Absurditeti i debatit mbi pagën minimale

0

Shkruan: Florina Duli – Drejtoreshë ekzekutive e IKS

Në vitin 2005 në Gjermani u hap debati publik mbi pagën minimale. Ky debat zgjati përplot 10 vjet. Vendimin e bënin të vështira parashikimet e ekspertëve të ekonomisë të cilat insistonin që aplikimi i pagës minimale do të rriste informalitetin dhe do të shkaktonte rritje të papunësisë. Debati ishte i gjatë por në fund vendimi u mor në vitin 2015. Paga minimale për një orë pune u caktua të jetë 8.5 Euro. Dy vite më vonë, vlerësimet dhe statistikat dëshmuan se ndikimi i aplikimit të pagës minimale ishte tejet pozitiv. Papunësia shënoi rënie. Mendohet se punëtorët më të kënaqur me pagën kanë shtuar produktivitetin. Paga minimale në Gjermani është rritur përsëri në Gusht të vitit të kaluar. Në vitet e 90’ta çështjet si paga minimale, shteti në rolin e vëzhguesit do ia linte kryekëput marrëveshjes mes sindikatave dhe punëdhënësve. Këtë radhë shteti Gjerman mori vendimin vet. Nuk është gjë e re të thuhet se aplikimi i pagës minimale zbut varfërinë dhe zvogëlon hendekun mes punonjësve pa shkathtësi dhe shtresave tjera shoqërore. Është një ndër instrumentet më të lehta që ka shteti për të siguruar mos eksploatimin. Por, ç’po ndodh tek ne?

Ky është mandati i tretë gjatë të cilit Këshilli Ekonomik Social (KES), po tenton të dakordojë nivelin e ri të pagës minimale. Niveli i përfshirjes në debat len për të dëshiruar, sidomos nëse krahasohet me përvojat e shteteve të BE-së. Por vendimi i Ministrit për mosvalidim të vendimit të KES është si moralisht ashtu edhe profesionalisht i padenjë.

Gjatë muajit dhjetor, Kryeministri rriti pagën e tij dhe të gjithë kabinetit (enorm), me arsyeshmërinë se cilido Kryeministër me pagë 1500 Euro do të detyrohet të korruptohet. Vendimin e tij nuk e ka përkrahë FMN-ja. FMN-ja, bile edhe ka kërkuar racionalizim të administratës së shtetit, që nënkupton edhe numër të vogël ministrish dhe postesh ministrore. FMN-ja kërkoi edhe mos aprovimin e skemës së veteranëve të luftës si dhe harmonizimin e skemave sociale. Kjo do të thotë që Qeveria jonë premtimet që i jep FMN-së i respekton në mënyrë selektive dhe vetëm kur atyre iu  konvenon.

Në vlerësimin e vet të muajit të kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar shpreh rezerva ndaj rritjes së pagës minimale duke pasur të njëjtat brenga sikurse edhe ekspertët Gjermanë të ekonomisë, do të thotë kanë frikë mos rritet papunësia, se rritja mund të shkaktojë presione te skemat sociale por edhe shprehin skepticizëm të zbatimit të pagës për shkak të mungesës së kornizave zbatuese. Këto brenga u dëshmuan të paqëndrueshme në Gjermani. Duke marrë parasysh që është eliminuar barasvlera mes pagës minimale, skemës së veteranëve të luftës dhe e viktimave  të dhunës seksuale gjatë luftës, brenga e FMN-së për presion në buxhetin e shtetit nga paga minimale nuk qëndron më.

Përndryshe, përvoja ndërkombëtare tregon se aplikimi i pagës minimale është mjet për uljen e varfërisë dhe zvogëlimin e dallimeve të pagave mes gjinive. Megjithatë, marrja e  vendimit për të aplikuar pagë minimale nuk ka ndonjë vlerë të shtuar në kushtet aktuale të kapjes së shtetit dhe si rezultat skllavërisë moderne, ku në mungesë të vullnetit për monitorim të bizneseve për zbatim të ligjeve të punës dhe sigurisë dhe shëndetit në punë punëtorët vdesin në vend punishte, kamarierët punojnë nga 13 orë në ditë dhe 6 ditë në javë dhe asnjë biznes nuk i jep llogari shtetit.

Një shembull konkret i moszbatimit është edhe Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, e publikuar në gazetën zyrtare të Qeverisë e cila që nga viti 2015, kur ka hyrë në fuqi e deri më sot nuk ka gjetur zbatim në sektorin privat. Për më tepër nuk ekziston asnjë mekanizëm që obligon zbatimin e tij.

Në kushte të këtilla, në mungesë totale të vullnetit politik dhe pa një kornizë të mirëfilltë të monitorimit dhe zbatimit të ligjit, vendimi pro apo kundër pagës minimale është totalisht i pa vlerë.

Iniciativa Kosovare për Stabilitet-IKS, me kërkesë të KES, në vitin 2016 ka bërë një studim mbi metodat dhe praktikat për përcaktimin e pagës minimale, për të ndihmuar debatin e brendshëm në KES mbi përparësitë apo sfidat eventuale të marrjes së një vendimi për rritje page. Studimi sugjeron që disa nga kriteret që duhet të përfshihen në vlerësimin për përcaktimin e pagës minimale, janë: trendi i zhvillimit ekonomik, shkalla e papunësisë, referenca në shportën e konsumatorit dhe paga mesatare. Problemi kryesor është përdorimi i të dhënave nga ATK-ja për kalkulimin e pagës mesatare, meqë ATK regjistron vetëm pagat nga sektori formal. Duke marrë parasysh që informaliteti në Kosovë është mes 34-37 për qind,  ka rrezik që të dhënat nga ATK-ja prodhojnë rezultate të pasakta.

Raporti ynë ka rekomanduar që të dhënat për kalkulimin e pagës të merren nga Anketa e Fuqisë Punëtore, kur metodologjia e kësaj ankete të ndërrojë për të regjistruar pagën si variabël të vazhdueshëm.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here