A po dridhen themelet e Evropës nga zgjimi nacional në shekullin XXI

0

Prof. dr. Hakif Bajrami

Bashkimi Evropian nuk e pranon Kosovën sepse mbi plagët e saj për dy shekuj ka krijuar politikë të aparteidit përmes ish-satelitit të saj, Serbisë. Tani kur zgjimi nacional, në saje të emancipimit politik dhe ekonomik i ka detyruar shumë popuj, kombe (kombe që kërkojnë shtete sovrane) që të mendojnë për ardhmërinë e tyre, në fillim të shekullit XXI. Themelet e Evropës janë kah dridhen jo rrufeshëm, por natyrshëm, sepse së pari u shkatërruan shumë perandori, të cilat Evropa i kishte krijuar me injorim dhe me hipokrizi politike. Tani Evropa do ta paguajë haraçin, sepse në të dhe mbi të, rëndojnë jo më pak se 97 kombe të shtypura që aspirojnë pavarësinë, që pas një lufte politike, diplomatike dhe nëse e do nevoja edhe ushtarake, ato ngadalë do ta fitojnë pavarësinë.
Një shembull i tillë që ka kaluar nëpër të gjitha etapat.
E vërteta, shembulli i Kosovës dhe UÇK-së. Në BE është luftuar me të gjitha mjetet. Më në fund për ta defaktorizuar ose shndërruar në shtet “invalid”, kundër Republikën e Kosovës në esencë, Brukseli krijoj një Gjykatë Speciale ku do të hetohen dhe gjykohen pjesëtarët eminent të UÇK-së, kuptohet me përkujdesjen e disa matrapazëve shqiptarë që tinëzisht punojnë prapa shpinës së popullit. Ata që do t’i hetojë dhe gjykojë Specialja, prej saj në fund do të dali një fluskë me zero faje. Kjo është fundi i saj i sigurt, por mundimet do të mbesin. Kështu politika fantome e kuvendeve evropiane, do të provojë të mbetet në mend për politikë filozofike koloniale, që mbulohet me zhvillim ekonomik dhe integrim që ngadalë po dezintegrohet përbrenda me fajet e saj që i ka mbjellë gjatë dy shekujve të kaluar.
Fuqitë Evropiane kanë mbjellë padrejtësi dhe krimet i kanë maskuara mbi popujt e vegjël në Berlin më 1878, në Londër më 1913, në Versaj më 1919, në Jalltë më 1945 dhe në Paris më 1946. Çka e kanë mbjellë gjatë këtyre konferencave “paqësore”, do ta korrin tani kur zgjimi nacional ka marrë përmasa të vetëdijesimit dhe pjekurisë. Pas Epopesë së Kosovës (UÇK), në fund të shekullit XX, Evropën dhe tërë botën koloniale e pati përfshirë kriza financiare, më 2008-n. Para kësaj kohe, BE-ja provoi ta përpilojë një Kushtetutë dhe ngeli në kënetën e interesave meskine ekonomike dhe mjegullave religjioze. Pasoi lindja e së djathtës ekstreme me tipare puro fashiste, që e lufton çdo muhaxhiri nga vendet e Afrikës dhe Lindjes afërt. Nga këto kuzhina u krijua: Pranvera arabe, nga kuzhinat e njëjta u kthye “pranvera” në dimër Siberian, për t’ua grabitur naftën dhe natyrisht me të drejtë për t’i paditur si terroriste organizatat që vrasin njerëz të pafajshëm kudo nëpër botë. Më vonë këtij skenari do t’i dali tymi me turp.
Për ta kuptuar realitetin, gjithnjë në BE e ku i “ndihmon” Rusia e fashizuar, po edhe Serbia satelite me KOS-in në ballë, duhet me kujdes të lexohen “analizat” e teorticentëve të ndryshëm. Të gjithë flasin për koncepte abstrakte si: çështje funksionale, globalizëm, për sakrifica, për ngutje të Katalonasëve, për Brex-in anglez, pa e shpjeguar kurrë esencën pse Skocia votoi kundër. Flasin këta teoriticentë të zanatit politik nën tezgë për do farë federalizmash, për neutralitet, për shumë gjithsesi, për ligje ilegale, për nevoja të kompromisit konstruktiv, për shumica dhe pakica, për pastërti ideologjike. Asnjëherë çështja nuk shtrohet drejtë, se nacionalja është në pyetje. Dhe këta analistë me timbër kolonial për të qenë politikisht “korrekt” janë shumë zemërgjerë mbi plagët e huaja, por nuk u lejohet nga egoja e tyre t’i thonë gjërat e vërteta, e të cilat i njeh tërë bota e vegjëlinë, ajo që është ndrydhur që dy shekuj. Kështu, ky soj analistësh e konsumon urrejtjen shekullore të aristokracisë së gjashtë fuqive evropiane dhe i mbulon padrejtësitë që janë mbuluar nëpër konferenca “paqësore” nga pozicioni i fitores ushtarake, të cilat prapë, vet i kanë kurdisur. Kurrë nuk kanë pyetur asnjë komb të “vogël”, a ka të drejtë të flas dhe të veprojë për pavarësi. E pra, Katalonia herë do kurdo të pavarësohet. Por do të pavarësohen edhe shumë kombe tjera nëpër Evropë, që këto ditë shefi i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker tha hapur se janë 98, që do të thotë 98 shtete, kombe, nëse e lejojmë Kataloninë të avancohet në shtet. Këso pykash i viheshin edhe Kosovës në binar. Luftëtarët e lirisë (UÇK) i quanin “terroristë”, LDK-në e quanin prapa shpinës “kolaboracioniste”: “Hyrë se të vrava, zbrit se të vrava”!.
