A po bën përpjekje FER-i ta dërgojë Vetëvendosjen në ferr?

0

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA-BAJGORA

Gjeneza e një ngjizjeje kundër ligjeve të natyrës: Na ishte një kohë e një ditë kur një kusar diplomatik në Kosovë, që kishte pangopësi për para, seks pa kufi dhe të kushtëzuar me të dy gjinitë dhe prirje që, përmes shantazhimit të sundojë mbi klasën kryesisht të paemancipuar politikisht në Kosovë në kohën kur mediet dhe shoqërinë civile e kishte shndërruar në një prezervativ për gjysmë përdorimi duke shkaktonte rrëmujë në skenën politike në këtë vend të brishtë, me politikanë kryesisht të prishtë.

Ky farë diplomati dhunues nuk kishte vizion politik afatgjatë, por i kishte llogaritë afatgjata te Behteli, për rrugë që ishin më të kushtueshme se në Las Vegas. Thuaja të gjithë politikanët në Kosovë janë pshurrur me të dëgjuar emrin e tij kurse, me të kuptuar se mund të jenë pjesë joafirmative e Listës së Shin – Dellit, procesi fiziologjik i tyre ka përparuar me një shpejtësi të madhe, deri në prodhimin final të produktit të tyre.

Ky farë Kaligula i Kosovës nuk ka pasur vetëm një senator në personalitetin e kalit të tij shkaku se të gjithë politikanët i ka konsideruar si pjesë e ergjelës së tij, tufë kuajsh të padinjitetshëm. Shin – Delli, senatorin kryesor e ka pasur këshilltarin Pushikar me të cilin bëri puç institucional duke e instaluar Gjet Macollin si president postihistorik dhe anakronik të Kosovës. Përpjekja tjetër e radhës ishte ta instalojë një subjekt parapolitik, me kod gjenetik projugosllav të quajtur FER në mënyrë që, përmes tyre, ta marrë pushtetin duke e kthyer vëllazërim-bashkimin e kombit serb në Kosovë, me grupet e tjera etnike në mesin e të cilëve shqiptarët bënin grupin më të madh.

Duhej një udhëheqës që kishte karizmë dhe tope. Tregtari me imunitet diplomatik mendoj të ishte Zog Ahmeti, ai prej të cilit hoqi dorë shpejt duke i thënë se: “As për 500 vjet nuk do të bëhej lider sepse ke mungesë të theksuar të karizmës dhe shoqërueseve – topeve”. FER-i pësoi debakël, prandaj falimentoi politikisht duke iu kthyer aktiviteteve të tjera, materialisht tërheqëse. Atëbotë FER-i alistët, Lëvizjen Vetëvendosje e konsideronin si një mishërim të agresivitetit primitiv nacionalist, dhunës së papërmbajtur, politikisht përjashtues ku nuk do ta gjenin vendin për t’i lëshuar spirancat e tyre të marrjes së pushtetit.

Shin – Delli ua futi një të rënë bythëve, duke mos investuar më në ta. Lëvizja Vetëvendosje në atë kohë u binte trumbetave të bashkimit kombëtar sikur që edhe pushkatonte të gjithë ata që nuk pajtoheshin me këtë manipulim për masa. E pranoj se edhe unë një kohë u besoja “çerqiztopujve” të bashkimit kombëtarë të LV-së sepse, midis mundësisë reale që ishte rikthimi në Serbi apo ëndrrës së bashkimit kombëtar, më e pranueshme ishte ëndrra e bashkimit kombëtar!

Lëvizja Vetëvendosje pastaj hyri nën kontrollin e “pullazgjiut të Amerikës” i cili, përkrahjen materiale e kushtëzoi me pjesëmarrje në zgjedhje ani pse ato organizoheshin sipas Pakos së Ahtisarit e që kundërshtohej fuqishëm nga LV-ja, por jo edhe nga padroni i ri nga Amerika që e hapi thesin për ta financuar këtë Lëvizje.

