A e mbron gjithmonë Kushtetutën Gjykata Kushtetuese?

0

 Axhem Imeri

Besoj se gjithë shqiptarët atdhetarë, e kanë vlerësuar pozitivisht qëndrimin e gjyqtarëve kushtetues për vendimin e kufijve ujorë të Shqipërisë. Ai qëndrim të bën entuziast dhe të ngjall besim. Por, le të shohim me vëmendje qëndrimin e kësaj gjykate, në vazhdimësi që nga fillimi i pluralizmit tek ne. Më 29 Prill 1991, parlamenti i parë pluralist, nxori ligjin nr. 7491 (Për dispozitat kryesore kushtetuese), me anë të të cilit shfuqizoi kushtetutën e diktaturës të vitit 1976, cila e kishte kaluar në pronësi të shtetit gjithë pronat e paluajtshme tokësore. Me këtë veprim juridik të parlamentit, shteti humbi pronësinë mbi pronat ish private, qofshin ato të sekuestruara, qofshin ato të kolektivizuara me vullnet të lirë, me përjashtim të reformës agrare që nuk është  akt juridik civil me (vullnet të lirë), por reformë detyruese, (vetëm për latifondistët e mëdhenj të tokave).

Me këtë ligj, pronat kaluan automatikisht në statusin e mëparshëm juridik, shteti kishte detyrimin të lëshonte vetëm çertifikatat e pronësisë. Por, çuditërisht, pas 80 ditësh më (19 korrik 1991), po ky parlament nxori ligjin nr. 7501 i cili thotë: Neni 2: “Shteti u jep tokë personave fizikë e juridikë…”.  Neni 5: “…Sasia e vendi ku do të jepet toka, përcaktohet nga komisioni i tokës”. Neni 8: “… nuk njihet pronësia e mëparshme, as madhësia dhe kufijtë e saj para kolektivizimit”.

Menjëherë lindën shumë pyetje: Tokat e kujt po ndan shteti? Tokat e kolektivizuara me vullnet të lirë civil, të cilat i mbronte statusi i koperativave bujqësore – akt juridik legjitim? Tokat e fermave bujqësore që ishin krijuar me pasuri të përbashkët të sekuestruar nga privatët e nga koperativat bujqësore dhe pjesërisht nga prona të shtetit? Sa toka kishte të vetat shteti në atë kohë që vendosi ti ndante pa shpërblim? Me çfarë ligji u ribë prapë pronar ky shtet që sapo rrëzoi kushtetutën komuniste? Vetëm për 80 ditë ndërruan prapë mendjen “baballarët e kombit” pse po largoheshin nga parimet leniniste? Si mund të legjitimohet në demokraci një komision shtetëror që të ndajë pronat e privatit? A po udhëhiqemi nga filozofia perëndimore për të ndërtuar një shtet të së drejtës apo po gatuajmë një sallatë ruse? E ndodhur para këtyre dilemave, Shoqata Pronësi me Drejtësi, ju drejtua gjykatës kushtetuese të asaj kohe, me kërkesën për rrëzimin e ligjit 7501 datë 19 korrik 1991.

Gjykata u përgjigj me vendimin e saj nr. 7 datë 14/09/1994 në të cilin “mundohet” të argumentojë se: a) Edhe disa shtete të tjera ish socialiste, kanë përdorur sistemin e kompensimit të tokave nëpërmjet obligacioneve shtetërore. Ku bëhet lidhja logjike këtu përderisa tek ne toka u shpërnda falas? Çfarë lidhje ka midis letrave me vlerë që shteti komunist jepte kur merrte hua në popull (të cilat kishin analogji me firmat tona piradimale) dhe obligacione që presupozohet se kanë kompensuar vlerën e tokave bujqësore? b) Gjithë tokat kanë ardhur nga reforma agrare, e cila ka qenë një akt juridik detyrues. Jo pa qëllim, kjo gjykatë harron se gjithë fshatarët e mesëm kishin toka në pronësi edhe para reformës agrare të cilat i futën në koperativat bujqësore.  c) Kjo mënyrë e ndarjes së tokës bujqësore është aplikuar edhe në ish republikat socialiste të lindjes të cilat ndërruan sistemin para nesh. Realisht në asnjë vend ish-lindor nuk u veprua si në Shqipëri.

