Fama dhe varfëria

0


FLORINA UJUPI

“Kafshatë që s’kapërdihet është or vlla mjerimi, kafshatë që të mbetet në fyt dhe të zë trishtimi”

Po e nisi këtë shkrim me një fragment nga poezia e Migjenit, një poezi e cila ka mbetur në kujtesën e secilit njeri prej ditëve të shkollës.

Poezia mbeti si një ndjenjë e idhët në trurin tim. por trishtimin e përjetova në momentin që personalisht u ballafaqova me varfërinë. E nisa si diçka të pa menduar mirë, mjafton ushqimi dhe veshmbathja për një të varfër dhe problemi u zgjidh.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është ta përshkruaj varfërinë në detaje është fenomen i njohur, nuk u zhduk as me Nënën Terezë, nuk u zhduk sot, e nuk do të zhduket as nesër.

Problemin të cilin do ta shtjellojë përmes këtij shkrimi qëndron te një fenomen tjetër i shoqërisë sonë që unë e quaj “të vuash për famë” dhe medoemos duhet t’i mveshësh të gjithë me këtë fenomen.

Për festat e fundvitit me disa femra tjera nga qyteti im filluam mbledhjen e fondeve për blerjen e dhuratave për fëmijët e familjeve me asistencë sociale. Nuk kishim fondacion por u organizuam vetëm falë vullnetit të mirë që kishim dhe arritëm t’i gëzonim disa familje.

Përveç falenderimeve u habita kur kuptova brengën e disa njerëzve që nuk shpenzuan asnjë cent për askend por shpenzuan energji për të dhënë mendime nga më të ndryshmet “çka jan qu ato me këto ndihma,  po dojnë me u bo të famshme”,  vjen komenti tjetër “pse po ekspozohen në facebook, me dasht njeri ndihmon në heshtje” pse e pse pyetje e sygjerime të panevojshme nga një grup i njerzve të parëndësishëm.

Tani kohëve të fundit po qarkullojnë mendime e kritika të tilla edhe për humanistin Halil Kastratin pse ai po ekspozohet në rrjete sociale e emisione të ndryshme, prej nga i ka donacionet, kush po e financon dhe shumë llogari tjera që kërkohen nga dikush që është shtrirë në divan e ka hap facebookun, nuk ka diçka interesant aty, e duhet vet të bëhet interesant.

Përgojimet e llogaridhëniet nuk janë risi, ato kanë ekzistuar edhe në vitet e mëhershme jo rastësisht e përmenda Nënën Terezë ajo e cila tërë jetën ia ka kushtuar bamirësisë, ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 atëherë kur unë kam lindur dhe pavarësisht kësaj regjimi komunist i Shqipërisë e konsideronte atë të rrezikshme dhe mendonin se Vatikani e kishte promovuar për të dëmtuar Shqipërinë sepse që nga viti 1967 fetë ishin të ndaluara.

Pavarësisht që gjatë viteve 1970 ajo kishte kërkuar ta vizitonte Shqipërinë për të vendosur lule në varrin e nënës dhe motrës së saj ajo nuk u lejua të hynte në Shqipëri deri në vitin 1989 një vit e gjysmë para se regjimi i Enver Hoxhës të rrëzohej. Aktivitetet e Nënës Terezë paraqisnin rrezik për Shqipërinë sipas Asamblesë Popullore, ajo mund të përhapte fenë e krishterë gjithandej.

Zëra kishte edhe kundër shenjtërimit të saj, sipas një dokumentari të CNN, ish-vullnetari që kishte punuar në fondacionin e Nënës Terezë Hamley Gonzalez dhe mjeku londinez Aroup Chatterjee ishin deklaruar se ajo nuk e meritonte titullin sepse merrte miliona dollarë donacione, të cilat sipas tyre duhet të përdoreshin për të ndërtuar spitale, shkolla dhe për të përmirësuar kushtet në godinat e tyre. Edhe pse CNN ishte munduar t’i kontaktonte krerët e fondacionit për të marrë përgjigjet rreth spekulimeve të tilla, ata ishin përgjigjur shumë formalisht  “Fonde kemi, ne mund të ushqejmë çdo njeri të uritur çdo ditë. Kjo është mrekulli e Zotit!“, ishte përgjigja e tyre.

E kthehemi prap te fondacioni i Halil Kastratit si duket fondet e tij vijnë nga Rusia në Kosovë përmes Behxhet Pacollit e qëllimi “i panjohur”, njeriu mendon se të varfërit po furnizohen me armatim e jo me vendbanime e gjana tjera të nevojshme.