LV-ja, në vend se ta bënte një distancim nga e kaluara kur përballej, me të drejtë me strukturat e dhunshme të UNMIK-ut dhe EULESH-it, me të njëjtin vullnet veproi kundër Policisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, të tilla siç ishin ndonëse Policia e Kosovës, në të shumtën e rasteve është treguar tepër e durueshme, kishte sjellje korrekte dhe i shmangej përdorimit të forcës edhe në raste kur ky përdorim ishte i pashmangshëm.

Kjo sjellje i largoi shumë aktivistë dhe përkrahës të LV-së nga kjo Lëvizje, por që asnjëherë nuk dolën kundër saj. Në zgjedhjet e para, kur gazetarët më pyesnin për LV-në, unë flisja për LDK-në, PDK-në dhe subjektet e tjera sepse nuk doja ta dëmtoj këtë Lëvizje në hapin e parë i cili, po të bëhej si duhej, do ta garantonte një rrugëtim të gjatë dhe të sigurt politik.

Aty ishin vijat ndarëse midis meje dhe LV-së dhe, ndonëse ishte krijuar një perceptim se do të bëhesha pjesë e kësaj Lëvizjeje, kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të bëhesha pjesë as e LV-së e as të asnjë subjekti politik tjetër. Mirëpo, në një kohë kishim qëndrime të përafërta politike e që tash nuk jemi askund. Mungesa e respektit, arroganca e tepruar, mbyllja në vendimmarrje në një rreth shumë të ngushtë, sidomos pushkatimi publik i aktivistëve apo bashkëthemeluesve kur nuk pajtoheshin me kreun vendimmarrës ishte e papranueshme.

Përpjekja për demokratizim apo për degjenerim: Shumë aktivistë të LV-së u keqtrajtuan dhe u ndoqën nga politika dhe një pjesë (e vogël e policisë të ndikuar nga politika) dhe pikërisht ata aktivistë, ose u eliminuan, ose mbetën në margjina. Dyert e mëdha u hapën me pompozitet të madh për anëtarët e FER-it që u nokautuan nga votuesit dhe, që është për keqardhje, këta dështakë të FER-it u vendosën në majat e Lëvizjes Vetëvendosje, sikur të ishin anëtarë të kësaj Lëvizjeje, së paku, që nga koha e Hasan Prishtinës. Nëse në skenën politike kosovare, Hashim Thaçi njihet dhe pranohet si politikan improvizues dhe që i bënë lëvizjet ad hoc (aty për aty), pa menduar për pasojat, LV-ja ishte improvizuesja më e madhe si subjekt politik.

Tash, pas integrimit të pamerituar të FER-it në LV e që e kishin prejardhjen politike nga sistemi i kaluar, kombëtarët në LV u margjinalizuan edhe më shumë. U krijua një bashkëdyzim përjashtues ku rryma më e butë e bijve dhe bijave të ish-vëllazërim-bashkimit e dominuan LV-në shkaku se ata konsideroheshin si demokratë, më profesionistë, më të emancipuar dhe më të shkolluar e që nënkupton se ishin më të pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare.

Kam pasur përballje të ashpra me disa kuadro të FER-it e që u bënë me Vetëvendosje se vetë Vetëvendosja, madje një nga ata, në një përballje pati deklaruar se “asgjë nuk po ua bënë policia atyre në krahasim çka do t’ua bënte ai…”. Pastaj, ky farë pleshti u bë një ndër elefantët e Vetëvendosjes. Zog Ahmeti “anëtar” i LV-së u bë kryetar i Prishtinës, me ndihmën e LV-së dhe të PDK-së. Në ndërkohë Zogu, me “anëtarët” e tjerë të LV-së u fuqizua shumë materialisht në Komunën e Prishtinës duke e krijuar brumin e një fraksioni që do ta marrë pushtetin.

Albin Kurti drejt rrugëtimit për t’u bërë kryeministër e la anash LV-në, mendoi se e bërë Visar Imerin kryetar kukull i cili do të lëvizë në ritmin se si do t’i tërhiqte penjtë Albini e që nuk doli të jetë ashtu. Nuk thuhet kot se për ta provuar karakterin e njeriut, jepi pushtet, para dhe femra. Visari u pajis me pushtet, para kishte mjaft dhe bëri në ndërkohë ndërsa, për femra, nuk kam informata nëse ka dhe as që më intereson.