Kjo thuhet vetëm për demagogji. d) Gjykata vë në diskutim shifrën 35% të popullsisë fshatare që shkoi në pronat e veta, pa përfillur ligjin 7501. Për këtë veprim ajo bën fajtor pushtetin vendor (komunat) që e kanë lejuar këtë veprim dhe zotohet se do të lëri detyra për të ndaluar transaksionet e tokës. Deri sot situata nuk ka ndryshuar. Kjo logjikë juridike dhe shumë “xhevahire” të tjera si këto, përbëjnë thelbin e vendimit që la në fuqi ligjin 7501, peshqesh nga Rustem Gjata me shokë. Se sa i drejtë ishte ky vendim, le të analizojmë vetëm dy pyetje kryesore që dalin para: A i shërbeu vendit ky ligj këto 27 vjet? A e pranoi kushtetuta e vitit 1998 këtë logjikë? Filozofia njeh aksiomën se “PRAKTIKA ËSHTË KRITERI I SË VËRTETËS”.

Kjo do të thotë që duhet të shohim zbatimin e këtij ligji në praktikën shqiptare, për të kuptuar se sa i drejtë është vendimi i kushtetutës. Zbatimi i këtij ligji në vendin tonë ka sjellë: a) Bllokimin e zhvillimit ekonomik të vendit. Kjo erdhi nga që tokat u copëzuan, për pasojë u pengua përdorimi i teknikës bujqësore dhe ra rendimenti i prodhimit. Nuk u mor në konsideratë kur u bë ligji se deri atëherë ishin larguar gati gjysma e krahëve të punës ngaqë kishin ngelur në mjerimin e diktaturës. Kjo solli lënien djerrë të tokave të bukës. Askush nuk e kishte mendjen tek toka por tek vrapi matanë kufijve. Ata që përfituan nga ligji, filluan transaksionet sepse nuk kishin siguri se do të bëheshin pronarë në punë të botës. Shumë toka u kthyen shpejt në troje ndërtimi. b) Ra në nivele shumë të ulta prodhimi vendas, kurse buxheti i shtetit humbi taksën mbi tokën për gati tre dekada. c) Pasiguria mbi pronësinë e tokës mbajti larg investitorët e huaj. d) Lindën kofliktet për pronësinë. Deri sot kemi 8500 të vrarë, gjë e rrallë në botë e pa njohur në rendin kapitalist. Për pasojë rilindi gjakmarrja dhe kërkesa masive për azil politik. Kjo solli lëkundjen e themeleve të stabilitetit shoqëror dhe mallkimin për t’u larguar nga ky vend. e) Humbi plotësisht besimi në drejtësinë shoqërore, u krijua bindja se për të mbaruar një punë, duhej të jepje patjetër ryshfetin. Kjo po e shpie shoqërinë tonë drejt shkatërrimit si shtet. Pushtetarët e çdo niveli abuzuan hapur me pronat. f) Korrupsioni shkatërroi sistemin juridik. Lindi pabarazia juridike. Sot minimumi 35% e pronarëve të origjinës i kanë marrë pronat e veta. Pra, në një mikroshtet si yni, ligji veproi me dy standarte. Lindi pasiguria juridike e të tjera fenomene që vërtetojnë egzistencën e një shteti pothuajse formal, me një ekonomi informale. g) Vendimet gjyqësore, në vend që të qetësojnë dhe të zgjidhin situatat, sjellin pas vetgjyqësinë, gjakun e mjerimin familjar.

Kuptohet që këto janë pasoja të politikës ekonomike të qeverive të tranzicionit, por jemi duke folur për përgjegjësinë e vendimeve të gjykatës kushtetuese e cila ka një rol absolut (de jure), por faktikisht, me vendimet e saj qëndron në bisht të kalit. Kjo, për faktin e dukshëm se ka ndihmuar pushtetin për të shkulur gurin e fundit të shtetit, ndërkohë që vetë qëndron në hije, larg vëmendjes së popullit, larg telasheve, në komoditet.

A e pranoi kushtetuta e vitit 1998 vendimin e gjykatës kushtetuese për ligjin 7501?