Regjimi komunist kishte frigë nga Nëna Terezë se po e përhapte krishterizmin në kohën kur fetë ishin të ndaluara në Shqipëri, kurse ne në Kosovë po frigohemi se Halil Kastrati po e sjell muslimanizmin radikal duke formuar ushtar të ISIS-it, apo duke paguar shtrenjtë votat e tij që më vonë ti kthehet partisë së Behxhet Pacollit ku paska qenë një herë e një kohë. Sipas logjikës Kosovare nëse ke provuar të jesh pjesë e politikës duhesh që gjatë tërë jetës të mbetesh hendikep i së kaluarës.

Thjesht a mundemi t’i pranojmë gjërat ashtu siç janë, pse truri jonë është krijuar dhe funksionon vetëm në suaza të mashtrimeve, ashtu na është ngulitur në kokë se gjithçka e ekspozuar është edhe mashtruese, nuk është larg realitetit sepse si popull jemi mësuar ta mashtrojmë së pari veten pastaj të tjerët, si dhe të jemi të mashtruar qoftë nga miqtë qoftë nga klasa politike.

Tani po e qartësojë pse duhet ekspozimi në rrjete sociale para dhe pasi të ndihmohet dikush, me të vetmin qëllim që të grumbullohen fondet, nuk e ka njeriu konton plot me pare që tap e rrap të ndërtojë një shtëpi, të shërojë një të sëmurë e të blejë ushqim për disa familje.

Ditën kur e kam vizituar Spitalin e Pediatrisë repartin e hematoonkoligjisë, aty ku vuajnë fëmijët nga sëmundja e kancerit dhe leukemisë ka qenë dita ma e keqe e jetës sime, shëndetin nuk mund t’ia kthesh askujt por qëllimin për të cilin shkova mund ta arrija por a thua munda e vetme. I pyeta për dëshirat e tyre për festat e fundvitit, e di nuk isha Babadimër, e në momentin që i morra fillova t’i telefonojë disa nga miqtë për ndihmë dhe nuk mora asgjë, fillova të mërzitem sepse kisha premtuar dhe vendosa të kërkojë ndihmë përmes facebook-ut. Aty e kuptova se sa e rëndësishme është të kërkosh ndihmë përmes rrjeteve sociale, dëshirat u plotësuan dhe nuk më lejonte ndërgjegjja që mos t’i falenderoja të gjithë miqt e mi prap publikisht për ndihmën që e kishin dhënë.

E shtrohet pyetja që po i mundon shumicën, a duhet ekspozuar rastet e sëmundjeve dhe të varfërve në rrjete sociale?

Disa thonë se duhet, e disa të tjerë asesi nuk duhet, sepse shkakton dhimbje edhe më të madhe te ata që vuajnë?

Nuk po i përgjigjem askujt po e jap mendimin tim duke u nisur prap nga fjalët e të madhës Nënë Terezës ” Nganjëherë, ne mendojmë se varfëri do të thotë vetëm të jesh i uritur, i zhveshur e pa shtëpi. Varfëria e të qenit i padëshiruar, i padashur, pa njeri që të kujdeset për ty, kjo është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie.”

Një logjikë e shëndoshë e kupton një gjë të tillë, shkoni vizitoni familjet e varfëra ata jetojnë në një botë tjetër, jeta e tyre sillet vetëm brenda mureve të një ose dy dhomave, ata nuk e qajnë kokën kush po i vëzhgon apo po i ekspozon, ata kanë nevoja nga më të thjeshtat.

Ata nuk kanë mundësi të mendojnë se a e lejon Konventa mbi të Drejtat e fëmijës ekspozimin nëpër emisione e rrjete sociale sepse as që e dijnë se ekziston një konventë e tillë, dhe të gjithë ata që mendojnë se kjo konventë garanton privatësinë e fëmiut për mos ekspozimin në rrjete sociale e kanë gabim, sepse kjo konventë është miratuar në vitin 1989 kur nuk kanë ekzistuar rrjetet sociale dhe asnjë nen nuk flet për një gjë të tillë.

Paj nëse me çdo kusht duhet të mbrohet ekspozimi i fëmijëve në rrjete sociale, andaj mësues të dashur mos i ekspozoni as ju aktivitetet e juaja shkollore me fëmijët e huaj.

Ju lutem para se të kritikoni mendohuni se problem i të varfërve nuk është vetëm banimi e ushqimi ajo është nevojë elementare, problemet e tyre janë të thella sepse jeta e tyre del jasht binarëve të normales.

Në rrethana të tilla është më mirë njeriu t’i bashkohet kampanjave të tilla dhe të ndihmojë sipas mundësive që ka, do të merr falenderime dhe përqafime të sinqerta më shumë se sa like në statuse për kritika të pabaza.

Po e përmbylli me atë që e fillova, një citat nga poezia e Nënës Terezë  ”Jepi botës çka ke më të mirë, e do të zënë me shqelma s’ka rëndesi, jep… çka ke më të mirë.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here