Duke e parë forcimin e FER-ialistëve brenda LV-së, para dy vjetëve pata shkruar se Albini vetëm kur ta shoh një ditë se ka mbetur pa parti, sikur gjenerali i ushtrisë së vdekur, pa ushtri. FER-ialistët u forcuan shumë, ndonëse shumica e tyre kishin mungesë guximi dhe topeve të sakrificës. Ata filluan t’ia marrin edhe disa figura të rëndësishme të LV-së, kryesisht të kriminalizuara e që ua kishin frikën. Vetëm atëherë Albinit iu ndez e kuqja duke parë se udhëheqja e LV-së po rreshtohet kah FER-i.

Gabimin më të madh, sipas meje, Albini e bëri në çastin kur, si Antonio Gramshi e shkroi një letër nga burgu duke u dhënë pretekst të dorëhequrve që ta zbatojnë planin e hartuar shumë më parë për shembjen e LV-së dhe duke e rrëzuar sundimin autokratik dhe diktatorial të Albinit, për ta zëvendësuar me demokracinë e Zog Ahmetit, kryeFER-ialistit, pa tope dhe pa një miligram karizme.

Plani për shembjen e LV-së është hartuar shumë më herët, ndërsa arriti majat kur Zog Ahmeti, për tri ditë rresht gënjeu opinionin, votuesit dhe qytetarët se nuk ka qenë fare në jahtin e Devollëve dhe kaloi pa pasoja. Në çdo vend normal, Zog Ahmeti do të shkarkohej jo se paska pirë një pije në jahtin e Devollëve e që unë nuk e konsideroi gabim, por se ka gënjyer tri ditë dhe më në fund e ka pranuar të vërtetën.

Atëherë kishte zëra se Zog Ahmeti duhet të shkarkohej nga LV-ja, mirëpo FER-ialistët, që tash po dorëhiqen në mënyrë të sinkronizuar, u organizuan sipas instinktit të vetëmbrojtjes dhe mbrojtjes së interesave milionëshe në Komunën e Prishtinës. Madje, një nga kryepuqistët e ka përzënë Albinin nga zyra e tij. Nuk po përmend emra por, nëse ka nevojë, e them orën, ditën, muajin kur ka ndodhur ky rebelim e që Albini e ka kaluar lehtë, për ta shprehur pastaj mllefin kundër policëve dhe institucioneve të Kosovës.

FER-ialistët në zgjedhjet e fundit parlamentare, kur LV-ja u rrit mbi të gjitha parashikimet, garuan me ekipin kryesor, gjë që nuk ndodhi në zgjedhjet e tjera. Synimin e kishin që, duke e shfrytëzuar LV-në si mekanizëm për vota, të sigurojnë sa më shumë ulëse në Kuvendin e Kosovës e që edhe e arritën. Ashtu vepruan edhe në zgjedhjet lokale duke i deleguar anëtarët e familjeve të tyre për asamblistë komunalë. Se LV-ja po shkon drejt fundit të pusit (e për çka nuk gëzohem aspak) u binda me largimin e njërit prej emirëve të KAN-it, ORA-s dhe FER-it dhe kurrë i LV-së, Ylli Hoxha. Kjo humbje ishte e pakompenzueshme.

Albini po ndërmerr veprime jo për ta shpëtuar LV-në, por për t’i ruajtur pozicionet e lëkundura. Jam shumë i sigurt se Albin nuk është korruptuar në aspektin material, por nuk jam aspak i sigurt se nuk është korruptuar në aspektin politik.

