e autonomisë në vitin 1988-1989 kjo fushatë e egër kishte bërë që kërkesat e demonstruesve shqiptarë të reduktoheshin në mbrojtje të autonomisë dhe Kushtetutës së vitit 1974.
Ali Ajeti dhe grupi i rezistencës në ilegale kishte vendosur që më 30 maj të demonstrohej në Besianë (ish-Podujevë) dhe të thuhej e vërteta për Kosovën dhe kërkesat e saj. Parlamenti Evropian ato ditë dërgon një komision të përbërë prej pesë vetave, të kryesuar nga Hulian Grimaldos, me anëtarët Gliorgio Rosseti, Emilio Espedes, Frode Kristoffersen dhe Lisilot Siebel Emmerling, për ta ekzaminuar gjendjen në Kosovë pas Rezolutës së prillit. Më 30 maj në orën 13.00 ishte paraparë ardhja e këtij delegacioni të Parlamentit Evropian në Besianë. Grupimi politik ilegal, që në atë periudhë njihej si “Çeta e Llapit”, vendosi që më 30 maj në orën 13.00 të organizojë një demonstrim masiv në Besianë. Qëllimi ishte që kërkesat e drejta të popullit shqiptar të thuhen edhe gjatë pranisë së Komisionit nga Parlamenti Evropian. Kjo edhe ndodhi. Me flamurin kombëtar shqiptar dhe me flamurin e Bashkimit Evropian u demonstrua në Besianë me parullat “Kosova Republikë”, “Vetëvendosje”, “Liri – Barazi – Demokraci”, “Parlament, mos lejo aparteid”, “Evropë, help – ndihmë” etj.
Me këtë rast vlen të theksohet se pas një periudhe të anatemimit dhe ndrydhjes së parullave “Kosova Republikë”, “Vetëvendosje” dhe “Pavarësi”, ato u brohoritën publikisht rrugëve nga mijëra demonstrues shqiptarë në Besianë. Ishte një tejkalim i kërkesave të reduktuara deri atëherë për mbrojtjen e autonomisë dhe Kushtetutës së vitit 1974. Kjo bëri që unë Ali Ajetin ta quaj Zahir Pajazit të kohës së tij. Ashtu siç bëri pushka e Zahir Pajazitit me kthimin e besimit dhe guximit të shqiptarëve në forcën dhe krenarinë e tyre, ashtu edhe Ali Ajeti dhe organizimi i “Çetës së Llapit” bëri kthimin e guximit në demonstrimin me guxim për kërkesat e drejta të popullit të Kosovës. Kjo bëri që të prishen projektet e politikës hegjemoniste serbe në Kosovë. Ky guxim dhe ky demonstrim, edhe me alternativën e rezistencës së armatosur, bëri që anekënd Kosovës të marrë fuqi veprimtaria për Pavarësinë e Kosovës, për Republikën e Pavarur të Kosovës. Dalja publike e “Çetës së Llapit” bëri që manifestimi i proklamuar i 600-vjetorit të Betejës së Kosovës të dështojë. Përderisa më parë flitej dhe propagandohej për marshimin e dy milionë serbëve në Gazimestan, numri i tyre mbeti në disa mijëra, përfshirë edhe disa shqiptarë që u shërbenin institucioneve të okupatorit serb. Ardhja e liderit serb Millosheviç në Gazimestan, në Gazimestanin e humbjes serbe, nuk u bë rrugës magjistrale që kalon për Besianë, por me helikopter special të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.
Demonstrata e 30 majit 1989 u shua me gjak. Në këtë demonstratë, në mbrojtje të rinisë shkollore, ra në fushën e nderit heroi Ali Ajeti. Të përkujtojmë se në atë periudhë në institucione të gjysmautonomisë ende kishte shqiptarë të verbëruar që i shërbenin okupatorit serb. Përkujtojmë se Ali Ajeti nuk vritet në demonstratë në rrugët e qytetit të Besianës, por pas ndërhyrjes brutale të njësisë policore-ushtarake dhe largimit të demonstruesve nga rrugët e qytezës dhe shpërndarjes nëpër fshatrat përreth Besianës. Kjo sa për të hequr “argumentin” se policia e asaj kohe kishte intervenuar në mbrojtje të rendit dhe qetësisë. Vrasja e Ali Ajetit ishte e organizuar dhe jo e rastësishme. Policia dhe ushtria serbe ishin vënë në ndjekje deri në likuidim fizik të njerëzve që kishin guxuar të brohoritnin parullat e lartshënuara.
Komisioni i Parlamentit Evropian e ndërpreu vizitën
“Ne kemi ardhur në Jugosllavi për ta bërë ekzaminimin e gjendjes në Kosovë dhe për të konstatuar të kundërtën e asaj çfarë ka konstatuar Parlamenti në Rezolutën e prillit. Por, ne mbetëm të zhgënjyer. Neve nuk na u mundësua vizita nëpër burgje, bisedat me të izoluarit, me intelektualët, me punëtorët, me studentët etj., me njerëzit e anës së kundërt, me ata që nuk pajtohen me qëndrimet e qeverisë. Jo vetëm që nuk na lejuan t’i zhvillojmë këto diskutime dhe t’i bëjmë këto vizita, po pikërisht më 30 maj, derisa ne ishim në Hotel ‘Grand’ në Prishtinë, u zhvilluan demonstrata, e që ndaj demonstruesve u shtie edhe me armë të zjarrit. Këtu ra një i ri në një fshat afër Prishtinës. Këndej neve nuk na mbeti gjë tjetër pos që të konstatojmë se misioni ynë nuk u krye dhe të protestojmë pranë qeverisë për këto sjellje antisistem, në kundërshtim me kartën mbi liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe që nuk i ka hije një shteti të rregulluar juridiko-politikisht. Për fat të keq, mbeti Rezoluta e Parlamentit Evropian në fuqi”, thuhet në deklarimin për medie të nënshkruar nga kryesuesi Hulian Grimaldos.
Ishte hera e parë që vrasjet politike në Kosovë kishin dëshmitarë edhe nga Parlamenti Evropian. Ishte dëshmitar edhe Isak Namon Hajdini – Xhakja, nga fshati Mirovc i Besianës, patriot i cili kishte marrë në krah Ali Ajetin dhe mallkonte policinë për veprën e tyre kriminale. Policia e lidhë Isak Hajdinin për një dardhë aty në vendin e ngjarjes dhe e maltreton brutalisht, e arrestojnë duke vazhduar me tortura edhe në lokale të policisë. Nga pasojat e torturës pas katër ditësh, më 4 qershor 1989, vdes Isak Namon Hajdini – Xhakja.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here