Dallimet në mes Kosovës dhe Katalonisë
Në viset shqiptare nën robërinë jugosllave janë bërë regjistrime të popullsisë nga viti 1921 e deri më 1981, gati për çdo dhjetë vjet. Më i sakti, prej të gjitha regjistrimeve ishte ai i vitit 1981. Si drejtori i Arkivit Shtetëror të Kosovës, atëbotë me kishte ardhur një informatë jozyrtare se serbët dhe malazezët e Kosovës më 1981, janë regjistruar në dy vende në të njëjtën kohë: në Kosovë dhe në Serbi 46% e numrit tyre total. Hulumtimi i vitit 1981 përmes digjitalizimit “Tani”, do ta zbulonte tërë politikën koloniale serbiane të përqindjes fiktive. Ai dokument është hedhur në depon e Arkivit, në Fondin e K. Ekzekutiv të Kosovës, dhe sot vetëm rastësisht mund të gjendet. Ky argument, sot mund të vërtetohet nëse regjistrimet janë digjitalizuar në Serbi dhe Kosovë. E falsifikimet ordinere që janë bërë më: 1921, më 1931, më 1938/9 (ushtria), më 1948 (Partia dhe Ushtria për shkak të IB-es), më 1951/3 (për shkak të Marrëveshjes Xhentelmene me shpikë turq nga 1947 turq më 1948 në 54000 më 1953!!!), më 1961( Dushan Mugosha e Svetisllav Stefanoviqi urdhërojnë që 20 000 serbë dhe malazezë të publikohen më shumë, ndërsa nja 60 000 shqiptarë më pak!!), më 1971, më 1981, më 1991 (pa shqiptarë), do t’u dilte boja!! Ky fakt është njëra anë e medaljes, që e dallon fenomenin e Kosovës shqiptare nga Katalonia, ku Spanja nuk ka provuar një “zanat” të tillë makivalesit.
Fenomeni i dytë që Kosova dallon nga Katalonia është se katalonasitë si ‘Jo’ spanjoll, diku në fillim të shekullit XVII kishte mundësi rreshtimi shtetëror, pro Francës apo pro Spanjës. Kosova mundësinë e rreshtimit shtetëror e shfaqi tek më 1878 dhe prej atëherë është copëtuar nëpër etapa nga Fuqitë Evropiane (Rusia, Prusia, Austro-Hungraia, Anglia, Franca dhe Italia): në Kongresin e Berlinit më 1878 për 714 fshatra të cilat u sllavizuan me gjenocid të pastër për tri ditë në dhjetor 1877. Në Sanxhakun e Nishit dhe Pirotit nuk u lejua të mbetet asnjë shqiptar i gjallë. Më 1912-1915, do të provohet nga Mbretëria e Serbisë dhe Mbretëria e Malit Zi, që ish-Vilajeti i Kosovës të ndahet dhe të sllavizohet me prapë spastrim që ishte përdorë më 1877/8 për Nishin dhe Pirotin.
Më 1913 Serbia do t’i bombardojë 132 fshatra shqiptare, Mali i Zi do të bombardojë dhe konvertojë nga katolikët dhe myslimanët në ortodoks gati tërë popullsinë shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit, me qëllim që të sllavizohen. Këto metoda monstruoze Spanja në Kataloni nuk i ka përdorur. Jo vetëm kaq, nga dokumentet serbiane argumentohet se 395 anije evropiane kanë bartë shqiptarë në Anadolli (350 000 shqiptarë myslimanë) dhe po kaq kanë shkuar rrugëve tokësore, pa i llogaritur fëmijët nën 6 vjeç. Serbia dhe Mali i Zi nuk lejojnë asnjë shkollë shqipe në Kosovë (1912-1915). Edhe për këto fakte Kosova që kolonizohej me sllavë në fshatrat e shkreta, dallon nga Katalonia.
Nga viti 1918-1941 në viset nën Mbretërinë SKS (1918-11929), Mbretërinë Jugosllave (1929-1941), barbaritë serbomëdha ndaj shqiptarëve dhe Kosovës nuk dallojnë nga barbaritë që i ka përdorë Hitleri ndaj Hebrenjve 1936-1944.
Tri kampe të përqendrimit janë hapur për shqiptarë më 1920/21(në Nish, Leskovc dhe Nikshiq prej kah synohej të hidhen në det…). Por kush të mësoi për ato mizori, sepse informata ishte e mbyllur. Madje dihet thuhet publikisht se Evropa ishte e disponuar që ta “pastrojë çështjen myslimane në te”. Shih për këtë: “Tajna Konvencia izmedju Serbije i Austro-Ugraske 1881 e botuar fototip”. “Uput za likvidacijua Arnauta-Udhëzimi për likuidimin e Shqiptarëve më 1920; shih: ligjet e kolonializimit dhe sllavizimit deri më 1939, kur merret vendim shtetëror jugo-serbian që një familje shqiptare mund t’i ketë 0.40 ari tokë, një familje sllave mund t’i ketë deri në 45 hektarë tokë së pakut; shih; Konventën Jugosllavo-Turke të 11 gushtit 1938, kur u provua që të deportohen të gjithë shqiptarët në Anadolli (nenin 2 i Konventës i përshkruan rrethet në Kosovë dhe Maqedoni; e kam botuar më 1982). Nuk po hy në faktin se Jugosllavia 1918-1941 nuk lejonte asnjë shkollë apo libër shqip, asnjë gazetë shqip, as administratë shqip, sepse synonte gjenocidin-spastrimin total si në rastin e Toplicës (1877-shih 22 ditar lufte në A. të Serbisë ku oficerët serbian lëvdohen se si kanë prerë e gri fëmijë, gra shtatzëna, pleq dhe plaka pa dallim). (Vijon)

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here