Çka tash: FER-ialistët e LV-së nuk po bëjnë asgjë tjetër veç se po u kthehen rrënjëve, zanafillës dhe origjinës. Nga një subjekt i falimentuar politik, me ndihmën e Albinit dhe të LV-së do të bëhen forcë përcaktuese për shumë procese të Kosovës duke e përdorur mercenarizmin e dëshmuar, taktik dhe strategjik për arritjen e qëllimeve politike. Të gjithë këta që kanë dhënë dorëheqje deri më tani, këtë gjë do të kishin mundësi ta bënin në një ditë të vetme. Por nuk e bëjnë dhe nuk do ta bëjnë sepse duan të krijojnë përshtypje se nuk e kanë qëllim shkatërrimin e LV-së, por demokratizimin e saj. A mund ta bëjnë këtë keqbërësit dhe përfituesit e tenderëve, nga dhënia e lejeve të ndërtimit jonormale, lidhjes së politikës me ndërtues dhe kompani kriminale e deri tek ata që përmbajtjen e kanë të dhunshme dhe kriminale e tani duan të vishen me petkun socialdemokratik. A e ka për qëllim ky fraksion ta bëjë një Vetëvendosje si të Dimitrije Tucoviqit? Jo dhe jo. Këta duan ta ruajnë grazhdin në komunat që i kanë, të sigurohen nga mosndjekja penale dhe të konvertohen në demokratë të pranuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron bashkëpunëtorë të ndershëm dhe të dinjitetshëm. Ajo pranon vetëm bashkëpunëtorë të dëgjueshëm dhe që u mbarojnë punë pavarësisht dëmit që i bëjnë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Pastaj i hedhin në plehra, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë! A nuk bashkëpunuan me Millosheviqin, Karaxhiqin, Mlladiqin, Noriegën, Bin Ladenin, Eskobarin, Sadam Hyseinin, Gadafin dhe shumë të tjerë… Ku janë sot ata??!! Duhet pranuar edhe nëse nuk pajtoheni me Albinin, se në planin politik Albin Kurti është Ajnshtajni i politikës për të dorëhequrit spekulativë dhe mashtrues, mirëpo Albinit po i mungon guximi për vendimmarrje shkaku se ka frikë se përçarja do të thellohet edhe më shumë.

Nuk po e kupton një çështje se, sa më shumë që po bënë thirrje për t’u kthyer, të dorëhequrit mashtrues, dorëheqjet vetëm sa po shtohen. Organet vendimmarrëse të LV-së në situatën e krijuar duhet t’i pranojnë të gjitha dorëheqjet (sepse të gjitha këto janë sipas një modeli dhe po deklarohen si të parevokueshme) dhe, gjithashtu, duhet t’i largojë nga partia të gjithë të dorëhequrit që fituan poste të larta dhe me përgjegjësi, kurse me dorëheqjet nuk duan ta pranojnë asnjë përgjegjësi duke deklaruar se duan të mbesin anëtarë të thjeshtë të LV-së. Nuk shkon, dhe nuk është logjike që ta shembni subjektin që ua ka siguruar të gjitha privilegjet dhe të mos jepni përgjegjësi.

Në të kundërtën agonia e LV-së vetëm sa do të vazhdojë. Dikush edhe mund ta shtrembërojë situatën sipas dëshirës, mirëpo është e qartë se LV-ja është në krizë të madhe dhe se kurrë më nuk do të kthehet gjendja e mëparshme. Me këtë ndarje është krijuar edhe një situatë e re politike e që i shkon në favor LDK-së aq më parë që krahu dorëheqës është afër LDK-së, si nga origjina politike ashtu edhe nga veprimi dhe qëllim. Në këtë mes më ka befasuar Aida Dërguti për të cilën mendoj se është shumë kombëtare, korrekte dhe e pakorruptuar sikur edhe një numër i vogël që e shoqëron.

Sipas perceptimit të opinionit, Zog Ahmeti po i merr pas krahun intelektual të LV-së shtuar këtu edhe atë kriminal, të forcës ndërsa Albinit po i mbetet Saliu, Hyseni, Xhela, Lena dhe të tjerët. Megjithatë, kjo ndarje do t’i shpejtojë shumë procese sikur që ka mundësi të provokojë zgjedhje të parakohshme. Kurse, pas rrethanave të reja, nuk ka siguri qeverisëse në asnjë komunë ku diferenca fituese matet me disa qindra vota. Po presim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here