Kushtetuta, në nenin e saj nr. 181 dhe 41 vendosi kritere që janë totalisht të ndryshme nga ligji 7501. Neni 181 thotë: “Kuvendi, brenda dy deri tre vjetëve nga hyrja në fuqi e kësaj kushtetute, nxjerr ligje për rregullimin e drejtë të çështjeve të ndryshme që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera para miratimit të kësaj kushtetute, duke u udhëhequr nga kriteret e nenit 41”. Pra, kushtetuta urdhëron t’i referohemi nenit 41. Neni 41/2 thotë: “Prona fitohet me dhurim. me trashëgim, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në kodin civil”. Neni 41/4 thotë: “Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm kundrejt një shpërblimi të drejtë”.

Në asnjë rast kushtetuta nuk lejon shpronësime pa arsye të forta dhe pa një shpërblim të drejtë. Agjëkundi në kushtetutë nuk flitet për shpronësime pa shpërblim. Pra, logjika dhe fryma e kushtetutës, de jure, e kanë rrëzuar ligjin 7501. Në këtë rast çfarë detyre kishin “rojet” e kushtetutës që nga viti 1998 e deri sot? A duhet të kërkonin (dhe të këmbëngulin) ata, inicimin nga institucionet kompetente të korrigjimit ligjor të kësaj padrejtësie? Pas vendimit të dhënë nga kjo gjykatë në viti 1994, grupet e interesit e humbën të drejtën ligjore për ta ndjekur përsëri këtë problem. Për pasojë kjo ngeli detyrë e politikës dhe rojeve të kushtetutës. Çfarë bënë ata? Logjika të thotë se midis këtyre dy institucioneve u përputhën interesat. Fakti që korrupsioni është shtrirë në gjithë strukturat e shtetit, e verteton këtë. Gjyqtarët kushtetues të vitit 1994, me sofizmat e përdorura në vendimet e tyre, u munduan të përligjin bindjet e tyre politike, por shfaqën njëkohësisht edhe paaftësinë për t’u orientuar me një ndryshim që po përmbyste botën e tyre shpirtërore.

Ata treguan besnikërinë ndaj politikës së kohës, për interesat e veta. Po ata që erdhën pas tyre, përse u pajtuan me këtë padrejtësi shoqërore që shkatëroi ekonominë dhe minoi unitetin e kombit duke futur vëllavrasjen në popull? Që të jesh roje e kushtetutës është përgjegjësia më e madhe në një vend. Duke pas të drejtën e fjalës së fundit në hierarkinë shtetërore, duhet të ndërgjegjësohesh se ke mbi shpinë edhe përgjegjësinë më të rëndë për mbarëvajtjen e punëve të shtetit. Vetëm gjyqtari kushtetues ka mandat 9 vjeçar. Qeveritë dhe presidentët duhet të heshtin kur flet kushtetuta. Por, rojet e kushtetutës tonë, e kanë parë vendin e punës së tyre vetëm si një fole pëllumbash, në hije, larg vëmendjes e kritikave të publikut, larg presionit të popullit. Ata nuk kanë ndierë asnjeherë përgjegjësi për ato që kanë vendosur, as për mish – mashin e krijuar me ligjet për pronat gjatë 27 viteve (miratuar prej tyre).

Për ta ka patur rëndësi vetëm buzëqeshja e atyre që mund t’i lëviznin nga foleja e ngrohtë e zyrës. Rojet kushtetuese të vitit 1994, sot dalin krenarë e duke buzëqeshur nëpër televizione kërkojnë vëmendjen e publikut duke u hequr si specialistë të jurisprudencës, ndërkohë që duhej të fshiheshin nga populli. Ata, me në krye Rustem Gjatën, mbajnë në kurriz përgjegjësinë e shkatërrimit të ekonomisë shqiptare me anë të ligjit 7501 dhe gjakun e 8500 të vrarëve në konflike pronash. Pavarësisht përgjegjësisë që mbajnë qeveritë e këtij çerek shekulli, të cilat janë udhëhequr më shumë nga interesat partiake, një përgjegjësi akoma më e madhe u bie mbi shpinë rojeve të kushtetutës të cilët kanë detyrimin ligjor të jenë në rolin e “çekanit të stopit” mbi të tre pushtetet, legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin.

Por fatkeqësia e këtij kombi vjen edhe nga fakti që shtetarët tanë njohin vetëm të drejtat e tyre dhe harrojnë detyrimet dhe përgjegjësitë para ligjit. Kollaj është të dalësh në krye të shtëpisë, por duhet të dish të drejtosh muhabetin e jo vetëm të hash bishtin – thonë nga jugu. Megjithëse jo e përkryer, kushtetuta ekzistuese është pranuar si më e mira e mundshme ndaj duhet të mbrohet me përkushtim shumë herë më të lartë se mbrojtja që bën roja e objektit, kur i venë hajdutët, ku mund të humbas edhe jetën. Kushtetuta mbron jetën e të gjithëve, ndaj rojet e saj duhet të respektojnë betimin që kanë bërë dhe profesionin e tyre.

Parë në këtë këndvështrim, gjyqtarët tanë kushtetues janë bërë palë me hajdutët, kanë shkelur betimin dhe kanë përdhosur profesionin e tyre. Fakti që ata flasin vetëm me vendime, nuk i shkarkon as nga përgjegjësia morale, as nga ajo penale, kur popullit i del gjumi. Le të shohim në veçanti edhe qëndrimet juridike të ekipit të fundit (aktual) kushtetues. Qeveria e radhës (qershor 2013), nuk u shkëput dot nga mentaliteti komunist i drejtimit të shtetit. Ajo miratoi ligjin 133/2015 që në aspektin juridik është një shtetëzim i ri dhe një tallje therëse me pronarët e origjinës. Ky ligj përjashton përfundimisht edhe fjalën “kthim prone”, duke i ndërruar edhe emrin agjensisë politike që ndjek problemin e pronave, nga agjenci e kthimit dhe e kompesimit të pronave (A.K.K.P) në agjenci të trajtimit të pronave (A.T.P). Pra, nuk ka më kthim prone, por trajtim prone. Për demagogji e mashtrim, është futur në ligj termi kompesim fizik.

Pas kërkesës së bërë nga 8 institucione pranë gjykatës kushtetuese, ajo gjykatë doli me vendimin nr.1 datë 21.04.2016 ku në tërësi e la ligjin në fuqi (përjashtuar dy pika të nenit 6). Pavarësisht faktit se efektet e këtij ligji sot janë objekt diskutimi nga institucionet juridike dhe politike europiane (e nxorëm baltën tonë jashtë shtëpisë edhe neve siç shprehet zoti K/ministër) pasojat e këtij ligji po ndihen dhe do të ndihen akoma më shumë në të ardhmen, në buxhetin e shtetit dhe në stabilitetin shoqëror të vendit.

Shoqatat e pronarëve gjejnë rastin të përshëndesin qëndrimin sa profesional dhe burrëror të dy gjyqtarëve  (Vladimir Kristo dhe Gani Disdari) të cilët dhanë mendim pakice të argumentuar  për rrëzimin në tërësi të këtij ligji. Për rastin konkret, ata mbrojtën kushtetutën me dinjitet. Shumica e trembur nga e vërteta, mori mbi vete edhe njëherë si kolegët e tyre të vitit 1994, përgjegjësinë për pasojat. Duke unifikuar mendimin e vet me pushtetin administrativ të korruptuar dhe të kalbur ideologjikisht! Nuk është aspak e nevojshme të jesh jurist për të kuptuar ligjin nr. 133/2015.

Meritën kryesore për të, e ka ish ministri i drejtësisë zoti Nasip Naço (autor i hartimit të ligjit – përfaqësues i trurit më diabolik të pasqyruar në jurisprudencën botërore). Ai, me devotshmëri të thellë, ndërtoi një urë politike e cila, fatkeqësisht u shemb e u lag goxha vet autori. Do të isha kurioz të dëgjoja se si mund të mbrohet ai para kolegëve, në një diskutim të sinqertë (pa kamera), për këtë vepër të tij “akademike”. Si ligji 7501/1991 dhe ligji 133/2015, kanë vlera kapitale në shkatërrimin e të drejtës së shtetasve dhe për rrjedhojë dhe në shkatërrimin e shtetit.

Dëmi i shkaktuar nga këto dy ligje, as nuk mund të krahasohet me dëmin ekonomik që i vjen këtij kombi nga humbja e një pjese të detit. Këto dy ligje shkatërruan bazën ekonomike për ndërtimin e shoqërisë kapitaliste në Shqipëri dhe për gati 30 vjet po ushqejnë shpërbërjen e shoqërisë tonë. Rezultat më të mirë se kaq, për ta shpopulluar këtë vend, nuk do të arrinte asnjë zbulim i huaj dashakeq ndaj vendit tonë. Problemi ynë është se as dëgjojmë, as shohim, as mendojmë! Në vazhdim të logjikës qeveritare, duke qenë se populli i besoi asaj jo vetëm timonin e makinës, por edhe karrocerinë (për ta mbushur me mbeturina), asaj i është shtuar oreksi dhe nën dellin e madhështisë, nxjerr ligje të reja. Gjithçka që ajo synon, e shpall “interes publik” nëpërmjet ligjit nr.55/2015 dhe ligjit nr. 93/2015 (respektivisht për investimet strategjike në republikën e Shqipërisë dhe për turizmin, më 27.07.2015.

Me këto ligje, pronarit i kufizohet e drejta për të zhvilluar pronën e vet për turizëm, kur shtetit i mbushet mendja se ai mund ta bëjë më mirë nëpërmjet partneritetit public privat (P.P.P)! Për të realizuar këtë ndërhyrje (korruptive) në pronat private, ligji i ri nr.93/2015 shfuqëzoi komplet ligjin nr.8561 datë 22.12.1999 me 40 nene, vetëm se nenet e tij nr.2, 6, 8, e 9 kushtëzonin (pengonin) qeverinë për të vënë dorë mbi pronat private (shtatë raste), duke bërë shpronësim për interes publik. Me ligjin e ri, termi “interes publik” mbetet në gjykimin e qeverisë t’i interpretojë rastet si të dojë. Të dy këto ligje që kanë lidhje me pronat në zonat turistike, u dërguan nga shoqatat e pronarëve për gjykim në Gjykatën Kushtetuese. Ajo gjykatë, e mbledhur në seancë këshillimi më datën 24.01.2018 nuk e kaloi fare çështjen në seancë gjyqësore, me pretendimin absurd se: “… Shoqata nuk ka arritur të provojë një interes të drejtpërdrejtë, të sigurtë dhe vetjak në çështjet konkrete.

Ky argument i “rojeve” të kushtetutës të befason. Nuk paska interes shoqata e mbrojtjes së pronave për turizmin? Po turizmi a nuk ndërtohet mbi pronat e anëtarëve të shoqatës? Ç’është kjo papërgjegjëshmëri e gjyqtarëve kushtetues? Para dy vjetësh kjo shoqatë u legjitimua po nga kjo gjykatë për ligjin 133/2015. Mos vallë turizmi nuk ka lidhje me trojet tona turistike në bregdet – sipas tyre? Letrat e shoqatës janë po ato të vitit 2015. A është profesional ky qëndrim i tyre, po i ndershëm a është? Sofizmat që përdoren nga gjyqtarët e trembur, për t’i mbajtur ison pushtetit, e bëjnë atë mjerane. Kjo gjë i jep zemër pushtetit që të nxjerri xhevahire të tjera, më keq nga të parat. Më 20.12.2017, qeveria nxori dy vendime: nr. 765 dhe nr. 766 nëpërmjet të cilave ndryshoi pjesërisht dy vendime të mëparshme: nr. 222 dhe nr. 223 datë 23.03.2016.

Për këtë ishte i detyruar nga gjykata kushtetuese e cila rrëzoi dy pika të nenit 6 të ligjit 133/2015. Në kundërshtim me vendimin e gjykatës, qeveria mospërfillëse, me dy vendimet e reja, e përkeqësoi akoma më tepër situatën me pronarët. Kjo strategji e saj kërkon zvarritjen edhe për dy vjet të tjera në gjykatën kushtetuese, ndërkohë që ajo mashtron pronarët për të firmosur ligjin ekzistues. Një qeveri e tillë vepron kështu sepse nuk ka zot të ruaj kushtetutën. Gjykata kushtetuese është thjesht një vend pune i majmë, i qetë, pa telashe. Sa kohë që zyrtarët e shtetit bëjnë pazare me moralin e profesionit të vet trupi i kombit vazhdon të kalbet.

*Autori është Jurist, ekonomist dhe kryetar i koalicionit të shoqatave të pronarëve të origjinës

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here